«Mos e vraj këngën»: Ibrahim Rugova në veten e parë

Mendime të Ibrahim Rugovës, të thëna në librin «Çështja e Kosovës», bisedë me gazetarët francezë Marie-François Allain dhe Xavier Galmiche.

«E dini, ndodh që edhe serbët të kenë frikë këtu, sepse jemi nëntë me një»: Ibrahim Rugova.



Nuk jam vetëm!
«…duhet t’ju them se kur ma shtrojnë pyetjen: <Kush do t’ju zëvendësojë nëse zhdukeni?>, unë përgjigjem: <Në rezistencë ka edhe njerëz të tjerë pos meje, Demaçi, Qosja, Ismajli, Bukoshi, edhe të tjerë>. Disa bëjnë pjesë në organizatën tonë, të tjerë jo. Por ne pajtohemi. Ne kuptohemi».

Ishin nga pak megalomanë!
«Por kur dolëm në skenën politike, në vitet 1990-1991, unë vetë kam kërkuar një aleancë me kroatët, sllovenët dhe boshnjakët – jo me maqedonasit, sepse raporti që ata kishin ndaj popullatës shqiptare përbënte një pengesë midis nesh (nuk duhet të harrojmë se represioni dhe aparteidi kundër shqiptarëve kanë filluar në Maqedoni). Pata propozuar një koalicion demokratik, por ata nuk ia vunë veshin. Ishin nga pak megalomanë!

Për më tepër, deri më 1990 të gjitha republikat dërgonin te ne shërbimet sekrete dhe policitë e tyre speciale, që të ndihmonin me këto «dhurata të vogla» shtypjen e shqiptarëve. Madje ishte policia boshnjake ajo që okupoi selinë e LDK-së gjatë një muaji më 1990. Megjithatë, kishte ndër ta që thoshin: «Ç’bëjmë këtu? Të shkretët…». Të fundit që braktisën Kosovën qenë maqedonasit dhe boshnjakët…»

Loja e golfit primitiv
«Natyrisht, ne luanim luftash, si të gjithë fëmijët e vegjël, por kishim gjithashtu edhe lojëra tradicionale shqiptare: një lojë si golfi, por pak më primitive dhe në lojë që e luanim me gurë të vegjël».

Të hysh në këngë
«Edhe për mua, po, ka shumë, bile edhe këngë roku! Por kujdes, është një proverb: <Mos e vraj këngën>. Duket pak artistike. Do të thotë, nëse populli ju ka bërë një këngë dhe bëni prapësi, <do ta vritni këngën>. Të hysh në këngë, është shumë e rrezikshme te shqiptarët. Jeta bëhet shumë më e vështirë!»

I kam marrë mbi vete rreziqet
«Gazetarët dhe diplomatët nganjëherë më pyesin: <Si është e mundur që të jeni ende në liri, apo në këtë liri të pretenduar?> Shpjegoj: <Mbase në saje të këtij autoriteti nga pak ndërkombëtar dhe në saje të kësaj lëvizjeje të padhunshme që kemi krijuar>. Mund të jetë gjithashtu se më ruajnë për në fund… për t’i provokuar edhe më shumë shqiptarët, për ta thyer këtë lëvizje, për të hapur konfliktin. I kam marrë mbi vete rreziqet. Por në Kosovë jam pa asfarë mbrojtjeje, si të gjithë të tjerët. Mund të më zhdukin kur të duan, në shtëpinë time apo gjetiu. Më në fund, asnjë shqiptar nuk është i sigurt, as në shtëpinë e tij, as në rrugë. Unë po ashtu, më kontrollon policia – derisa shkoj nga shtëpia në zyrë. Kur e kaloj kufirin e Maqedonisë, më ndalin një orë, dy orë. E ruaj qetësinë. Kur të duan mund të më… Kjo nuk është gjë e madhe për këtë regjim. Tani është edhe më vështirë për shkak të njësive paramilitare që i kanë vendosur atje».

