Mosnjohja nga Vatikani: problemi nuk është në Prishtinë

Vatikani e njeh Palestinën si shtet dhe jo Kosovën. Kjo është hipokrizi e dinjitarëve të lartë katolikë. Por, befasi nuk është, sepse Vatikani i ka parasysh interesat e veta: më e rëndësishme është të mos irritohen Rusia dhe Serbia se sa të pranohet pavarësia e Kosovës. Por, arsyen e injorimit të shtetësisë së Kosovës duhet kërkuar edhe në rolin e Vatikanit në vitet ’90, kur përmes emisarëve të tij ndërmjetësonte marrëveshje qesharake «për normalizimin e procesit arsimor në Kosovë».

Papa Françesku. Foto: Shutterstock



Lush Gjergji nga Kisha Katolike e Kosovës kishte dhënë sot një deklaratë folklorike, e cila s’pritej prej tij. Për dallim nga priftërinjtë e shumtë të Kosovës që u ngjajnë poetëve të dobët bukolikë me diapazon jo më të gjerë se odat e mbushura me tym duhani, Lush Gjergji është më i kujdesshëm në paraqitjet publike. Në deklaratën e tij Lush Gjergji fajin për mosnjohjen e Kosovës nga Vatikani e sheh vetëm në Prishtinë. Ai thotë se Vatikani ka bërë një hap të madh drejt njohjes para katër viteve, kur ka emëruar Nuncin Apostolik, i cili mbulon Kosovën, apo ambasadorin për Kosovë, i cili nga Sllovenia do të mbulojë edhe Kosovën si ambasador i Vatikanit për Kosovë. Ndërsa thotë se Kosova, edhe pas kaq viteve, ende nuk ka bërë një lëvizje të tillë, apo emërimin e një diplomati i cili do ta mbulonte Vatikanin. Ta quash Nuncin Apostolik të Vatikanit në Slloveni ambasador të Vatikanit në Kosovë nuk është fare korrekte. Sepse Nunci do të kishte rangun e ambasadorit nëse Vatikani do ta kishte pranuar pavarësinë e Kosovës. Vatikani nuk e ka pranuar pavarësinë e Kosovës.

Është e vërtetë se në diplomacinë kosovare, përfshirë edhe kreun e saj, diletantizmi, amatorizmi e injoranca janë shenja dalluese. Sigurisht edhe ndaj Vatikanit mund të jenë bërë gabime nga diplomacia kosovare dhe sidomos nga imituesi aktual i ministrit të Jashtëm. Lush Gjergji thotë se, meqë Vatikani ka emëruar «ambasador» në Kosovë, këtë nuk e paskësh bërë Kosova. Domethënë: Kosova qenkësh treguar arrogante. Për aq kohë sa mes dy vendeve nuk ka marrëdhënie diplomatike, këto vende s’mund të shkëmbejnë ambasadorë. Vendet mund të kultivojnë raporte përmes zyrtarëve për ndërlidhje – dhe nëse Kosova ka dështuar të emërojë një zyrtar për ndërlidhje në Vatikan, atëherë ky gjithsesi është gabim i Kosovës. Lush Gjergji ka të drejtë kur thotë se diplomacia kosovare nuk i ka njerëzit e duhur në vendin e duhur dhe ka njerëz jo adekuatë dhe të papërvojë për të udhëhequr me diplomacinë.

Por, kjo nuk e shpjegon plotësisht refuzimin e Vatikanit për të pranuar pavarësinë e Kosovës. Vatikani që nga viti 2015 e pranon Palestinën si shtet të pavarur. Më herët e ka pranuar si përfaqësuese legjitime të palestinezëve Organizatën për Çlirimin e Palestinës (OÇP). Përse atëherë nuk e pranon Kosovën Vatikani? Mjafton të diskutosh me njerëz në Prishtinë, të cilët i njohin mirë rrethanat e shtetbërjes dhe shtetstagnimit në Kosovë. Vatikani, sipas analizës së tyre, nuk dëshiron të pozicionohet në rastin e Kosovës për shkak se është kritikuar mjaft në fillim të viteve ’90, kur ishte ndër shtetet e para që pranoi pavarësinë e Kroacisë dhe Sllovenisë. Një arsye tjetër është se Vatikani nuk dëshiron të ngacmojë Serbinë dhe Rusinë, sepse kjo do të turbullonte procesin e afrimit të dy kishave – asaj katolike me atë ortodokse. Për shkak të përçarjes në kishë katolike të Romës dhe në kishë ortodokse (lindore) asnjë papë i kohërave moderne nuk e ka vizituar Rusinë. Papa Françesku ka shprehur dëshirën ta vizitojë Moskën, por përgjigja nga kryeqyteti rus ka ardhur me njëherë: vizita konsiderohet jorealiste. Sidoqoftë, për Papën me e rëndësishme është një vizitë në Moskë se njohja e Kosovës. Një argument tjetër për mosnjohjen e Kosovës është se me zhvlerësimin e shtetësisë nga ana e vetë politikanëve kosovarë në negociatat e tyre me Serbinë, Vatikani mund të mbajë qëndrim pritës derisa Hashim Thaçi, Aleksandër Vuçiqi dhe Donald Trumpi të gjejnë zgjidhjen.

