Mustafa ka një mesazh në 17 vjetorin e hyrjes së NATO-s në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka përkujtuar 17 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.

«17 vjet më parë trupat e NATO -s filluan zbarkimin në Kosovë, pas 78 ditësh të bombardimeve mbi caqet serbe. Ditët e lirisë që po shënohen këto ditë nëpër Kosovë u arritën fal sakrificave shumëvjeçare dhe vendosmërisë së paepur të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci», ka thënë Mustafa në mesazhin e tij për këtë ditë.

«Këto ditë krenarie, na përkujtojnë lidershipin dhe vizionin e Presidentit Historik Ibrahim Rugova, luftën heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dhe të gjithë heronjve të tjerë të Kosovës», ka shtuar më tej Mustafa.

Sipas të parit të ekzekutivit në vend, populli i Kosovës do t’i jetë përjetë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidentit Bill Clinton, Sekretares Madeleine Albright, Gjeneralit Wesley Clark, ish-kryeministrit britanik Tony Blair dhe miqve të tjerë ndërkombëtarë që kontribuuan për lirinë e Kosovës.

«Liria dhe shteti i Kosovës janë storie e përbashkët suksesi e popullit të Kosovës dhe botës demokratike».