Fejton në fshat
«Xhaxhai i tim atë rrëfente apo këndonte çdo mbrëmje pas darke deri vonë, pastaj e ndërprente rrëfimin në mes të situatës me dramatike dhe thoshte: <Do të vazhdojmë nesër>. Ai i këndonte gjërat me episoda, njëfarë fejtoni, t’i themi. Gjithë ditën ne të vegjlit, të pesë djemtë, flisnim se çka do të ndodhte».

Çfarë kam ruajtur nga babai im?
«(Babai im) njihte katër gjuhë (fliste gjithashtu italisht dhe gjermanisht), kishte bërë një bibliotekë të vogël, e kjo mjaftonte, që, asokohe, të çmohej për rrethin intelektual. Unë kam ruajtur shumë pak gjëra prej tij: një enciklopedi serbokroatisht dhe dy libra shqip, një mbi historinë shqiptare dhe një fjalor italisht-shqip. Asgjë tjetër».

Tim atë e vranë më 10 janar 1945
«Isha tre javësh kur brigadat e sigurimit jugosllav, OZNA, arrestuan gjyshin, Rustë Rugovën, dhe babain tim Ukën, i burgosën, pastaj i ekzekutuan. Gjyshi im ishte njeri i njohur në popull, me emrin dhe me veprimet e tij gjatë luftës, ai ishte vënë në mes të çetnikëve dhe popullit të Rugovës për t’u mbrojtur nga malazezët. Atë e vranë në Istog, një fshat afër Pejës. Tim atë e vranë më 10 janar 1945, por nuk e di se ku, ndoshta jashtë vendit».

Duke e lexuar Kadarenë fshehurazi në Prishtinë
«E pata lexuar novelën (Krushqit janë të ngrirë të Ismail Kadaresë) fshehurazi atëherë – sepse ishte e ndaluar në Kosovë, u muar vesh, ashtu si gati e tërë vepra tjetër e Kadaresë. Mos harroni, për tri vjet kjo novelë ka qenë e ndaluar po ashtu në Shqipëri… Historia e asaj gruas mjeke është histori autentike. Ndoshta mund t’ia bëjë të mundur juve në Europë të kuptoni se si kishte qenë programuar terrori këtu».

Nuk do të lëmë asnjë shqiptar të vdesë urie
«Sa na përket ne në Kosovë, këmbëngul dhe them: nuk do të lëmë asnjë shqiptar të vdesë urie, sepse me këtë solidaritet që kemi midis nesh, secilit mund t’i japim të hajë sa për të mbetur gjallë. Këtë mund ta ofroj tani. Tjetër gjë nuk mundem: vende pune, shkollim 100 për qind, siguri, nuk mundem, sepse nuk kemi siguri as kolektive, as individuale. E kuptoj që njerëzit tanë ikin nga Kosova. Më 1991 e 1992 kanë ikur 20’000 gjimnazistë, sepse shkollat paralele ende nuk funksiononin. Por unë nuk jap urdhër. Vetëm këshilla, si president. Sepse në atë rast do të duhej t’u ofrohej diçka njerëzve».

Perdja më e keqe e hekurt
«Por, kufiri midis Shqipërisë dhe Kosovës në kohën e Enver Hoxhës ishte më i keq se perdja më e keqe e hekurt – kufomat e shqiptarëve që kishin provuar të iknin nga Shqipëria qelbeshin me ditë të tëra pa shkuar kush t’i merrte – por edhe sot ky kufi është shumë mirë i mbyllur dhe i ruajtur».

Dy gishtërinj
«Jeta shoqërore dhe kulturore është shkatërruar. E dini se mund të shkohet në burg për një kasetë të thjeshtë me muzike popullore që mund të gjejnë policët serbë te ju me rastin e një kontrolli? Se mund të jesh i rrahur, i torturuar, për shkak se ke bërë <v>-në e fitores me dy gishtërinj?»

