Mundësi e rrallë për shërimin e plagës së Srebrenicës

Kaosi politik dhe tensionet etnike kërkojnë kohë për pajtim pas luftës në Bosnjë, shkruan «Financial Times»




Masakrimi i më shumë se shtatë mijë burrave dhe djemve boshnjakë në Srebrenicë ishte më shumë se krim i kryer në luftën që shkatërroi Bosnjë-Hercegovinën gjatë viteve 1992-95. Megjithatë, ishte dhe mbetet një lidhje e brishtë e llojit të vet. Për këtë arsye, 20-vjetori i masakrës së Srebrenicës meriton një përkujtim special, të lënë anash prej kaosit politik, vështirësive ekonomike, tensioneve etnike dhe armiqësive të mëdha për pushtet në Ballkan, që e bëjnë të kalojë goxha kohë para se të arrihet pajtimit pas luftës së Bosnjës.

Srebrenica ishte masakra më e madhe e kryer në Evropë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Tribunali Ndërkombëtar për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi dhe Gjykata e Drejtësisë kanë vendosur në vendime të ndara se vrasjet e kryera prej forcave të serbëve të Bosnjës përbënin gjenocid. Por është gjithashtu e vërtetë se masakra është dështim i turpshëm për parandalimin e saj, që edhe sot konsiderohet se vret ndërgjegjen e Kombeve të Bashkuara dhe të qeverive tona perëndimore, që ishin pjesë e luftës.

Pas punës së pandalshme për dy dekada me radhë, hetues, prokurorë e gjykatës në Tribunalin e luftës me seli në Hagë kanë dëgjuar më shumë se 1000 dëshmi për ngjarjet dhe i kanë përdorur për të siguruar dënime. Srebrenica ishte enklavë boshnjake (myslimanë të Bosnjës) në lindje të Bosnjës që ishte nën mbrojtje të Kombeve të Bashkuara, por forcat serbe të Bosnjës e morën kontrollin e saj në korrikun e vitit 1995. Prej 20 personave të akuzuar për krimet e kryera në Srebrenicë, dënime përfundimtare janë shqiptuar ndaj 15 individëve, dhe vetëm njëri prej tyre ishte shpallur i pafajshëm.

Kanë kaluar njëzetë vjet, por ende nuk është mësuar e vërteta e hidhur dhe e pikëlluar. Kjo ka bërë që qytetarët boshnjakë, kroatë dhe serbë të mos arrijnë të pajtohen për të vazhduar përpara me synimin e një të ardhme të përbashkët. Në vend të kësaj përfaqësuesit politikë të tri komuniteteve manipulojnë me dhimbjen dhe vuajtjen e së kaluarës për të betonuar mbështetjen në komunitetet e tyre dhe për të rritur pasurinë personale e fuqizuar pushtetin në kurriz të tyre. Mendësia e këtij vendi ka ngecur në vitet nëntëdhjetë kur dominonte dhuna, por shumëkush thotë se është qasja manipuluese e politikës që e ka shndërruar Bosnjën në shtetin më jonfunksional të Europës. Kjo formë e qeverisjes është rezultat i marrëveshjes së Daytonit të arritur në nëntorin e vitit 1995, e cila parashikoi ndarjen e pushteteve në mënyrë të ndërlikuar nëpërmjet tri komuniteteve, saqë edhe në kohë paqe po mbisundon paraliza politike.

Në parim, Bosnja ka «të ardhme evropiane», një perspektivë që mori shtytje në mars kur qeveritë e vendeve të Bashkimit Evropian i dhanë Bosnjës mundësinë që të futet Bosnja në rrugën drejt anëtarësimit në bllokun prej 28 shteteve. Në praktikë, kjo duket një perspektivë e largët, sepse thënë thjesht, shteti boshnjak nuk funksionon. Në raportin e tij të fundit për Bosnjën, Komisioni Evropian thekson se «nuk është arritur përparim i prekshëm» në themelimin e institucioneve funksionale.

Problemet përfshijnë edhe përpjekjet e pasuksesshme të Bosnjës për të ndërtuar një ekonomie tregu, shkalla e lartë e papunësisë dhe paaftësia për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, përfshirë trafikimin e qenieve njerëzore dhe të drogës. Nuk është më e mirë as gjendja e mediave, që është e polarizuar në baza politike dhe etnike. Si në rastin e Kosovës, BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara mbartin një pjesë të fajit, sepse mbikëqyrja prej tyre e shtetit boshnjak ka lejuar që shteti të shndërrohet në vrimë të zezë të Ballkanit, ani pse nuk ka rrezik të menjëhershëm për shpërthim të luftës.

Trendet e fundit e bëjnë këtë qasje të padurueshme. Destabilizimi i përgjithshëm nis prej Greqisë, që po përballet me rrezikun e daljes nga eurozona për shkak të flirteve të saj; në Maqedoni, ku dhuna etnike dhe politike shpërtheu në maj; në Kosovë, një shtet që është më pak i çmuar tani se sa kur e fitoi pavarësinë më 2008 me përkrahje të perëndimit; dhe deri në Serbi e Bosnjë-Hercegovinë. Secili vend fajëson fqinjët për telashet e veta të brendshme: tensionet etnike shqiptare në Maqedoni nxisin kundërpërgjigje në Kosovë, që në këmbim reflekton me efekte të debateve politike në Serbi, që pastaj merret me belatë e kohës së luftës në Bosnjë, për shkak të të dyshuarve për krime lufte.

Shumica e vendeve të Ballkanit janë shtete joefikase ose të brishta që po e kanë të vështirë të zgjidhin sfidat e tilla si vërshimi i emigrantëve që kanë origjinë prej shteteve jashtë Evropës. Ky është problem për BE-në, jo vetëm për Ballkanin. Duke zgjatur kufijtë e jashtëm të bllokut deri në Bosnjë, hyrja e Kroacisë në BE më 2013 ka bërë që brishtësia e shtetit të Bosnjës të ndikojë me rritje të emigrantëve që hyjnë në BE. Më shumë se 60 mijë emigrantë kanë kaluar sivjet nëpërmjet Serbisë në Hungari në BE, një shifër shumë më e lartë se numri i emigrantëve ilegalë që hyjnë nëpërmjet brigjeve italiane.

Për qeveritë perëndimore një kokëdhembje shtesë është se Rusia po kërkon të fuqizojë praninë ushtarake, diplomatike dhe ekonomike në Ballkan. Përvjetori i Srebrenicës është mundësi që Perëndimi të rivë në jetë zotimin e tij për pajtim, liri, prosperitet dhe stabilitet në rajon.