Mustafa merr garanci të përkrahjes nga Holanda për proceset në Kosovë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim njoftues ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Gerrie Willems.




Gjatë takimit, kryeministri Mustafa e informoi ambasadoren për progresin në Kosovë, duke theksuar prioritetet e Qeverisë për zhvillim ekonomik, sundim të ligjit dhe avancimin e proceseve tjera, transmeton Koha.net.

Kryeministri Isa Mustafa e falënderoi ambasadoren për përkrahjen që Holanda ka dhënë për Kosovën, duke kërkuar vazhdimin e mbështetjes për proceset integruese në BE, duke filluar nga nënshkrimi i MSA-së dhe liberalizimi i vizave.

Kryeministri Mustafa, shprehu përkushtimin e Qeverisë për thellimin e bashkëpunimit me Holandën, duke theksuar mundësitë e shkëmbimeve dhe investimeve nga ana e bizneseve holandeze në Kosovë.

Ambasadorja e Holandës, Gerrie Willems, falënderoi kryeministrin Mustafa për pritjen, duke theksuar angazhimin e saj gjatë misionit në Kosovë, për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

Ambasadorja Willems, po ashtu, vlerësoi të arriturat në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e Holandës për proceset në Kosovë.