Muaji i «Red-Bull»-it – ose lufta e civilizimeve

Ja, si çdo vit, po afrohet koha e «sezonit të verës», kohës së ballafaqimit të civilizimit iliro-pellazgo-dardan me atë iliro-pellazgo-dardano-europiano-perëndimor.

Foto: Shutterstock



Ah, ç’do kënaqemi edhe sivjet. Iphonat e Samsungat gati, restorantet e dasmave të rezervuara, fustanet të blemë, thikat për aktin e synetisë të mprehura, vetëm edhe patatet, «pleskavicat» edhe qoftet tî hedhim në vaj e mbi skarë dhe vera 2018 mirë se na vjen! Dikush edhe mund të thotë: «Jo, nuk është aq e lehtë kjo punë» – ama tash e shpjegoj se pse bash kështu është.

Pa e hallakatur sërish historinë, ta marrim faktiken: një pjesë e dardanëve ilirë jetën e tyre nuk e kalojnë në Kosovë. Në vendet ku rrinë e punojnë (ata që punojnë, se ka edhe që s’punojnë dhe e dredhin zinxhirin) i nënshtrohen rregullave kryesisht të forta të shtetit, si për shembull: të mos parakalojnë me veturë aty ku s’duhet, mos të lëshojnë muzikën deri në kupë të qiellit, mos t’i lajnë tepihët në rrugë se ju vjen «reknungi» (fatura, gjoba) me postier. Po shaci e di këngën: «Na vjen dita edhe neve, se nuk bën gjithmonë me vujtë» – dhe si me orë biologjike rreth datës pesë korrik te çdo viti i kujtohet kjo këngë, ky është himni përgatitor për pushimet aty, ku ai mendon që ligji ashtë si llastiki i Lladrovcit.

Pak para nisjes, kur fillon ta lajë veturën e tij, mendon në heshtje: «Ah, ta kisha la kredinë qysh po e laj këtë kerr cërrca vërrca». Nuk e lodh edhe shumë gjatë ky mendim e i fut valixhet n’kerr si mos ma keq, u bërtet fëmijëve dhe i urdhëron të sillen «me kulturë» në Kosovë («O bab, çka i bie me u sjellë me kulture?» – «Mos me bërtitë, mos me folë shumë, mos m’u përla me vllaznit e tu e mos me folë gjermanisht, hesh vershtande?!»)

Më në fund, niset dhe gëzohet që po shkon atje me kerrin e tij t’shtrejt. Shyqyr, 3-4 javë, me iu dukë vetja «Schumacher», e muzikën jo n’kup t’qielles me e l’shue, po me e marre vesh jo veç krejt mahalla, po edhe pjesa tjetër e qytetit. Dhe në përgjithësi mos të harrojmë edhe «Red-Bull»-in, «pantollat» e bardha, qaforet e arit me shqiponja, maicat pa krah dhe lëkura e djegur nëpër solariumet e Europës. Në të njëjtën kohë, rezidentet bëjnë përgatitjet e fundit të pritjes.

Pas kalimit të shumë kilometrave, vjen momenti i hyrjes në Kosovë. Tash një eksperiencë personale: spikat dashuria e jashtëzakonshme e policit kufitar gjithmonë me stilin e njëjtë: «A erdhët pak a?» – Duke i shfletu pasaportat e duke e përdorë kompjuterin me dy gishta, të kthehet: «A je ti Pllumbi?» (Vetmeveti: Jo jam Muharremi prej Golemi). «Po, bash qaj Pllumbi jam», ia kthej, duke shpresu që po e kupton edhe çudinë, edhe ironinë. «Vallai bash si Pllumb kuke» (Haj medet haj, çka more me iu përgjigj?!) «Këqyre Pllumb, te qajo baraka qatje shko bane sigurimin për kerrin.» – Me thanë të drejtën, s’po du hiç me i hi thellë punës së sigurimeve se unë e di, që veç çka acarohem ma shumë, duke e ditë që veç vidhen ato pare. Kjo situatë e shkeputune personale ndodhë me siguri me të gjithë, që futën në Kosovë me veturë.

