«Muslim Mulliqi» për vështirësitë e hyrjes në botën e artit

Artistët e rinj do të jenë në fokus të ekspozitës ndërkombëtare 1Çmimi Muslim Mulliqi».

Ekspozita që organizohet çdo dy vjet nga Galeria Kombëtare e Kosovës në edicionin e sivjetmë do të trajtojë edhe imazhin e artit bashkëkohor, shkruan sot «Koha Ditore».

Kurator i edicionit të 11-të të «Çmimi Muslim Mulliqi» është caktuar Artan Shabani, përderisa tema është titulluar «Talking abort» (Të flasim për..). GKK-ja në fundjavë ka hapur konkursin ndërkombëtar, ku u bëhet ftesë artistëve që të aplikojnë deri më datën 11 korrik.

Sipas kuratorit, çmimi ndërkombëtar «Muslim Mulliqi» do të fokusohet në nevojat që ka brezi i ri i artistëve, të cilët sot ndodhen përballë një sfide të vështirë.

Adriana Marku-Sedaj, kryetare e Këshillit Drejtues të GKK-së, ka thënë se shpreson që interesimi për të marrë pjesë në këtë ngjarje kulturore të jetë i madh.

«Ky është konkurs ndërkombëtar dhe besoj që do të ketë interesim për pjesëmarrje kur kemi parasysh edhe emrin e artistit e akademikut Muslim Mulliqi», ka thënë Marku-Sedaj.

Më 2014, ky çmim i ishte ndarë artistes Flaka Haliti me veprën «Kapuçat nevojiten pas kësaj pike».