Refuzimi i Vatikanit për të pranuar pavarësinë e Kosovës ka të bëjë edhe rolin jo fort të lavdishëm që emisarët e Selisë së Shenjtë, të fshehur pas organizatës katolike Shën Egjidio, luajtën në vitet ’90. Kjo organizatë ndërmjetësoi marrëveshjen për arsim mes «dr. Ibrahim Rugovës» dhe «presidentit të Republikës së Serbisë, Sllobodan Millosheviq». Kjo ishte një marrëveshje qesharake që nuk u zbatua kurrë. Rugova pranoi ta nënshkruajë atë pa u përmendur në dokument fare funksioni i tij, ndonëse orë e çast propagandistët e tij dhe ai vetë nënvizonin se ishte president i Republikës së Kosovës. (Madje nuk insistoi ta nënshkruante së paku si kryetar i LDK-së). Qëllimi i kësaj marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga emisarët e Vatikanit nuk ishte hapja e rrugës drejt pavarësisë së Kosovës, por e kundërta: sondimi i mundësive për akomodimin e Kosovës me një autonomi të gjerë brenda asaj që atëherë quhej Republikë Federale e Jugosllavisë. Nga prizmi i Vatikanit Kosova shikohet jo si provincë ilire, siç kanë qejf folkloristët tanë, por si shoqëri me shumicë myslimane. Ndonëse politikat e veta Vatikani përpiqet t’i mbështjellë me gëzof moral, në fund të fundit edhe ky shtet ndjek interesat e veta. Çka vlen në rastin e Palestinës, nuk vlen në rastin e Kosovës.

Në opinionin shpeshherë naiv e euforik të Kosovës besohet se do të merret bekimi i Vatikanit nëse ndërtohet një katedrale e madhe në qendër të Prishtinës (madje me plan të kopjuar gati një me një në Itali), nëse ndërtohen kisha politike, nëse nëpër oda anekënd Kosovës i skuqen telat sharkisë e çiftelisë me këngë për Pjetër Bogdanin dhe kashelashe të tilla të mentalitetit mesjetar.

E kemi parë sa kanë bërë punë te vendet arabe xhamitë politike. Kush hyn në Prishtinë nga Veterniku, xhamia e re i tregon se ky është «vend mysliman». Kush hyn në Kosovë përmes Kukësit, xhamia e ndërtuar gati në asfaltin e autostradës i tregon se ky është «vend mysliman». A kanë bërë punë këto xhami që Kosova të pranohet nga të gjitha vendet arabe? Jo. Edhe ato vende arabe që e kanë pranuar Kosovën, këtë e kanë bërë pas presionit amerikan. Nuk ka ndihmuar në rritjen e njohjeve të Kosovës në botën arabe as fakti se ministri injorant i punëve të Jashtme të Kosovës është përpjekur ta fusë në parlament vajzën e sheikut të Bashkësisë Islame të Kosovës. Votuesit e mençur kosovarë nuk ia dhanë votat e mjaftueshme Refiqe Tërnavës – jo për shkak se ajo bart shami, por për shkak të ekspozimit të pasurisë vulgare dhe krejt asaj çka përfaqëson ajo. Sepse çfarë vlen për shumë priftërinj, vlen edhe për jo pak hoxhallarë: predikojnë ujë e pinë verë. Sidoqoftë, Refiqe Tërnava është rehatuar në pozitën e këshilltares së ministrit të Jashtëm, të cilit po i prishin aq shumë punë stjuardesat e Zhitoraxhës, të cilat po i përdorë me shkathtësi mizore Ivica Daçiqi. Mendësia mesjetare, seksiste dhe primitive politike rri këmbëkryq në diplomacinë kosovare. Në fund edhe njëherë te Lush Gjergji: ai thotë se papët i kanë takuar të gjithë politikanët e lartë të Kosovës. Me këtë ai dëshiron të thotë se Vatikani ka një qasje dashamirëse ndaj Kosovës. Takimet me papën nuk mund të lexohen kështu: sepse papa e ka takuar edhe Jasir Arafatin. Dhe ndoshta Lush Gjergji nuk e di, por ka rreth dy vjet që Vatikani nuk pranon një person të emëruar nga ministria e Jashtme e Kosovës për të përfaqësuar Kosovën në Selinë e Shenjtë.