Murati: Historia e familjes Bruti, shembull i marrëdhënieve të mira shqiptaro-sllovene

Në kuadër të vizitës së tij në Slloveni, pas takimeve me Ministrin slloven për diasporën, kryetarin e komunës së Lubjanës dhe përfaqësuesit e shoqatave shqiptare në këtë shtet, Ministri i Diasporës, Valon Murati takoi edhe bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Kopër.




Vizita në këtë komunë u bë me rastin e përkujtimit të familjes së njohur fisnike shqiptare Bruti, e cila ishte me prejardhje nga Durrësi e që në Kopër u vendos në fund të shekullit 16. Në këtë ngjarje prezent ishte edhe Kryetari i Koprit, Boris Popoviq si dhe bashkatdhetarë nga shtete tjera si Kroacia e Italia.

Ministri në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi Shoqatën Kulturore Shqiptare «Iliria» për punën e bërë me komunitetin e kësaj zone, në përgjithësi, dhe organizimin e kësaj ngjarjeje në veçanti, raporton Koha.net.

Gjithashtu, shprehu mirënjohjen e tij për institucionet e ndryshme të Koprit lidhur me përkrahjen e komunitetit shqiptar të kësaj zone duke theksuar se «shembulli më i mirë i marrëdhënieve të hershme të mira midis sllovenëve dhe shqiptarëve është vetë historia e familjes Bruti».

Ministri i Diasporës më pas vizitoi edhe ekspozitën e artistit të njohur shqiptar, Gani Llaloshi.

Ndërkaq, Ministri Murati u prit edhe në një takim të veçantë nga Kryetari i Koprit, Boris Popoviq, nga i cili kërkoi vazhdimin dhe thellimin e mëtutjeshëm të përkrahjes për bashkatdhetarët tanë që janë qytetarë të komunës së udhëhequr nga ai. Nga ana tjetër, Popoviq e falënderoi Ministrin Murati për vizitën e tij dhe shprehu vullnetin e gatishmërinë për t’ju përgjigjur nevojave të komunitetit shqiptar në Kopër.

Gjatë vizitave, Ministri Murati ishte i shoqëruar nga Ambasadori i Kosovës në Slloveni, Nexhmi Rexhepi.