Mural për Ditën e Fëmijëve në qytetin e Ferizajt

Një grup i artistëve, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj, të cilët e dëshirojnë një qytet me sa më shumë punime artistike, sot bënë prezantimin e punimit të një murali, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.




Drilon Haxhiaj, pjesë e këtij grupi, tha se kemi mbajtur kurs në të cilin ligjëronte prof. Emrush Xhemajli, ku me ndihmën e tij kemi përfunduar këtë mural në kopshtin e fëmijëve të kompleksit banesor «Vizioni-S».

«Pasi që sot është edhe Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, ne dëshirojmë që me këtë projekt t’i inkurajojmë të gjithë artistët e rinj ta përdorin talentin e tyre, për të pasuruar jo vetëm qytetin, por edhe mendjet e pjesëtarëve të komunitetit tonë», tha Haxhiaj, raporton korrespodenti i «Kohës Ditore» për rajonin e Ferizajt.

Ai tha se do të vazhdojnë që edhe në të ardhmen të punojnë e t’i shërbejnë komunitetit me projekte tjera edhe më të mëdha.

Emrush Xhemajli, koordinator i Lëvizjes Vetëvendosje qendra Ferizaj, tha se përmes kontributit në gjeneratat e reja, ne mund t’i ndihmojmë shumë qytetit tonë.

«Vendi ka nevojë për artistë dhe vepra arti që i shërbejnë qytetit tonë, sepse talenti nuk mungon tek të rinjtë në fushën e artit, por atyre po u mungon përkrahja nga institucionet», u shpreh ai.