«Mos u frikësoni»

Nga fletorja e gazetarit: shënime për vitin 2015.



  1. Në një ditë gushti, kur vapa të çante kafkën, qindra refugjatë nga Siria dhe vatrat e tjera të krizës, ishin bllokuar nga policia maqedonase në peronin numër 1 të stacionit të trenit në Gjevgjeli. Zyrtarët e Bashkimit Europian me gjasë ende ishin në pushim, Brukseli në gjumë të thellë veror. (Fundja, a nuk ka dëshmuar Belgjika se disa punë ecin më mirë pa qeveri fare – se me qeveri grindavece apo me administratë të paaftë?) Në Europën Perëndimore pothuaj askush nuk e parashihte se ç’do të pasonte në javët një vijim: vala më e madhe e refugjatëve pas Luftës së Dytë Botërore. Të rrethuar nga policët maqedonas të mjerët e botës nisën spontanisht të brohorasin «UN, UN, UN…». Në atë moment këta njerëz nuk e dinin se Organizata e Kombeve të Bashkuara kishte dështuar në Ruandë e në Srebrenicë, mes tjerash. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, kishte kërkuar falje për dështimin në Srebrenicë.
  1. Derisa maqedonasit mbanin të bllokuar kufirin, në anën greke rritej numri i refugjatëve. Në pikën kufitare të Gjevgjelisë dhjetëra turistë hallakatnin raftet e «free shop-ave». Ata që ktheheshin nga pushimet blinin cigare dhe pije alkoolike, ata që shkonin krem për t’u mbrojtur nga dielli. Duke iu afruar fshatit Idomeni, ku po prisnin mijëra refugjatë për të hyrë në Maqedoni për të vazhduar rrugën drejt Europës, kalojmë pranë një fushe me luledielli. Mes tyre dallojmë njerëz me pushkë (gjuetie?) në krah – athua grekët janë çmendur dhe kanë dalë në gjah kundër refugjatëve? Misteri sqarohet shpejt: vërtet, bëhet fjalë për gjahtarë, por jo të njerëzve, por të zogjve. Derisa grekët gjuajnë zogj, pak më tutje një ekip i vogël i Mjekëve pa Kufij kujdeset për refugjatët. Pas përshtypjeve të para flas për edicionin online të gazetës «Tages Anzeiger». Pas publikimit të intervistës lajmërohet një zëdhënëse e Mjekëve pa Kufij, seksioni në Zvicër, dhe ofron informata shtesë. Interneti ka bërë më së shumti revolucion në profesionin e gazetarit.
  1. Rreth orës 03:00 të natës bie shi sixhim. Kur e merr me mend se nja dy kilometra larg dhomës tënde të ngrohtë në një hotel në Gjevgjeli vegjetojnë, bëhen qull nga shiu dhe mërdhijnë mijëra njerëz, është e pamundshme të vazhdosh gjumin. Si një shirit filmi të qarkullojnë përpara pamje të policëve maqedonas të armatosur rëndë, helikopteri i Armatës së Maqedonisë që gjatë ditës fluturonte mbi kokat e refugjatëve për t’i frikësuar, pleq që mezi rrinë në këmbë në livadhin afër arës me luledielli në Idomeni, një fëmijë me dy këmbë në gjips, një i ri që falë vaktin e drekës nën hijen e një lisi, disa vajza të reja që me durim presin para një zorre me ujë, policët grekë që me indiferencë përcjellin situatën nga distanca.
  1. Përballë dramave si kjo e refugjatëve sivjet individi është i pafuqishëm. Por, veçanërisht në kohëra krize është optimizmi që ngjall shpresa për të ardhmen. Dy personalitete më kujtoheshin në natën kur binte shi në Gjevgjeli. I pari, Franklin Delano Roosevelt, kur mori postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 4 mars 1933, tha: «E vetmja gjë prej së cilës duhet të kemi frikë është vetë frika». Liria nga frika ndikoi që SHBA-të të mposhtin krizën ekonomike dhe Hitlerin. Kryeministri anglez Winston Churchill jo rastësisht kishte lavdëruar «karakterin gurgullues» të Rooseveltit, të cilin kur e takoje, thoshte Churchilli, ishte si «të hapje një shishe me shampanjë». Personaliteti i dytë ishte: Papa Gjon Pali i II-të. Pas zgjedhjes së tij si zëvendës i Krishtit në tokë, ai i ishte drejtuar sidomos të shtypurve në botën lindore komuniste me këtë citat nga Bibla: «Mos u frikësoni». Ata nuk u frikësuan dhe hapën portat e lirisë, duke rrëzuar regjimet diktatoriale.
  1. Në prag të vitit 2016 sa do të ishte e domosdoshme që në Prishtinë, në Maqedoninë shqiptare, në Preshevë, në Tiranë, kudo ndër shqiptarë, të kishte politikanë që, të bindur në kauzën e tyre, do të thoshin: «Mos u frikësoni». Mos kini frikë, sepse bashkë do t’ia dalim. Këtë gati asnjëri prej tyre s’mund ta thotë, sepse politikanët «tanë» politikën e shohin si biznes fitimprurës, jo si shërbim. Do të ishte e padrejtë të thuhej se në skenat politike shqiptare nga Saranda në Strugë e Suharekë, nga Mallakastra në Mitrovicë nuk ka politikanë të ndershëm. Fatkeqësia jonë është se të tillëve shumica nuk ua jep besimin. Sepse shqiptarët gjatë historisë i shoqëron një fatalitet: janë bashkëvuajtës, por edhe bashkëfajtorë. «Por, shoqëria fillon me mua, pastaj janë rrathët e tjerë. Shoqëria demokratike nuk vjen nga lartë poshtë, ajo vjen nga poshtë lartë, vetëm atëherë ajo qëndron në këmbë të shëndosha, kur ka mjaft qytetarë (…), të cilët e shohin veten si bashkëpronarë të shoqërisë. Ç’dobi kam kur unë me dy, tre të tjerë mund të jetoj mirë, por përreth mbretëron luftë civile». Këto fjalë në thonjëza janë të filozofit gjerman Wilhelm Schmid, thënë në një intervistë në gazetën «Die Zeit». Shoqëria fillon prej teje. Edhe liria. Mos kini frikë!