Mustafa: Nëse është bërë ndonjë gabim në buxhetin për Junikun, dikush duhet të japë përgjegjësi

Në lidhje me reagimin e kryetarit të Komunës së Junikut, Agron Kuçi, se Qeveria ka ndarë buxhet diskriminues për komunën e tij, veç reagimit të ministrit të Financave, Avdullah Hoti, ka reaguar edhe kryeministri Isa Mustafa.




Në një postim të tijin në Facebook, Mustafa thotë se qeveria zbaton kritere të njëjta për të gjitha komunat dhe për të gjithë qytetarët.

«Nuk ka asnjë arsye që një komunë, në këtë rast Juniku, të ndihet e diskriminuar. Nëse del se rregulla nuk është zbatuar si duhet, ajo do të zbatohet, ndërkaq ata që mos ta kenë zbatuar duhet të japin përgjegjësi», ka thënë mes tjerash Mustafa, raporton Koha.net.

Ai thekson se nuk mund të ketë dallime të tilla te granti i përgjithshëm për kokë banori ndërmjet komunave, edhe përkundër zbatimit edhe të kritereve tjera, përveç numrit të banoreve.

«Ministria përkatëse dhe Departamenti i buxhetit të komunave do të jap shpjegim konkret lidhur me zbatimin e kritereve», ka përfunduar kryeministri Mustafa.

Ndërkaq, i pakënaqur me ndarjen buxhetore për vitin 2016 që iu bë nga niveli qendror, kryetari i Junikut Agron Kuçi ka thënë se komuna e tij u diskriminua sidomos tek investimet kapitale.

Duke bërë krahasimin me komunat tjera, kryetari i Junikut ka thënë se komuna që ai drejton ka më së paku mjete të ndara për kokë banori, me rreth 12 euro, në krahasim me komunat tjera të cilat kanë më pak banorë se Juniku.