Monumenti i zhvendosur nga qendra e Pejës




Lartësia e trupit për moshën që ka nuk ia mundëson aq sa të mund t’i shohë pa problem unazat dhe të tjerë aksesorë monumentalë të vënë në një kuti prej xhami. Për t’i parë ato, 10-vjeçja ndihmohet nga i ati i saj, që vajzën e tij e ka sjellë për vizitë në Muzeun Etnologjik në Pejë.

Nuk janë vetëm unazat që vajzës së vogël i bëjnë përshtypje. Dhjetëra artefakte të tjera asaj i shpjegohen në detaje nga mikpritësi Sefer Lajçi. Që nga viti ‘89 i shekullit të kaluar ky institucion është vendosur në monumentin e moçëm, Konakun e Tahir Beut.

Ky është objekti që pasaniku pejan e ndërtoi para më shumë se dy shekujve. Ai e kishte ndërtuar konakun e tij në një tjetër vend, në qendër të qytetit. Pushteti komunist në vitet ’60 kishte vendosur që objekti të zhvendosej në vendin që ndodhet aktualisht. E bëri këtë me kujdes, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kësisoj, kombinimi i artefakteve që ka brenda dhe vlerat monumentale që i bart vetë objekti e bëjnë të pakapërcyeshme vizitën në këtë pikë nga turistë të huaj e të vendit. Me gjithë numrin e madh të vizitorëve, drejtuesit e këtij institucioni mbesin të pakënaqur. Kërkojnë më shumë.

Adresa e trashëgimisë së Dukagjinit

Besa Berisha është aktualisht drejtuese e Muzeut Etnologjik në Pejë. Tregon se ky institucion numëron rreth 650 eksponate etnologjike, 100 artefakte arkeologjike dhe disa dokumente e fotografi me peshë historike.

“Të gjitha këto prezantojnë trashëgiminë kulturore të Rrafshit të Dukagjinit dhe janë të prezantuara në dy ekspozita permanente, në atë etnologjike dhe atë arkeologjike”, thotë Berisha.

Berisha tregon se ekspozita etnologjike ishte rihapur më 16 qershor të vitit 2000, për nder të njëvjetorit të Ditës së Çlirimit të Pejës. Në të, thotë Berisha, prezantohet trashëgimia materiale dhe shpirtërore e Rrafshit të Dukagjinit.