Murati në Irlandë takon homologun e tij

Ministri i Diasporës, Valon Murati ka nisur vizitën tre ditore në Republikën e Irlandës. Në kuadër të kësaj vizite, Murati takoi edhe homologun e tij, Jimmy Deenihan – Ministër i Shtetit për Diasporë në Irlandë me të cilin u diskutuan përvojat e shtetit irlandez për diasporën si dhe mundësitë për bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave të mira.




Ministri njoftoi homologun e tij për të gjitha projektet e Ministrisë së Diasporës, përkatësisht përpjekjet e Ministrisë për organizimin sa më të mirë të diasporës shqiptare përmes krijimit të rrjeteve dhe formave të tjera të organizimit, ndihmën për mësimin plotësues, themelimin e qendrave kulturore si dhe për procesin e hartimit të regjistrit të diasporës dhe mërgatës.

«Unë shpreha interesimin për bashkëpunimin në fushën e politikave të diasporës duke e konsideruar Irlandën si një prej shteteve me diasporën më të madhe si dhe lidhjet e forta mes shtetit dhe diasporës. Biseduam për përvojat tona në Kosovë, për historinë intensive të bashkëpunimit me diasporën, si në fushën politike ashtu dhe ekonomike. Biseduam për shkëmbim të përvojave në fushën e zhvillimit ekonomik dhe shfrytëzimin e potencialeve për zhvillim ekonomik duke marrë edhe përvoja të modelit irlandez», tha ministri Murati.

Dy ministrat u dakorduan që të vazhdojnë thellimin e bashkëpunimit dhe dërgimin e ekspertëve nga ministria e diasporës irlandeze në Kosovë.

Në anën tjetër, ministri Deenihan falënderoi ministrin Murati për vizitën, përderisa e njoftoi atë me punën të cilën Ministria e shtetit për diasporë është duke e bërë, marrë parasysh numrin e madh të diasporës irlandeze të cilën e mbulon.

«Kishim një takim shumë të mirë. Ju keni bërë një progres të jashtëzakonshëm me diasporën tuaj. Diaspora juaj është shumë e rëndësishme dhe ne mund të mësojmë nga njëri tjetri. Ju keni pas ministër të diasporës para neve, që nga viti 2011 ndërsa ne që nga viti 2014. Diaspora jonë e pranon dhe kultivon lidhjen me shtetin e tyre», theksoi Deenihanm duke shtuar se diaspora e tyre vetëm në SHBA numëron rreth 30 milionë.

Sipas tij, qytetarët kanë dëshirë të angazhohen me shtetin e tyre të origjinës, të dinë se prej nga vijnë, ku kanë lindur prindërit e tyre.

«Ju jeni duke zhvilluar struktura të mira në shtetin tuaj dhe personalisht jam shumë i kënaqur që shoh se ju e konsideroni diasporën si fokus kryesor tuajin, nga i cili do të keni shumë benefite pas implementimit të politikave të cilat po i udhëheq ministri Murati», shtoi ministri Deenihan.