Motoja britanike: pas meje kiameti u bëftë!

Nëse nuk jeni investor i sofistikuar, është mirë që këtë javë të qëndroni pak në distancë nga tregjet financiare.

Foto: Shutterstock

Latinët e kanë lënë këtë fjalë: post me, diluvium. E parafrazuar kjo fjali në shqip domethënë: pas meje kiameti u bëftë! Kaloi një fundjavë pas vendimit të votuesve të Britanisë së Madhe të dalin nga BE. Është e qartë se Britania ende është pjesë e BE-së, mirëpo tani implikimet e Brexitit po vërehen edhe në tregjet financiare. Edhe pse tanimë është krijuar një opozitë në Britani, e cila fuqimisht kërkon një referendum të ri ose bllokimin e daljes nga BE në parlament, Brexit duket se është punë e kryer. Në të vërtetë referendumi britanik ka vetëm karakter konsultativ, por rezultati i tij vështirë mund të injorohet nga politikanët. Çfarë është bërë, nuk zhbëhet.

Çfarë e komplikon edhe më shumë situatën e krijuar është dorëheqja e 11 anëtarëve të kabinetit në hije të laburistëve. Pas dorëheqjes së kryeministrit David Cameron, tani nën presion gjendet edhe shefi i laburistëve Jeremy Corby. Brenda partisë po shtohen zërat për rrëzimin e tij nga froni partiak. Në të dy partitë e mëdha, te konservatorët dhe te laburistët, pritet të zgjidhen udhëheqës të rinj, një rast unik në historinë moderne të Britanisë së Madhe.

Tregjet financiare europiane sot vazhdojnë spiralen e tatëpjetës dhe më të dëmtuarit nga Brexiti janë titujt e instituteve të mëdha financiare. Në bankat globale nga Europa kontinentale janë shënuar këto rënie: Credit Suisse (-10%), UBS (-6.8%), DB (-9.2%), Intesa Sanpaolo (-8%), BNP Paribas (-6%). Bankat britanike janë goditur poashtu deri në mesditë: Barclays (-15%), RBS (-16%), Lloyds (-9%). Pritet që edhe tregu amerikan të hapet me trend negativ. Vetëm indeksi britanik FTSE ka pësuar një humbje prej afro 87 miliardë funta në këto dy ditët e fundit. Paniku pas Brexitit ka ndikuar në humbje globale deri në tre trilionë dollarë amerikanë!

Rënia e funtës britanike ende nuk ka prekur fundin. Kjo valutë vazhdon të dobësohet në krahasim me të gjitha valutat e mëdha (-1.6% në 1.321 kundër dollarit amerikan). Kjo javë do të jetë e ngarkuar me një volatilitet tejet të lartë posaçërisht në tregjet e valutave, të stoqeve si dhe të kamatave në valutat e rëndesishme si dollari amerikan dhe euro. Nëse nuk jeni investor i sofistikuar, është mirë që këtë javë të qëndroni pak në distancë nga tregjet financiare.