Mos e zemëroni Hashim Thaçin…

...sepse sa më pisk i ka punët, aq më i paparashikueshëm bëhet - dhe shërbehet me gjuhën e sigurimsave të diktaturës hoxhiste të Tiranës. Durojeni ose shkarkojeni. Rrugë tjetër nuk ka. Sali Berisha nuk është engjëll politik, por ai u deklarua kundër ndarjes së Kosovës siç bëri edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, i cili apeloi të mos hapet Kutia e Pandorës.

Hashim Thaçi.



«Kur gjarpri zemërohet». Ky do të ishte një titull i mirë për një roman, nga të tillët që lexohen nën hijen e çadrës së plazhit, ndërsa rrezet e diellit reflektojnë në pafundësinë e detit. Por, kur zemërohet gjarpri ynë, kur e merr topin ai, atëherë ekziston rreziku që duke u shtyrë me bërryla dhe duke goditur lojtarët e tjerë nën brez të prishet tërë loja. Aktualisht loja e Hashim Thaçit është pak më serioze se ngarendja pas topit.

Pasi me vite të tëra është lavdëruar se çfarë rezultatesh fantastike ka arritur në negociatat e Brukselit, tash befas përçon mesazhin e ndarjes së Kosovës, kuptohet me eufemizma dhe duke bërë premtime të mëdha se Lugina e Preshevës do të bashkohet me Kosovën. Ta merr mendja se Thaçi tashmë ka filluar negociatat me Bechtelin për të lidhur Gjilanin me autostradën E-75 që kalon pranë Bujanovcit. Njëkohësisht ndonjë vëlla i Thaçit mund të bëjë plane për të privatizuar fabrikën e ujit Heba në Bujanovc, natyrisht me etiketa të reja me shqiponjë. Pas bashkimit të Luginës së Preshevës Kosova do të themelojë një Konfederatë me Republikën e Shqipërisë dhe verës president i këtij shteti do të jetë Hashim Thaçi, ndërsa dimrit Ilir Meta.

Kush e kundërshton idenë e Thaçit për copëtimin e Kosovës, kush pyet se përse u vra një polic i Kosovës në përpjekje për të vendosur kontrollin në veri, kur sakrifica e tij po nxirret në tezgën e pazareve politike, mund ta zë gjarpri. Të fundit që e zuri gjarpri ishte Sali Berisha. Gjuha me të cilën presidenti i Kosovës e sulmoi Berishën ishte e njëjtë me gjuhën e sigurimsave marksistë-leninistë, të cilët më shumë se shporrjen e Serbisë nga Kosova kishin një ëndërr tjetër: vrasjen e rivalëve politikë shqiptarë. Kriminelë të tillë nga Tirana sot janë këshilltarë të Thaçit. Sali Berisha nuk është engjëll, lista e gabimeve dhe delikteve të tij është e gjatë. Por, me çfarë faktesh presidenti i Kosovës çohet dhe thotë se Berisha ka strehuar Osama Bin Ladenin? Tingëllon si përralla e një gazetareje gjermane të revistës «Der Spiegel» se e ka takuar Bin Ladenin në një hotel në Sarajevë. Bota edhe sot e pret një dëshmi të vetme për këtë pretendim. Por, dëshmi nuk ka as gazetarja gjermane, as Hashim Thaçi.

Sali Berisha ka lejuar që mes Shqipërisë dhe Malit të Zi (atëherë pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë bashkë me Serbinë) të zhvillohet një kontrabandë e dendur me derivate të naftës. Por, nuk ka qenë nafta «shqiptare» vendimtare për të vënë në lëvizje makinerinë luftarake serbe. Rivalët politikë të Sali Berishës duan të krijojnë përshtypjen se edhe Shqipëria berishiste ka qenë pjesëmarrëse në masakrën e Srebrenicës. Kësaj valleje të mbeturinave të Sigurimit të Shtetit të diktatorit Enver Hoxha i është bashkuar edhe Hashim Thaçi tani me fletrrufenë e tij kundër Berishës. Para se të sulmonte Berishën Thaçi dekoroi ministrin e fundit të Punëve të Brendshme të komunizmit shqiptar, i akuzuar si urdhërdhënës për vrasjen e të rinjve shkodranë që po protestonin kundër diktaturës hoxhiste.

Në përpjekje për të goditur Berishën Thaçi shërbehet edhe me manipulime. Thotë se Ibrahim Rugova nuk ia lejoi hyrjen në Kosovë Berishës. Nuk ka asnjë fakt për këtë, sepse pas luftës Rugova nuk arrinte të kontrollonte as truprojet e tij dhe as të birin e tij që po bënte hapat e parë në botën e nëntokës, ndërsa pushtetin e vërtetë e kishte misioni i OKB-së (UNMIK) dhe KFOR-i. Ka qenë UNMIK-u që mori vendim që t’i ndalohet hyrja Berishës në Kosovë pasi socialistët e ardhur në pushtet në Tiranë me sukses kishin arritur të bënin propagandë te ndërkombëtarët se Sali Berisha ishte një ultranacionalist i rrezikshëm për stabilitetin rajonal. Në të njëjtën kohë lideri i socialistëve të Shqipërisë Fatos Nano thoshte se pavarësia e Kosovës nuk është model modern për zgjidhjen e konfliktit.

