MSH-ja mëton funksionalizimin e kardiokirurgjisë me dy kirurgë e pesë specializantë

Pjesa e parë e tetorit do të mund ta gjejë Klinikën e Kardiokirurgjisë me dy kardiokirurgë të gatshëm për të kryer ndërhyrje te pacientët.




Që nga muaji prill klinika e kardiokirurgjisë ka qenë jashtë funskionit për pacientët. Megjithatë pas shumë përpjekjeve të Ministrisë së Shëndetësisë, ishte vet ministri i cili ditë më parë paralajmëroi se muaji tetor do të jetë muaji kur kjo klinikë do të mund të fillojë punën.

Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë thonë se kanë siguruar dy kardiokirurgë, të cilët do të fillojnë punën në këtë klinikë me orar të plotë.

Ata së bashku me specializantët e kësaj klinike, sipas zëvendësministrit të shëndetësisë, Izet Sadiku, do të ofrojnë shërbim 24 orësh në kardiokirurgji.

Por, drejtori i SHSKUK-së, Curr Gjocaj, thotë se përveç paralajmërimeve, atij deri tash nuk i ka arritur asnjë plan konkret nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Për Shoqatën, e cila merret me të drejtat e pacientëve në Kosovë, mosofrimi i këtij shërbimi ka dëmtuar shumë pacientët. Për më tepër, ata janë skpetikë se kjo klinikë do të fillojë punën ashtu siç është premtuar.

Në prill të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë kishte formuar këshillin për ta funksionalizuar këtë shërbim të rëndësishëm të QKUK-së.

Pas analizave dhe vlerësimeve të bëra gjatë tërë këtyre muajve, ky këshill ka ardhur në përfundim se klinika ka mjaftueshëm staf të mesëm dhe qëndron mirë me pajisjet teknike për të filluar punën.