«Muaji i Beogradit në Prishtinë» përmbyllet me koncert intim

Kantautorja serbe, Ana Qurçin, i është kthyer Prishtinës gati pas një viti. Në një ambient jo fort të madh ka mbledhur disa të rinj ku për afro një orë ka kënduar këngët me tekste të veta.




Në shoqërimin e Marko Cvetkoviqit në bas-kitarë, Luka Slaviqit në miksetë e Goran Grubishiqit në tupana, Qurçin gjatë gjithë kohës sa ka këndur, ka luajtur edhe në kitarë. Këngët e saj «Alone» e «Keep quiet», të cilat i ka kënduar gjatë mbrëmjes, janë tipike të stilit të saj muzikor indie-rock dhe folkut amerikan.

Qurçin, që njihet për një zë specifik, gjatë gjithë kohës ka argëtuar të pranishmit me këngët që do të jenë pjesë e albumit të saj debutues i cili pritet të dalë në treg në vjeshtën e vonë të këtij viti. Këngëtarja nga Beogradi ka performuar të mërkurën mbrëma në Prishtinë në kuadër të «Muajit të Beogradit në Prishtinë», që është organizuar nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd dhe Qendra Liberal – Demokrate në Prishtinë.

Aktiviteti me moton «Intercultural Icebreakers» (Thyerja e akullit ndërkulturor), është mbyllur me performancën e Qurçinit, e cila e ka nisur aktivitetin e vet muzikor në dhjetor të vitit 2012, ku pos turneve nëpër vendet ballkanike është prezantuar edhe në Austri, Itali, Zvicër e Rusi. Këngët «Unknown» dhe «Silence» kanë qenë pjesë e «menysë» së Qurçinit për Prishtinën. Edhe pse numri i atyre që kanë përcjellë koncertin nuk ka qenë i madh, ajo ka arritur të tërheqë goxha vëmendje.

«Zëri i saj është madhështor. Ndoshta më duket kështu sepse e pëlqej këtë lloj muzike, por me të vërtetë ishte tejet tërheqëse», ka thënë Merita Gashi, studente e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës. Për qëllimin e organizimit ku pretendohet që të thyhen barrierat kulturore midis Serbisë dhe Kosovës, Gashi ka thënë se në art nuk duhet të ketë kufij të tillë.

«Arti është diçka të cilit nuk i pëlqejnë apo, thënë më mirë, nuk i njeh kufijtë», ka thënë ajo.

E vetë Qurçin pas koncertit ka treguar se këngët me të cilat është prezantuar në Prishtinë e shoqërojnë atë në të gjitha koncertet.

«Ndihem mirë që jam në Prishtinë. Atmosfera ishte dinamike», ka thënë këngëtarja. Nismat për të bashkuar artistët serbë me ata shqiptarë i konsideron si një hap të madh drejt së ardhmes.

«Nuk di të them diçka sa i përket asaj se a duhet harruar e kaluara, por e di që duhet ta pranojmë njëri-tjetrin dhe të bashkëpunojmë», ka thënë Qurçin. Sipas saj, zhvillimi i marrëdhënieve të mira midis dy popujve e sidomos kur ata janë fqinjë është shumë i rëndësishëm.

«Është diçka speciale për mua të performoj në Prishtinë dhe muzika nuk ka ndonjë kufi. Kjo është qasja me të cilën duhet t’u hyjmë këtyre punëve. E vlerësoj faktin se mund ta bëjmë këtë», ka thënë ajo, teksa ka shtuar se ka dëshirë të kthehet në Prishtinë.

«Më duket pranohem mirë këtu. Kjo është mënyra nëpërmjet së cilës duhet t’i ofrohemi njëri-tjetrit», ka thënë Qurçin e cila do të jetë mjaft aktive me koncerte në pjesën e mbetur të vitit.

Granit Gashi, koordinator i projektit «Muaji i Beogradit në Prishtinë» ka thënë se tendenca është që të krijohet një festival vjetor ku artistët e Serbisë e të Kosovës të shkëmbejnë përvojat e tyre.

«Qëllimi është të përkrahim artistët e rinj që të krijojnë së bashku sikur ata të Kosovës dhe ata të Serbisë. Tendenca është që artistët të kenë përvoja të përbashkëta dhe të kthehen lidhjet e vjetra», ka thënë ai. Sipas Gashit, edhe pse është viti i parë i organizimit, pak a shumë ia kanë arritur qëllimit.

«Gjithçka ka shkuar pa asnjë incident, edhe pse kemi pasur frikë. Jo për shkak të ndonjë sulmi eventual, por për shkak të marrëveshjeve të fundit dhe tensionimit të situatës», ka thënë Gashi. «Muaji i Beogradit në Prishtinë» ishte hapur në fund të gushtit me filmin «Nije dete» të regjisorit Vuk Rshumoviq për të vazhduar me debatin «Poezia e grave dhe vlerat patriarkale në Serbi dhe Kosovë». Pos ekspozitave, ishin organizuar edhe tribunat si «Migrimet dhe kultura», «Jugosllavia si histori – rasti i Kosovës». Po ashtu është shfaqur filmi «Rabbitland» me regji të Ana Nedeljkoviqit dhe Nikola Majdakut. Me «Muajin e Beogradit në Prishtinë» artistët serbë kanë sjellë një mozaik të kulturës dy muaj pasi këtë e kishin bërë artistët kosovarë në kryeqytetin serb. Në «Muajin e Prishtinës në Beograd», pos filmit «Ballkoni» me regji të Lendita Zeqirajt, publiku kishte pasur mundësinë të shihte edhe filmin «Të mjerët», nën regji të Genc Berishës. Gjatë qershorit ishin treguar aspekte të ndryshme të kulturës kosovare në Beograd. Ishin hapur ekspozita dhe ishin mbajtur performanca përderisa ishte përmbyllur me koncertin e Shpat Dedës.