Mustafa: Kemi ende punë për t’u bërë subjekt i barabartë vendimmarrës në botë

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili po qëndron në New York në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ka thënë se për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare dhe për t’u bërë subjekt i barabartë në vendimmarrjen botërore, Kosovës i duhen edhe shumë punë për t’i kryer.




Përmes një postimi në Facebook, kreu i ekzekutivit kosovar tha se qytetarët e Kosovës meritojnë të fitojnë lirinë e qarkullimit, pa kufizim me regjim vizash, si një e drejtë themelore për zhvillim, arsim dhe prosperitet, transmeton Koha.net.

«Pavarësia e Kosovës duhet të njihet edhe nga pesë vende të BE-së; na nevojitet përkrahja edhe për shumë njohje tjera. Zhvillimi më i shpejtë ekonomik mund të bëhet vetëm mbi leva të bashkëpunimit politik dhe diplomatik me vendet e tjera, të shtetit që bazohet në ligj dhe në rregulla të demokracisë», ka thënë Mustafa.

Sipas tij, janë këto çështje të cilat Kosova nuk mund t’i bëjë e vetme por kërkon përkrahjen e përhershme dhe mirëkuptim nga SHBA, vendet e BE-së dhe shumë vendeve tjera.

«Të arriturat historike në ndërtimin e shtetit tonë, si rast i veçantë, janë rezultat i përkrahjes së fuqishme, para së gjithash, nga SHBA. Edhe proceset të cilat tani po i zhvillojmë po i bashkërendisim me SHBA-të dhe BE-në. Kjo është e vetmja rrugë e cila na çon përpara, është rruga, të cilën e kanë përkrahur qytetarët e Kosovës me shumicën dërmuese të votës së tyre», ka potencuar kryeministri Mustafa.