Mustafa kërkon nga Selia e Shenjtë njohjen e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, u takua në New Yotk me sekretarin për Marrëdhënie me Shtete të Selisë së Shenjtë, Paul Richard Gallagher.




Gjatë takimit, Mustafa e njoftoi Gallagerin për progresin në Kosovë, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, veçanërisht në UNESCO.

«Kosova, si një shtet evropian, dëshiron të jetë pjesë e programeve shkencore, arsimore si dhe të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në kuadër të UNESCO-s. Rinia kosovare e meriton të jetë pjesë e këtyre programeve, duke qenë se ndan të njëjtat vlera si të gjithë të rinjtë e tjerë të Evropës», tha kryeministri Mustafa.

Kryeministri e falënderoi sekretarin Gallagher për përkrahjen që Selia e Shenjtë ka dhënë për Kosovën për dekada të tëra, duke theksuar marrëdhëniet që kanë ekzistuar ndërmjet Kosovës dhe Selisë së Shenjtë që nga koha e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Në këtë kontekst, Mustafa shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Selinë e Shenjtë, duke kërkuar shqyrtimin e mundësisë së njohjes së Kosovës.

Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, e falënderoi sekretarin Gallagher për ndjenjat pozitive dhe përkrahjen e Selisë së Shenjtë për Kosovën.

Thaçi po ashtu theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, duke thënë se «kjo do të ishte në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe proceseve në Kosovë dhe rajon».

Sekretari për Marrëdhënie me Shtete i Selisë së Shenjtë, Paul Richard Gallagher, vlerësoi progresin në Kosovë dhe hapat e Kosovës në raport me proceset demokratike në rajon dhe më gjerë.