Muottas Muragl – një dehje të çuditshme në lartësi

Ndonëse ende të rrethuar nga kodrat më të larta, afër borës e akullit, nga larg na përshëndet bota krejt tjetër, jugu, Mesdheu, kundërthënia absolute dhe kontrasti ndaj botës alpine. Dhe na kujtohen vargjet nga poezia e Nietzsches «Drejt deteve të reja»: «I hapur është deti, në kaltërsi / Anija ime gjenoveze më bart».

Muottas Muragl.



Prej kohësh mendohet mbi cilësitë e veçanta të ajrit dhe dritës të këtij rajoni. Specialistë të syve kanë thënë se këndej në kodrat e larta bebëzat zgjerohen në mënyrë të habitshme. Thuhet se realiteti i shfaqet syrit me një qartësi dhe tejdukshmëri si askund tjetër. Shumë vizitorë të Engadinit tregojnë për një dehje të çuditshme në lartësi, e cila i kaplon ata që nga lartësia prej 1800 metrave mbi det. Që nga mesi i shekullit të ’19, kur ishte faza fillestare e turizmit, artistët dhe ekscentrikët e të gjitha kombeve dhe vendeve erdhën këtu në verë e dimër, për të përjetuar një trevë, e cila nuk është e dukshme vetëm sa i përket pamjes së jashtme, por shpejt dhe papërballueshëm bëhet një trevë shpirtërore.

Kush ngjitet në Muottas Muragl në një paradite të mbuluar me dritë dhe nga atje sheh të shtrirë para syve të tij tërë rrafshinën e Engadinit të Epërm nën diellin e mëngjesit, do të jetë i vetëdijshëm mbi veçantinë e kësaj treve. Nuk është për t’u habitur që në këtë rajon kanë gjetur inspirimin aq shumë piktorë. Giovanni Segantini, i cili jo larg nga këtu pikturoi triptikun e tij të famshëm, i cili mund të shihet në muzeun që bart emrin e tij në St. Moritz, fliste për «akordet e një krijimi të përbërë nga tonet dhe ngjyrat», kumbimi i përbashkët i të cilave rezulton me përfytyrimin e vërtetë të bukurisë. Ose ai e grishte «parandjenjën e dritës, e cila i bën bashkë të gjitha dhe krijon harmoninë e përjetshme të botës alpine». Në këto fjali vërejmë se si piktori lufton për të gjetur fjalët që grishin magjinë e dritës, të cilën vetëm syri mund ta kap në mënyrë adekuate. Pas tij shkuan shumë, vendorë e të huaj, në përpjekje që përvojën e jashtëzakonshme të pamjes dhe parandjenjës ta hedhin në pëlhurë. Megjithatë, për të kuptuar veprën e këtyre artistëve duhet fillimisht t’i nënshtrohesh realitetit të dritës që mbretëron këtu. Bukuria e papërsëritshme nuk është fantazi e pastër dhe imagjinatë. Ajo ekziston sepse në realitet diçka është e pranishme, që e zgjon dhe e nxit kërkimin tonë për të bukurën.

Por fjalën më të famshme mbi përvojat me dritën në këtë rajon e ka thënë dikush tjetër, ai burri gjenial dhe i sëmurë, i cili atje filozofonte në rrethanat më modeste të mundshme, shkruante poezi dhe vriste mendjen për jetën: Friedrich Nietzsche. «I tejdukshëm, i prushtë në të gjitha ngjyrat, duke mbyllur në vete të gjitha kundërthëniet, të gjitha qendrat mes akullit dhe jugut» – kështu e ka parë ai këtë rajon. Kur pas Qafës së Berninës menjëherë para syve tanë hapet Val Poschiavo, befas ndiejmë: këtu duhet të jetë pika kulmore mes veriut dhe jugut. Ne gjendemi bash në atë qendër ku preken dy drejtime horizonti, dy botëkuptime dhe dy mënyra të jetesës. Ndonëse ende të rrethuar nga kodrat më të larta, afër borës e akullit, nga larg na përshëndet bota krejt tjetër, jugu, Mesdheu, kundërthënia absolute dhe kontrasti ndaj botës alpine. Dhe na kujtohen vargjet nga poezia e Nietzsches «Drejt deteve të reja»: «I hapur është deti, në kaltërsi / Anija ime gjenoveze më bart».

Përktheu: E. Robelli

(Iso Camartin, i lindur më 1944, është kulturolog, filozof dhe shkrimtar. Profesor shumëvjeçar i letërsisë retoromane në Universitetin e Zürichut, Camartin është një Homme des Lettres, një iluminist i pasionuar dhe çmontues mitesh. Ai u rrit në Disentis, ku ndoqi Gjimnazin Humanist në një manastir. Nga viti 1965 studioi filozofinë dhe romanistikën në München, Bolonjë dhe Regensburg. Promovoi më 1971 me një studim për Johann Gottlieb Fichten dhe Immanuel Kantin. Mes viteve 2000-2003 ai drejtoi sektorin e kulturës të televizionit të Zvicrës. Teksti i mësipërm është pjesë e librit të Camartin mbi Zvicrën. Në ditët në vijim dialogplus do të sjellë pjesë të tjera të këtij libri, i cili përmban një shpjegim mahnitës për Zvicrën).