Mos u dorëzoni, çlirojeni Kosovën!

Në kujtim të shkrimtarit gjerman Günter Grass në përvjetorin e vdekjes dhe në kujtim të angazhimit të tij për Kosovën e lirë. Ai thoshte: ndërhyrja e NATO-s ishte e domosdoshme dhe nëse s’arrihet sukses nga ajri, atëherë NATO duhet të hyjë në Kosovë me trupa tokësore.

Günter Grass.



Günter Grass, i cili vdiq para saktësisht katër vitesh, më 13 prill 2015, është njëri prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të Gjermanisë pas vitit 1945. I lindur në Danzig (Gdanjsk, Polonia e sotme) më 16 tetor 1927, ai ishte autoritet publik në Republikën Federale të Gjermanisë dhe në Gjermaninë e bashkuar (pas vitit 1990).

Grass u bë i njohur si autor në vitin 1959 me romanin «Daullja e llamarintë» (botuar më vonë edhe në shqip nga «Rilindja» në Prishtinë) dhe me vepra të tjera që i shkroi në vitet në vijim. Grass, sipas Komitetit të Nobelit, përmes fabulave të zeza katran dhe prapë gazmore skicoi fytyrën e harruar të historisë. Përveç si shkrimtar Grass ndërhyri në jetën publike edhe si aktivist politik, si socialdemokrat dhe si përkrahës i hapur i kancelarit Willy Brandt.

Kur më 24 mars 1999 NATO filloi të bombardojë Serbinë për shkak të terrorit mbi popullsinë shqiptare në Kosovë, në shoqërinë gjermane pasiguria ishte e madhe. Për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore Gjermania po merrte pjesë në një luftë – kësaj radhe në një luftë të drejtë, megjithatë kishte mjaft kundërshtarë të intervenimit të NATO-s. Në atë kohë ishte shumë me rëndësi se çfarë qëndrimi do të mbante një shkrimtar i madh dhe një socialdemokrat me autoritet publik si Günter Grassi lidhur me ndërhyrjen e NATO-s kundër Serbisë.

Në fund të marsit 1999 Grass u prononcua, duke i quajtur sulmet e NATO-s të domosdoshme, por tepër të vonuara. Tragjedia në Kosovë, tha Grass, ka filluar më 1989/90, kur Sllobodan Millosheviqi hoqi arbitrarisht autonominë e shqiptarëve dhe dërgoi atje trupat e tij. Grass kritikonte NATO-n për shkak se nuk kishte koncept nëse sulmet ajrore nuk do të kenë sukses. Këtu kishte të drejtë. Sipas Grass ndërhyrja me trupa tokësore në Kosovë – edhe me trupa gjermane – është përfundim i logjikshëm, nëse katastrofa nuk mund të ndalet nga ajri.

Pastaj Grass heshti sa i përket Kosovës deri në fillim të majit 1999, kur u prononcua sërish: «Kam respekt ndaj secilit që është në gjendje të gjejë arsye dhe shumë arsye kundër ndërhyrjes ushtarake në Jugosllavi. Unë kam vendosur ndryshe. Mendoj se kjo ndërhyrje është e domosdoshme, bile është dashur të ndodhë shumë më herët». Sipas Grass, Millosheviqi e ka shfrytëzuar kohën e negociatave për të përgatitur në mënyrë sistematike spastrimet etnike. Grass apeloi që Perëndimit të mos kapitullojë për arsye të rrejshme ndaj Serbisë.

Në mesin e ministrave gjermanë që kanë merita të mëdha për çlirimin e Kosovës Grass i veçoi Rudolf Scharpingun, i cili drejtonte resorin e mbrojtjes, dhe Joschka Fischerin, shefin e diplomacisë. «Çfarë kanë bërë Scharping dhe Fischer gjatë luftës së Kosovës është e jashtëzakonshme». Mllefin e madh të një pjese të opinionit gjerman Partisë së Gjelbër, e cila e përkrahu luftën kundër Serbisë përkundër traditës pacifiste partiake, Grass e quante veprim jodemokratik.  Sipas Grass është dashur shumë më herët t’i dilet përpara Millosheviqit. «Si i kemi ne punët me kujtesë, nëse e kemi harruar atë që ka ndodhur para pak vitesh në Sarajevë? Hapja e zjarrit ndaj një qyteti të hapur, ndaj tregjeve, shkollave – këtë e bënin serbët e mbrojtur nga Millosheviqi! Marrëveshja e Daytonit e la anash tërë konfliktin e Kosovës thua se ai nuk ekziston – kjo ka qenë gabim, për të cilin tani po e paguajmë faturën». Kështu fliste Günter Grass për Kosovën. E Kosova? Kosova publike nuk flet për të. Nuk di të flasë. Sepse është ngufatur nga një klasë politike provinciale dhe e etur vetëm për pasurim me çdo mjet.