Mushkolaj: Opozita ka folur, topi është te pushteti

Analisti Imer Mushkolaj, ka bindjen se opozita tashmë e ka thënë fjalën e saj, dhe «topi» është te Qeveria.




«Topi është në anën e pushtetit. Qëndrimet e opozitës po i dimë, tash fjalën e ka pozita. Nëse nuk qenka e pamundur tërheqja e nënshkrimit, kryeministri Mustafa duhet të dalë dhe të tregojë se si të ecin gjërat», ka thënë Mushkolaj.

Ai ka thënë se në rast të zgjedhjeve të parakohshme, dyshon se partitë opozitare do të shkonin në bllok me një listë.
«Sepse kjo së pari nuk do të shkonte në favor të partisë më të madhe opozitare. Sepse ata kanë sulmuar dikur edhe anëtarët e këtyre dy subjekteve politike», ka thënë Mushkolaj, në «Rubikon» të KTV-së.

Koalicionin e tri partive opozitare, LVV, AAK e Nisma, ai e ka quajtur të zorit, e jo të parimeve.

Mushkolaj ka thënë se nuk mendon se gjërat nuk mund të ndryshojnë.
«Gjërat munden dhe duhet të ndryshojnë, sepse kjo është në të mirë të qytetarëve», ka thënë Mushkolaj, përcjell Koha.net.