«Mshoj gjanarski jarani jem»

Rasti i komunës së Lipjanit dhe ish-kryetarit të komunës Shukri Buja: lajme të reja mbi mënyrën se si e plaçkit Kosovën banda politike e Partisë Demokratike të Kosovës. Kush e mbështet këtë parti me vetëdije rreshtohet me brigadat e krimit të organizuar.

Foto: Shutterstock



Televizioni «KTV» sonte ka publikuar detaje nga mesazhet telefonike që kanë shkëmbyer vite më parë Shukri Buja dhe Fahri Retkoceri. Muhabet mes dhëndrit dhe mikut. Muhabet familjar. Muhabet për hallet e përditshme. Për Kosovën dhe të ardhmen e saj europiane. Kështu mund të mendojnë militantët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Në fakt bëhet fjalë edhe për një krim që dyshohet ta kenë kryer krerët rajonalë të PDK-së, një grupi kriminal të organizuar mirë, i cili gati dy dekada pas luftës, pas çlirimit të Kosovës, po bën bilancin e plaçkitjes.

Buja si kryetar komune atëbotë po fliste me mikun e tij Fahri Retkoceri. Flisnin e bënin llaf për një leje për ndërtim të një kompleksi banesor. Në këtë kontekst, kur puna ndërlikohet, sepse kishin ndërhyrë inspektorët komunalë, Retkoceri i ngërmohet dhëndrit: «Mshoj gjanarski jarani jem». Përkthyer në gjuhë të kuptueshme kjo domethënë: kryeje këtë punë pamëshirshëm, godit si xhandar. Në historinë e përgjakshme shqiptare xhandari është simbol i arbitraritetit, i dhunës mizore shtetërore të Serbisë që nga viti 1912. Në vitin 1936 poeti Esad Mekuli kështu e përshkruante dhunën e xhandarëve mbi shqiptarët: «Rr’xoju qiell, i randë si tunxhi, mbi supet tanë të shtypun, / mbi krenat tona robnije e ûje përulë; / hapu, moj tokë e zezë, nën kambët dathë tonat – / përpij këto qenie që porezi dhe gurbeti i shkatërroi / dhe kërbaçi i xhandarit që me shikim anmiku tmerron / dhe ciatja e fëmisë së mjerë që pa bukë ankon…».

«Mshoj gjanarski jarani jem» – kjo është gjuha me të cilën i shoqërojnë veprimet e tyre plaçkitëse politikanët e PDK-së. Ja ku jemi në vitin 2017: politikanë të PDK-së në fushatën e tyre gllabëruese si modele orientimi i kanë xhandarët e Serbisë. Për fat të keq Kosova nuk ka më poetë si Esad Mekuli, i cili në rrethana edhe më të vështira nuk frikësohej dhe godiste regjimin kriminal të Beogradit.

Bashkë me Bujën dhe Retkocerin janë akuzuar edhe pesë ish-zyrtarë të komunës së Lipjanit. Bëhet fjalë për marrje ryshfeti, keqpërdorim të detyrës, shkelje ligjore dhe procedurale. Aktakuza po publikohet në kohën kur kreu i PDK-së me lajme të rrejshme po përpiqet t’i paraqitet opinionit si alternativë për kryeministër të ardhshëm të Kosovës dhe kanakarët e tij po mashtrojnë opinionin duke fantazuar për një takim të pandodhur me presidentin amerikan dhe zëvendësin e tij.

Telefonatat e Bujës me mikun e tij janë edhe një dëshmi se cili është modeli qeverisës i PDK-së. Nga ky model Kosova po vuan qe gati dy dekada – është modeli i cubnisë, që i bie në qafë një shoqërie, e kërcënon, e vret rivalin politik, e plaçkit pronën publike, krijon qelbësira mediale. Meqë po flitet aq shumë për zgjedhje, pasi që LDK s’ka mbetur më as patericë, para qytetarëve të Kosovës krerët e PDK-së përsëri do të dalin me premtime të mëdha, me fotografi me Donald Trumpin dhe me Robert Mugaben, por në Kosovë duhet të jetë e qartë për çdokënd: kush e mbështet këtë parti me vetëdije rreshtohet me brigadat e krimit të organizuar. Këta do ta plaçkitin Kosovën si xhandarë, si milicë, si cuba nëse shoqëria kosovare nuk zgjohet nga apatia. «Mshoj gjanarski jarani jem». Po, ky do të jetë sllogani i PDK-së në fushatën e ardhshme elektorale. E kënga? «Vetëm lopët më të marra i zgjedhin vetë kasapët e tyre».