Hashim Thaçi ka raport fleksibël me të vërtetën. Ai është tepër elastik në interpretimin e fakteve. Sot e lavdëron Rugovën që ia paskësh ndaluar hyrjen Berishës në Kosovës, ndërsa në biografinë e Thaçit që e kanë shkruar dy manipulatorë britanikë, Rugova përshkruhet herë nga Thaçi, herë nga autorët si pijanec si serbët, frikacak, defetist, njeri që nuk mund të menaxhonte as kollën.

Dikur Thaçi e konsideronte Rexhep Qosja idhull. Sidomos atëherë kur Qosja e humbte kontrollin dhe godiste me çfarë kishte në mendje Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Ibrahim Rugovën. Tani që Qosja është bërë kritik i Thaçit dhe ka refuzuar madje një medalje nga Thaçi, ky i fundit nuk ka ngurruar që Qosjen ta përshkruajë si argat të Serbisë, sepse paskësh pranuar një mirënjohje për nder të 7 korrikut, ditës së kryengritjes së popujve të Serbisë kundër nazizmit.

Thaçi nuk e ka problem që deri në atë çast që merr një post, për shembull postin e presidentit, ta lavdërojë LDK-në deri në qiell, sepse i duhen votat. Kur i merr votat, buqetat me lule ia dorëzon vajzës memece të Ibrahim Rugovës. Por, kur LDK kritikon ndonjë aventurë politike të Thaçi, ai i quan udhëheqësit e saj: «humbës», «kërcënues», «të frustruar», «bllokues», «grumbull muskujsh politikë të humbur». Thaçi bën sikur interesohet për fatin e shqiptarëve jashtë Kosovës, tani po tregohet gjoja i kujdesshëm edhe për të ardhmen e Luginës së Preshevës, por s’e ka problem ta shajë rëndë Nexhat Dacin (siç e ka pranuar ky vetë pothuaj duke qarë para kamerave). Thaçi bën sikur interesohet për fatin e shqiptarëve të Malit të Zi, por kur Albin Kurti ia përkujton disa të vërteta të pakëndshme në Kuvend, Thaçi i bën thirrje Kurtit të kthehet në Vladimir të Malit të Zi. Albin Kurti nuk është as më pak, as më shumë shqiptar i Kosovës se çdo banor i saj. Por, në betejat politike Thaçi merr të drejtën që t’ua mohojë njerëzve edhe mëmëdhenë. Thaçi e kishte përdorur qëllimisht toponimin sllav Vladimir në përpjekjen e tij të dëshpëruar që Kurtin ta afrojë sa më shumë me botën sllave. Shqiptarët Vladimirin e njohin si Katërkollë të Anamalit, nga kjo trevë e ka origjinën i ati i Kurtit.

Të kthehemi edhe njëherë te Sali Berisha: ai u deklarua kundër ndarjes së Kosovës dhe ky nuk është mëkat. Berisha ka bërë mëkate të tjera. Para Berishës ministri i Jashtëm i Shqipërisë apeloi të mos hapet Kutia e Pandorës. Përse atëherë Thaçi e mallkon vetëm Berishën? Sepse Berisha nuk ka më pushtet. Kur kishte pushtet, Thaçi vraponte pas tij. Merrte pjesë në hapjen e autostradës bashkë me Berishën dhe nuk e kritikonte për keqpërdorimet masive gjatë ndërtimit të «Rrugës së Kombit». Dhe si ta kritikonte kur çfarë bëri Berisha në Shqipëri me tenderë të autostradave pak a shumë të njëjtën gjë bëri edhe Thaçi me shokë në Kosovë. Nëse këto ditë Edi Rama detyrohet nga Berlini të dalë kundër planeve të Thaçit për ndarjen e Kosovës për llogari të tijat personale dhe duke u bërë instrument i Serbisë dhe Rusisë, atëherë Thaçi nuk do ta mallkojë Edi Ramën siç e mallkoi Berishën. Nuk do t’ia përmend Ramës «afërsinë» me një artist serb, autor të këngës nacionaliste «Kallashnikov», nuk do t’ia përmend «Çelësin e Tiranës» që ia dha këtij këngëtari, nuk do ta pyes se çfarë ka bërë për Kosovën në vitet ’90. Sepse Edi Rama ka pushtet. Por, nëse nesër Edi Rama e humb pushtetin, Thaçi mund të bëhet ambientalist dhe ta fyejë rëndë Ramën përse po u lejon oligarkëve shqiptarë dhe biznesmenëve turq të shkatërrojnë natyrën shqiptare me hidrocentrale.

Andaj: mos e zemëroni Hashim Thaçin, sepse sa më pisk i ka punët, aq më i paparashikueshëm bëhet. Durojeni ose shkarkojeni. Rrugë tjetër nuk ka. Një president nën hetime ndërkombëtare duhet të shpëtohet nga vetvetja. Sepse një president nën hetime ndërkombëtare nuk mund ta shpëtojë Kosovën.