Mustafa: Kosova e gatshme të jetë pjesë aktive e UNESCO-s

Kosova assesi nuk do të heqë dorë së insistuari për t’u anëtarësuar në UNESCO.




Për këtë është shprehur i bindur kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, raporton KTV.

Ai ka deklaruar se vendi e meriton anëtarësimin në këtë organizatë dhe se Kosova jo vetëm që është e gatshme të konkurrojë, por edhe të jetë pjesë aktive e UNESCO-s.
Sipas kryeministrit, ndër arsyet më madhore pse Kosova duhet të jetë pjesë e UNESCO-s, është se Kosova beson dhe ndan të njëjtat vlera me këtë organizatë.

Duke u ndalur në lobimin e Serbisë për të penguar pranimin e Kosovës në UNESCO, kryeministri tha se fjalori i serbëve është i papranueshëm, transmeton Koha.net.
E ministri i Arsimit, ka treguar përfitimet që Kosova do t’i ketë nga pranimi në këtë organizatë.

Kundërshtime të shumta për pranim të Kosovës në këtë organizatë, kanë ardhur nga ana e serbëve. Serbia ka paralajmëruar se lejimi i Kosovës në UNESCO, do të nxisë tensione dhe do të dëmtojë dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.