Shih Sarandën, ëndërro një ditë

Ditari i Sarandës (3)

Në kufi me Greqinë: pamje nga ishulli Tongo afër Butrintit. Foto: E.R.

Në Greqi është më mirë. Gjithçka funksionon. Kamerierët janë të përzemërt. Ushqimi i mirë. Plazhet e pastra. Çdokush mund të ketë këtë mendim, madje edhe çdo shqiptar. A është në Greqi më mirë, sepse kafesë turke i thonë kafe greke? Aq mirë është në Greqi, saqë kur zbrisni nga porti në Igumenicë, asnjë tabelë nuk do të tregojë rrugën që të çon drejt Shqipërisë. Ndonëse Igumenica është port edhe kufitar, autoritetet greke duket se janë kujdesuar që të zhduket fakti se Shqipëria ekziston.

Mirë është edhe në Turqi. Kjo është oferta: i paguani një agjencie turistike 500 euro dhe një javë apo dhjetë ditë mund të mbylleni në kazermat për pushues, në kyç të dorës duhet të bartni një byzylyk për t’u dalluar si klient. Ushqimi në këto kazerma turke buzë detit vjen me kamion – ashtu siç vjen vera me cisternë. Askush nuk duhet të përqeshet për këtë zgjedhje që mund të bëjë për të pushuar.

Megjithatë, pak e habitshme është një gatishmëri pothuaj e përditshme e jo pak shqiptarëve (sidomos nga Shqipëria) për ta përshkruar Sarandën dhe jugun e Shqipërisë si destinacionin e fundit ku mund të shkojë njeriu për të pushuar. Të kesh aversion ndaj detit në Durrës është e kuptueshme – uji i ndotur, kaosi i ndërtimeve, rrëmuja, të gjitha këto janë argumente që flasin kundër kalimit të ditëve më të mira të vitit në Durrës. Por nuk është tërë vija bregdetare shqiptare si Durrësi, andaj përbuzja dhe gjykimet paushalle kundër pikave turistike në jug tingëllojnë si urrejtje e vetvetes. Kjo është një lëngatë fatale shqiptare.

Po, ka arsye të zemërohesh si turist në Sarandë. Kamerieri që s’e njeh punën ose të thotë: s’ka ullinj, hoteli pa rrymë apo pa ujë (ndonëse fenomene të rralla), shkëmbinjtë e betonit… Dhe prapë: në Sarandë mund të pushoni mirë, madje shumë mirë dhe dallimet me destinacionet e tjera turistike në rajon nuk janë pafund të mëdha. Ka një dallim: në Dubrovnik, për shembull, mund të paguani deri në 15 euro për një sallatë minimale, në Sarandë dy deri tre euro.

Saranda është larg. Sidomos nga Prishtina, ndonëse shoferët shqiptarë, këta kampionë të gënjeshtrës, lavdërohen se si nga kryeqyteti i Kosovës në Sarandë mbërrijnë për 5 apo 6 orë. Jo, po udhëtuat me mend, në Sarandë s’arrini dot para 7 apo 8 orëve. Por ka rrugë të tjera, sidomos për shqiptarët e diasporës. Kompania Swiss fluturon nga Zürichu dhe Gjeneva në Korfuz. Për tri-katër orë mund të mbërrini nga alpet e Zvicrës në plazhet e Sarandës. Sa për çmim të biletës duhet thënë këtë: gjatë verës një biletë avioni nga Zürichu në Prishtinë kushton deri në 800 euro, ndërsa nga Zürichu në Korfuz – prej 300 deri 500 euro. Nëse merrni biletën me kohë madje mund të fluturoni me çmim nën 300 euro. Dy darka në restorant mesatar në Zvicër. Edhe më mirë do të ishte nëse Saranda do të kishte një aeroport të vetin, nëse qeveria shqiptare do ta shpallte zhvillimin e turizmit si prioritet kombëtar, nëse ambasada e Shqipërisë në Bernë do të funksiononte si zyrë turistike. Nuk është se Shqipëria nuk ka para për të lansuar në mediat zvicerane një reklamë. Jo, s’ka ide, vizion për këtë qëllim. Një llogari e thjeshtë: nëse prej 200 mijë shqiptarëve që jetojnë në Zvicër vetëm 20 mijë do të pushonin në Sarandë gjatë vitit dhe do të harxhonin së paku nga një mijë euro, qyteti do të merrte nja 20 milionë euro.

Infrastruktura në Sarandë po zhvillohet ngadalë. Furnizimi me ujë po përmirësohet. Ka gjithnjë e më shumë restorante që mund të maten me çdo lokal në Europë. Në periferi të Sarandës rrjeti gjerman i hoteleve Steigenberger po planifikon të ndërtojë një hotel. Gazeta gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» shkruante së fundi me ton pozitiv se bregdeti shqiptar është më pak i mbuluar me ndërtime se bregdeti i Malit të Zi. Por edhe kjo gazetë përmendte mungesën e aeroportit. «Në turizëm Shqipëria ka një potencial të madh», citohej Christoph Denk, përfaqësues në Shqipëri i Bankës Europiane për Zhvillim dhe Rindërtim.

Potenciali ekziston, por shteti ligjor mbetet ende jofunksional. Denk përmend problemet me pronësinë e tokës. Për një truall, sipas tij, mund të shfaqen deri në pesë pronarë. Para disa vitesh ndërmarrja e njohur hoteliere franceze Club Med deshi të ndërtojë një fshat turistik afër Sarandës. Ende pa u orientuar mirë në terren inxhinierët francezë u detyruan të ikin, sepse pronarë të vërtetë, të rrejshëm, manipulues dhe mashtrues u vërsulën me armë kundër investitorëve. A do të kalojnë edhe gjermanët e Steigenberger Hotel Group nëpër një përvojë të tillë? Për Shqipërinë do të ishte një goditje e rëndë.