Mrekullia kosovare: 320 mijë vende pune!

Si po tallen me popullin e varfër të Kosovës Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Isa Mustafa? Shënime për një parodi kosovare, ku hapja e zadrugave me prodhime të Serbisë festohet si sukses i qeverisë. Ndërkohë çdo i pesti kosovar jeton në varfëri ekstreme – me 0,94 centë në ditë.

Foto: Shutterstock



200 mijë vende të punës! Me PDK-në kjo është e mundshme, premtonte Hashim Thaçi në pranverën e vitit 2014. Kjo mrekulli do të arrihej me krijimin e Fondit të Punësimit në vlerë prej 1,5 miliardë euro. Mbllaçitësi i «Misionit të ri» brohoriste: «Nëse keni një ide dhe dëshironi ta realizoni atë në realitet, Fondi i ri i Punësimit është në dispozicionin tuaj. Nëse e keni një biznes të ri dhe dëshironi ta zgjeroni, të rrisni numrin e të punësuarve, fondi i ri i punësimit do të jetë aty për ju që t’i jetësoni synimet dhe planet tuaja».

Pak më modeste tregohej Lidhja Demokratike e Kosovës. Në pranverën e vitit 2014 Isa Mustafa dhe vartësit e tij premtonin se ekonomia do të jetë «shtylla kryesore» nëse kjo parti do t’i fitonte zgjedhjet. Do ta ndërrojmë komplet modelin e qeverisjes, vazhdonte LDK.

«LDK planifikon t’i krijojë 120 mijë vende pune në mandatin e parë vetëm në zinxhirin prodhim-përpunim-shitje të produkteve bujqësore. Programi qeverisës i këtij subjekti politik është përgatitur me ndihmën e një grupi të madh ekspertësh prej 70 vetash, kryesisht profesorë universitarë, analistë, por edhe njerëz nga biznesi, shoqëria civile, institutet shkencore në vend dhe jashtë», kështu raportonte gazeta «Zëri» në maj të vitit 2014 nga një tubim elektoral i LDK-së.

Jemi në fund të vitit 2016, në prag të festave të fundvitit, dhe mrekullia ekonomike kosovare ka ndodhur: dy partitë e mëdha kanë hapur 320 mijë vende të punës. Papunësia po i afrohet 1 përqindëshit. Sot kryeministri i Kosovës mori pjesë në hapjen e një zadruge në Ferizaj. Zadruga është pronë e zëvendësit të kryeministrit, i njohur si importues i mallrave nga Serbia, një shtet ende armiqësor ndaj Kosovës, një fqinj që për çdo ditë saboton shtetin e Kosovës, një shtet që nxit serbët e veriut të ndërtojnë mure dhe të kufizojnë lirinë e lëvizjes.

Ngado që shikon: mrekulli ekonomike. Brezovica, siç ka premtuar Hashim Thaçi, është në rrugë të mbarë për t’u bërë qendra më e rëndësishme e sporteve dimërore dhe verore në Ballkan. Harrojeni Banskon e Bullgarisë. Jahorinën e Bosnjës. Mavrovën e Maqedonisë. Davosin e Zvicrës. Nejse. Investitorët francezë të paralajmëruar me daulle nga Thaçi i ranë pishman, u tërhoqën. Por këto janë detaje të parëndësishme. Brezovica po bëhet, Mitrovica me mur po bëhet, Kosova po bëhet.

Në vallen e hapjes së vendeve të punës nuk mungon as shefi i cirkut politik Kadri Veseli. Investon një person privat në një fabrikë të brumërave, por me gërshërë për të prerë shiritin menjëherë shfaqet kryetari i PDK-së. Nuk mungon Veseli as në përurimin e një fabrike të një të akuzuari për uzurpim, siç kanë zbuluar gazetarët hulumtues. Nuk ngurron kryetari i Kuvendit të nënshkruajë edhe «memorandume mirëkuptimi» me kompani të dyshuara për përvetësim aksionesh. Në rolin e kadiut dhe babadimrit ai u ka premtuar futbollistëve të ekipit kombëtar të futbollit të Kosovës shpërblim prej 100 mijë euro për secilin në rast kualifikimi për Botërorin e ardhshëm, i cili do të mbahet në Rusi. Dhe kosovarët mund të shohin ëndrra: në vitin 2018 në tribunën e stadiumit të futbollit kryeministri Kadri Veseli afër presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij amerikan Donald Trump. Kosova ka shumë George Washingtona.

Të zbresim në tokë: ndotja e ajrit në Prishtinë dhe rrethinë është e rrezikshme, sipas matjeve të ambasadës amerikane. Termocentralet e Obiliqit, veturat e vjetra, mungesa e kujdesit ndaj ambientit po helmojnë ajrin. Çdo i pesti kosovar, sipas Kombeve të Bashkuara, jeton në varfëri ekstreme (me 0.94 centë në ditë). 45 për qind e kosovarëve jetojnë në varfëri absolute (më pak se 1,42 euro në ditë). 16 për qind të fëmijëve u mungon ushqimi adekuat, andaj kjo mangësi lë pasoja në rritjen e tyre. Se ku kanë përfunduar nxënësit kosovarë në testin e PISA nuk duhet humbur shumë fjalë – për këtë është diskutuar shumë këto ditë. Sipas Bankës Botërore më shumë se 35 për qind e të rinjve të moshës 15 dhe 24 vjeçare nuk shkojnë as në shkollë, as nuk kanë vende pune. Të dhënat janë nga viti 2015, por mrekullia nuk ka ndodhur ndërkohë, andaj pak e a shumë gjendja është e njëjtë edhe në vitin 2016. Ekspertët ndërkombëtarë vlerësojnë se për të përgjysmuar numrin e të varfërve në Kosovë deri në vitin 2020 kërkohet një rritje e prodhimit të brendshëm bruto për 7 për qind në vit – dhe investime prej së paku 1,5 miliardë euro po ashtu çdo vit.

Këtë do ta arrijmë deri më 2018. Vetëm t’i lëmë të punojnë Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Isa Mustafa. Së shpejti do të hapet edhe një fabrikë e gërshërëve: në Kosovë po hapen aq shumë fabrika, saqë kohëve të fundit është shënuar mungesë e kësaj vegle të rëndësishme për lumturimin e popullit. Mirupafshim në hapjen e zadrugës së ardhshme me prodhime të Serbisë.