Pasi futet në Kosovë, duke i shmang gropat që hala i njeh përmend’sh (pse more nuk iu bie ndërmend me ato paret e siguracionit me i rregullue pak këto rrugë?!) arrin në qytetin e tij iliro-dardano-perëndimor. E ka zakon pak para se me arritë me i ra borisë, që me e përcjellë xhungëllizmin e tij edhe me akustikë. Pas hipokrizinave të para (njani ban që kishe gëzohet me e pa tjetrin e vice versa) të takimit dhe pyetjeve se «a ma mirë k’tu, a atje?» dhe «sa keni me nejtë» (prit o vlla njëherë ta bëj çiçin para se me mendue se kur po kthehem) perëndimori nga shqiptaro-iliro-dardanet duhet me u qajt pak e me u ankue, se sa keq e trajtunë në kufi «ton’t», e sa ma mirë e kanë trajtue të tjeret, bile edhe serbët.

Iliro-dardanet rezidentë në Kosovë tuj i dëgjue, vetmeveti, thonë: «O, boll po ankohmi na, tash edhe ankesat e juve a, çokollatat ku janë, qitni çokollatat!» E bash çështja e ankesave është edhe përcjellësja më e përshtatshme e shpjegimit të marrëdhanieve rezident-perëndimor. Tuj u ankue për njani-tjetrin kalojnë 3-4 javët e verës.

«Kqyre shaci qysh e parkon kerrin përmbi trotoar, a guxon me ba kështu në vendin e tij shaci?!» nga njëra anë dhe «Pse more v’lla bash tash që erdha për pushime vini edhe ju kishe me i rregullue dokumentat e bani guzhëm n’këtë zheg?! Pse nuk i banet n’maj, a n’qershor?!» në anën tjetër janë prototipet e ankesave iliro-dardane-perëndimore.

Stresi i vërtetë janë dasmat e panumërta, synetitë dhe fejesat natë për nate. Sa herë janë marrë karta urimi gabim. Në fejesën e Rinor Berishës me Arbenitën, për shembull, familja e Rinorit e ka marrë kartën me tekstin: «Familja e madhe Rexhepi, për synetinë e djalit tuaj Arbenit ju urojmë qdo (ç-ja ne Kosovë thuj se ka lanë shpirt) të mirë».

A kanë faj, a jo? Po si me pasë faj, e humb njeri orientimin n’atë tollovi remix-i te dasmave, synetive dhe fejesave. E s’po i hi tash edhe atyre momenteve të «na kanë ulë te muzika, me tulifar njeri» se fillon ajo spiralja e pafundme. Me thanë të drejtën, ma qesharak janë ata, që ankohen për muzikën: «Ja dhashë 20 Euro (ia ka dhanë 5, ama e rritë shqipja vlerën kur t’i konvenon) e as s’ma knoi kangën, as nuk e dha përshëndetjen!» A e merrni parasysh çka vuajnë këngëtaret me i deshifru tekstet e shqiptarit, sikur janë shkrue me kamë, e jo me dorë.

E kështu, me acarim e jo pushim, me nervozë e jo hare, me përbuzje dhe shume pak respekt i kalojnë ditët perëndimoret në Kosovë. Një numër shumë i madh i tyre qëndrimin e tyre në perëndim e përkthejnë në arrogancë në Kosovë. Venalitë çdo vit e ma pak po tregojnë durim për atë arrogancë. Bëhet përshtypja, sikur dallojnë rezidentet me pushuesit. Në fakt, një brumë janë. E që janë një brumë, kanë mangësitë e përbashkëta. Mungesë të edukatës bazë, të edukatës kulturore. Mungesë të durimit. Gjaknxehtësi të skajshme dhe ndjenja superioriteti qesharake ndaj tjetrit. Të dyja palët duhet ta kenë parasysh, që as njëra anë, as tjetra nuk kanë avantazh. Është për keqardhje, që ato pak ditë nuk i shfrytëzojmë bashkë për të kalu sa ma mirë. Ja një shembull, se çka mundet me u ba në një mbrëmje vere gushti: përzgjidhet naj vend në mëhallë, dikush sjell do fli, dikush do byrek me mish, dikush do trileçe, naj familje do bakllavë, naj «ausllander» i blen pijet, naj «ausllander» tjetër e gjen naj grup të rish që bajnë muzikë me kitarë, klarinet dhe harmonikë, e me nejtë bashkë, me knue, me qeshë, me vallzue. Boll ma me konflikte t’kota. Dhe në fund çka desha të them: ky tekst është shkruar gegnisht e toskësisht për të plotësuar krejt koloritin gjuhësor nga Saranda në Suharekë dhe nga Kurveleshi në Kamenicë.