Mundësia e fundit që Tsipras të vërë vendin para partisë

Ai është popullor në Greqi. Nëse ia merr mendja se mund të shpallë fitore në humbje, është punë për të




Dhe Alexis Tsipras dështoi. Dora e ligështuar është ligështuar edhe më shumë në kohën kur Greqia është izoluar më shumë se asnjëherë dhe ka dështuar ta ndërtojë frontin paneuropian të kundërshtimit të kursimeve, siç kishte premtuar në zgjedhjet e fundit. Asgjë nuk kanë sjellë pesë muaj negociata që të shkonin përkrah me retorikën e ashpër me të cilën erdhën në pushtet ai dhe partia e tij.

Por dështimi nuk është vetëm i kryeministrit grek. Paraardhësit e tij kishin dështuar gjithashtu, duke dalë secili në skenë për t’iu thënë votuesve të vërtetën kur ishin në opozitë dhe vuanin pasojat kur vinin në pushtet.

Krahasojeni depresionin në Greqi me pasuritë e Irlandës, Portugalisë dhe Spanjës që nga koha e krizës që plasi pesë vite më parë dhe çfarë do të shihni është se klasa politike greke në pushtet ka vënë para interesave të vendit ato të partisë, të cilat janë fitore vetëm në planin afatshkurtër. Por kur kanë nisur të publikohen detaje të marrëveshjes së re të propozuar, është e qartë se dështimi do të ketë efekte edhe më të gjera dhe nuk do të kufizohet vetëm brenda Greqisë. Politika e shkurtimeve buxhetore është aplikuar për shkak të presionit të kreditorëve, pranuar në vitin 2013. Kjo ka bërë që të thellohej edhe më shumë recesioni sesa që në të vërtetë do të duhej.

Tani duket se vetëm do të përshkallëzohet edhe më shumë. Për të gjitha dallimet e raportuara ndërmjet FMN-së dhe Komisionit Evropian është e qartë se taktikat e zotit Tsipras kanë bashkuar ndërmjetësuesit dhe i bashkuan ata në mënyrë specifike në mundësinë e tyre për ta shtyrë Greqinë edhe më shumë në drejtim të rrugës shkatërrimtare sesa që ishte më parë.

Vendosmëria e tyre për të injoruar shkallën e lartë të papunësisë së Greqisë, reflekton kolapsin pothuajse total të besimit prej mënyrës se si menaxhon qeverisjen Syriza e tij në muajt e fundit. Por kjo gjithashtu reflekton mosdurimin e theksuar të kreditorëve, por edhe të elektoratit grek, me sagën e pafund të krizës greke dhe dyshimin e tyre nëse do të ketë ndonjëherë strategji që do të aprovohet me seriozitet të plotë.

Me bankat greke që mezi po mbahen në këmbë, zhvillimet po shkojnë në drejtim të zgjidhjes, por jo sipas qejfit që ka pasur pala greke. Zoti Tsipras ende pretendon se ka shpresa, por kjo nuk është e vërtetë edhe kur vjen puna te mbështetësit e partisë së tij. Ka pasur raporte se brenda partisë së tij ka eksponentë që i kanë pritur me dyshime detajet e marrëveshjes. Nuk kanë qenë reagime vetëm të radikalëve. Përtej kësaj, ka një shqetësim të thellë dhe të arsyeshëm në përmasa të kufizuara në planin e fundit grek se duhet patjetër të bëhen reforma të thella strukturore në ekonominë greke.

Ka ardhur edhe njëherë koha kur topi është hedhur në palën greke. Por duke qenë se ka humbur kohë të çmuar gjatë javëve të fundit, Qeveria greke tani përballet me një gjendje urgjente. Tsipras i kishte varur shpresat e fundit te gjeopolitika – duke shpresuar se do të rriste frikën se do ta shtynte Greqinë në drejtim të orbitës së Vladimir Putinit të Rusisë dhe se do ta sfidonte edhe më shumë Ballkanin. Por edhe këto shqetësime kanë kufijtë e tyre: ato nuk do të ndikojnë në asnjë mënyrë në mesin e votuesve në Gjermani a tjetërkund, megjithëse shqetësimet do ta mbajnë zgjuar ende Angela Merkelin e Gjermanisë dhe Barack Obaman e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por kjo qasje nuk do të ndikojë fare te kreditorja tjetër, FMN.

Mundësitë fatkeqësisht ende duhet të fokusohen te dalja e palës greke nga eurozona. Kjo do të ishte shkatërrimtare për Greqinë, po aq edhe për mbarë Evropën. Nuk ka tjetër alternativë, por të shpresohet se gjatë ditëve të ardhshme kryeministri Tsipras do ta vendosë vendin sipër interesit partiak, me qëllim që të shmang një të ardhme të pakëndshme shkaku i një të kaluare të pakëndshme. A mund ta bëjë zoti Tsipras këtë ndryshim prej rolit të një studenti radikal në një burrështetas?

Ka shumë mundësi që të ketë ashpërsim të tonit – por ende ka shanse. «Syriza» dhe sistemi partiak grek janë në fluks. Ka njëmend kundërshtim të brendshëm te «Syriza» – por shumica e bazës së gjerë të elektoratit në vend janë në favor të mbetjes së vendit në eurozonë. «Pasoku», partia që dominon të majtën prej fundit të juntës ushtarake, ka pësuar rënie të madhe, duke lënë hapur rrugën që zoti Tsipras të dominojë këtë krah politik.

Pavarësisht prej të gjithave, ai vazhdon të mbetet popullor në vendin e tij. Nëse ia del me sukses të shënojë fitore prej humbjes, të ofrojë një marrëveshje para huadhënësve, dhe të mbajë zgjedhje me platformën e të majtës së qendrës diku kah vjeshta duke bërë fushatë bindëse, prapëseprapë mund të dalë kryelartë. Ata që në partinë e tij shpresojnë të ndërtojnë socializmin nëpërmjet rikthimit të drahmës do të mbesin anash, dhe Greqia përsëri do të jetë e zonja të mbetet brenda eurozonës, duke fituar me një shumicë të dëshiruar. Kjo do t’i lejonte popullit grek një mundësi për të hequr qafe këtë barrë të madhe psikologjike, që duket pafund, dhe të kenë kohë të stabilizojnë dhe forcojnë përsëri vendin dhe institucionet e shkatërruara politike të tij.

Me situata të ngjashme varet e ardhmja e Greqisë dhe mbase edhe ajo e vetë euros.

Autori është profesor i historisë në Universitetin e Columbias. Teksti u botua në «Financial Times»