Mrekullitë e Rrugës së Keqe

Viamala (Rruga e Keqe) - kështu e quanin romakët udhën që përmes Zvicrës e lidhte botën latine me atë gjermane. Kjo rrugë edhe sot është një spektakël natyror.




Pak gjëra e kanë habitur Friedrich Nietzschen. Si filozof ai ka gjurmuar në humnerat e mendjes njerëzore dhe ka fluturuar në sfera qiellore. Por kur Nietzsche kaloi më 1872 nëpër Viamala, nëpër Rrugën e Keqe (në Zvicrën juglindore), ai mbeti pa fjalë: «E ndjej madhështinë e zbehtë të Viamalas si pasqyrim të karakterit tim». Pastaj: «Nuk shkruaj mbi madhështinë e jashtëzakonshme të Viamala. Më duket sikur nuk e paskam njohur fare Zvicrën». Viamala është një monument jo vetëm i natyrës, por edhe i historisë. Ajo që në kohën e romakëve përbënte një lidhje të rëndësishme mes botës latine dhe asaj gjermane. «Këtu vdes çdo shpresë», shkroi autorja gjermane Friederike Brun më 1794, pasi kaloi Viamalan.

Dikur Viamala ishte një rrugë përmes së cilës transportohej mall nga veriu në jug dhe anasjelltas – dhe bashkë me mallin shkëmbeheshin edhe idetë mes veriut të ftohtë, racional dhe jugut qejfli, elegant. Viamala sot është një simbol i historisë së civilizimit, një rrugë e rregulluar me shije për shtegtarë, miq të natyrës, të bjeshkës dhe alpeve. Formacione të hatashme shkëmbinjsh, gryka të thella, humnera, lumi i Rajnës (Rhein), valë uji që shndërrohen në shkumë, ura për këmbësorë dhe ura për automjete – te gjitha këto dominojnë këtë pjesë të Zvicrës.

Në fund të shekullit të ’19 banorët e fshatrave përgjatë Viamala filluan të shqetësoheshin për të ardhmen e tyre: tani udhëtarët nuk po kalonin më këndej për të shkuar në Itali, por me hapjen e tunelit të Gotthardit ata zinin vend në tren në Zvicrën qendrore dhe kalonin alpet, duke dalë në Tiçino, kantoni italishtfolës i Zvicrës që gjendet para portave të Milanos. Kështu hekurudha ia mori famën rrugës komerciale, siç quhej ndryshe Viamala.

Sot Viamala është e popullarizuar sidomos në mesin e turistëve jo vetëm nga Zvicra. Shtegu fillon nga stacioni i trenit në Thusis dhe kalon mbi një urë të varur (Traversinersteg) për të vazhduar drejt fshatit Zillis, ku gjendet një kishë protestante (St. Martin). Pas një vizite në kishën e famshme për shkak të pikturave të vendosura në tavanin e saj, rruga vazhdon për në Andeer, ku gjendet një pishinë termale. Pas gati 18 kilometra rrugë (6 orë) hedhja në ujin termal lirisht mund të ngatërrohet me parajsën.

Duke notuar njeriu për pak mund të harrojë edhe disa fakte të tjera të Viamala: nga shekulli ’14 deri në shekullin e ’19 nëpër këtë rrugë, çdo javë, kalonte «Lindauer Bote» (ose italisht: Corriere di Lindo), një shërbim transporti mes qytetit Lindau në Gjermaninë jugore dhe Milanos, metropolit të Italisë veriore. Aristokratë, tregtarë, teologë, udhëtarë dhe ushtri e kanë shfrytëzuar këtë rrugë për të kapërcyer alpet. Rruga prej 325 kilometrash nuk ishte pa rreziqe, sidomos Viamala. Para se të hapej tuneli i Gotthardit në Thusis prisnin deri në 400 kuaj për të transportuar njerëz dhe mallra nëpër Viamala.