Mustafa: Nga Kosova janë shpërndarë edhe krishterimi edhe islami

Kryeministri Isa Mustafa, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Ndërfetare, që po organizohet në Prishtinë.




Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa tha se Kosova ka qenë historikisht rajon i diversitetit etnik, i diversitetit fetar dhe shoqëror dhe se Kosova është një shtet i ri, por me një kulturë të vjetër.

«Ne ekzistojmë tash e 8 vjet si Republikë parlamentare, por para më se 2 mijë vjetësh mu këndej është shpërndarë krishterimi. Këtu ndodhi edhe ndarja e dy kishave, lindore ortodokse dhe asaj perëndimore katolike. Këtu është shpërndarë islami para mbi 600 vjetësh, fillimisht nëpërmjet mistikëve sufi, e më vonë edhe nëpërmjet Perandorisë Osmane që sundoi gjatë në këto treva. Këtu ne kemi po ashtu bashkësi të vogla si protestantë, hebrenjë, bektashinjë dhe tarikate tjera. Prandaj të gjithë e përbëjnë një mozaik të pasur të besimeve dhe mozaik etnik në Kosovë», tha kryeministri, raporton Koha.net.

Duke folur për fokusimin e konferencës ndërfetare në këto begati shumë të rëndësishme për Kosovën, kryeministri tha se duhet të punohet shumë në mënyrë që të ruhet kjo pasuri.

«Kosova gjatë mandatit tim është bërë anëtare e rëndësishme e aleancës kundër ISIS-it. Ne kemi pasur në fund të vitit të kaluar Sekretarin John Kerry dhe ai ka deklaruar publikisht se Kosova është lidere e rajonit në luftë kundër ekstremizmit. Në këtë aspekt ne kemi marrë masa ligjore ndaj individëve dhe grupeve ekstreme dhe shumë prej tyre kanë marrë dënime të merituara. Megjithatë, unë nuk mendoj se policia dhe gjyqësia e kanë ilaçin e ekstremizmit. Qeveria ka aprovuar edhe Strategjinë për Luftimin e Ekstremizmit, e cila përfshinë shumë grupe të interesit dhe shumë palë. Konsiderojmë se arsimi, puna në familje, puna me shoqërinë civile, është e një rëndësie të veçantë dhe, po ashtu vlerësojmë se roli i grave dhe aktivisteve gra, është thelbësor në shoqëri. Dëshiroj të potencoj se emancipimi dhe fuqizimi i rolit të gruas, është agjendë tepër e rëndësishme për promovimin e progresit shoqëror dhe po ashtu edhe për emancipimin fetar», tha Mustafa.

Emancipimi dhe fuqizimi i rolit të gruas, siç tha kryeministri Mustafa, është agjendë tepër e rëndësishme për promovimin e progresit shoqëror dhe emancipimin fetar.