Unfair play
«Më vonë, kur nisi lufta, kroatët na akuzuan para instancave të larta europiane. <Shikoni, shqiptarët po heshtin>, thanë. Ishte një unfair play!»

Nëntë me një
«E dini, ndodh që edhe serbët të kenë frikë këtu, sepse jemi nëntë me një».

Kur shqiptarët thonë «s’ka problem», e dini, kjo është e tmerrshme
«Kur kishte mundësi për të udhëtuar (në Shqipëri), ne kishim disa këmbime (eksperte, profesorë), kemi shkuar. E pamë se nuk ishte ajo që thuhej. Gjatë udhëtimit tim të parë – ishte fjala për këmbime të universitetit – edhe pse ishim jashtëzakonisht të mbikëqyrur (ishim vendosur në Hotel Dajti ku të tjerët nuk kishin të drejtë të hynin) e kuptuam se nuk ishte ai vendi të cilin e këndonte Radio Tirana e që jetonte në shpirtin e njerëzve në Kosovë; na e ndalonin të shëtitnim nëpër rrugë, për shembull, kur udhëtoje me veturë, e shihje se nuk ishte ai <zhvillim> për të cilin flisnin; kishte me mijëra njerëz në punë të fushës, e unë u thosha: <Ç’bëni kështu? Mund të bleni traktorë, makina! Duhet shfrytëzuar këtë, duhet relaksuar njerëzit, duhet pak edhe të jetohet, duhet të shfrytëzohet jeta…> Ata gjithmonë thoshin: <Jo, duhet punuar; s’ka problem>. Kur shqiptarët thonë <s’ka problem>, e dini, kjo është e tmerrshme».

Si na sulmonte Androkli Kostallari
«Kur ktheheshim (nga Shqipëria) flisnim në rrethet tona, ekskluzivisht mes nesh, sepse asokohe jeta ishte nën kontrollin e përgjithshëm ideologjik – nga partia komuniste dhe nga policia. Kur them <ne>, e kam fjalën për më të afërmit, do të thotë për rrethin tonë intelektual. Nuk është fjala për të gjithë intelektualët e Kosovës. Ne patëm arritur të botojmë diçka në të përditshmen tonë në gjuhën shqipe në Kosovë, Rilindja, por u sulmuam nga drejtori i Institutit të Gjuhësisë të Tiranës, Androkli Kostallari, me arsyetimin se u jemi kundërvënë traditave shqiptare. Ai na trajtonte si një <grup modernist dekadent>. Duhet thënë se kjo ishte një periudhë e <ashpërsimit të luftës së klasave>, me modelin e revolucionit kulturor kinez, dhe i cili rezultoi, mes tjerash, edhe me shkatërrimin e kishave dhe xhamive».

Nuk pres shumë nga Turqia
«Shqiptarët që jetojnë atje [në Turqi] (rreth dy milionë njerëz, të asimiluar) kanë ndihmuar për ta kuptuar më mirë problemin, për të dalë nga indiferenca e tyre. Kanë bërë deklarata të përgjithshme, asgjë konkrete. Nuk pres shumë nga Turqia».

Mbi tolerancën fetare
«Te ne religjioni është më pak i rëndësishëm se gjuha. Thuhet: <Ai është katolik, por është shqiptar, sepse flet shqip>. Pastaj, po e përsëris, ne jemi myslimanë simbolikë. Dhe tolerantë. Gjithmonë e kemi pasur këtë tolerancë të gjerë pas vdekjes së Skënderbeut: respektin e lidhjeve të shenjta, ndjenjën religjioze që çdo tempull, çdo kishë katolike, çdo xhami, çdo kishë ortodokse është e shenjtë. Në familjen time, për shembull, thuhej: <Këto janë gjëra të shenjta, duhet të respektohen>».
Përzgjodhi: E.R.