Monumenti i tragjedisë tonë

Plot vende në botë kanë monumente të «ushtarit të panjohun». Gilani ban mirë me e kuptu që nji përmendore e tillë e radhit atë mes plot vendeve tjera në botë që historinë nuk e shohin si garë vlerash të kohës së sotme që kuptimsohet përmes rrënimit të të vjetrave e ndërtimit të të rejave. Historia asht çka ka kenë.




Monumenti ma i madh që politika e këtij vendi e ka ndërtu në këtë tokë ndër vjeta, asht iluzioni që politikanët tanë dijnë me nderue najkend; që ia dijnë vlerën kombit; që ia dijnë vlerën njeriut; që e dijnë çka asht kultura; çka asht qytetnimi; që e dijnë çka asht arti; që e njohin historinë; që dijnë qysh me zhvillu këtë vend; që dojnë me e zhvillu këtë vend; që e dojnë këtë vend ma shum se xhepin e tyne!

Përkulja e tyne para vorreve; thymja e qafës nën hije të përmendoreve, që u ndërtuen për mbush boshllëkun e nevojave emocionale, krejt kjo natyrisht e dokumentume me fotografi, asht monument në vete në këtë tokë. Asht monument i nji tragjedie që Gjergj Fishta e ka përshkru në krejt veprat e veta, dhe e ka parapa që s’ka me na u shkund prej shpine as sot, se simbolizon varfninë e thellë intelektuale të shtresës politike dhe të shoqnisë që i nënshtrohet kësaj. E prodhon përmes nënshtrimit, për me iu nënshtru prap. E prodhon. I nënshtrohet. E prodhon. I nënshtrohet. Se qaq di. Se qaq mundet me ditë kur mjaftohet me përmendore. Lexojsha për të qindën herë Gomarin e Babatasit para ca ditëve, dhe bajsha me mvete, që Fishta ka kenë i trentë, se s’ban ndryshe. Veç nji njeri i tillë ka guxim me e njoftë qaq thellë natyrën e njerit me të cilin bashkëjeton, për me mujtë me saktësi marramendëse me e pasqyru në të ardhmen e tij, thue ti se s’ka ecë koha hiç.

Monumenti i sjelljes politike të politikanëve tanë, përtej gardheve partiake, ekzistenca e të cilave asht nji iluzion tjetër monumental me të cilin ushqehemi, asht monument tragjedie, sepse, kur je rob, për me shue urinë buka bahet e parandësishme. Veç liria t’nginë. E në liri kur je untë, «me dijtë» bahet e parandësishme. Don veç me u ngi najqysh. E kur ngihesh me bukë, «me dijtë» bahet e tepërt, se përnjiherë krejt rreth teje «dijnë». Dhe shtresa politike kosovare, përtej gardheve partiake, ekzistenca e të cilave asht nji iluzion tjetër monumental me të cilin ushqehemi, e adhuron varfninë intelektuale të këtij populli. Bile kontribuoi sistematikisht ndër vjeta, me e mbajtë në atë nivel. «Zonja dhe zotni, diploma për secilin. Urdhëroni, në pazarin e tempullit të arsimit. Tek stenda e parë kemi bachelor. Te e dyta master. Dhe te e treta kemi doktorata tyrlifare. Urdhëroni, urdhëroni, krejt lirë. Merr dy, pagujë nji.» Sepse, kjo gjendje ia garanton shtresës politike mbijetesën. A e dini ju sa e vështirë asht me e udhëheq nji popull që kupton shum nga ato që i di? Në fakt, kur je idiot asht e pamundshme. Pra, mbaje popullin aty ku s’të rrezikon bindja e tij. Mbaje, sepse, helbete, me dijtë populli ma shum, t’ban rezil tue t’i shemb përmendoret që ia ndërton me pare të tij. Ose s’të len me i ndërtu në radhë të parë.

Që politikanët tanë nuk kanë kurrfarë thellësie as gjanësie në njohjet e tyne të historisë tonë, kjo tregon diçka për ta. Për shembull tregon që janë idiotë. Por që këta të njajtit nuk kanë nevojë me pasë thellësi as gjanësi në njohjet e tyne mbi historinë tonë, kjo tregon diçka për popullin që ata e zvarrëheqin, për shembull që asht popull injorant. Dhe nëse në këtë pikë je tue dashtë me më thanë që ky vend ka nxjerr njerëz të mëdhej, po ani de, nuk thash që jo. Dhe nëse në këtë pikë je tue dashtë me më thanë që ky popull që nxorri njerëz t’mëdhej s’mundet me kenë injorant. Eh, kadalë pak. Lulet e para çelin në dimën. Dhe janë lule të vetmueme. Pranvera s’çel me lule të vetmueme. Nji aty, nji ktu. Dhe përveç kësaj, injoranca e nji populli nuk matet në sa njerëz të aftë nxorri nji popull në kohë të ndryshme, se kur flasim për njerëz, sasia, pa idenë mbi peshën, asht relative, sepse pesha e tyne asht e kushtëzume me ideologji; me «Zeitgeistin» që nuk mundet me u injorue. Por, matet në vlerësimin që ky popull ia ban edhe ma shum se kujtesës së tyne individualisht, kuptimit të veprës së tyne për të ardhmen, për nji të ardhme ma të ndritshme dhe matet natyrisht edhe në mënyrën qysh e ban këtë. Pra, ballafaqimit konstruktiv, apo glorifikimit monoton? Kuptimit analitik e kritik, apo mësimit përmendsh? Gurit apo brumit?

Por, ti që po më lexon, mos u shqetëso, natyrisht që s’jam tue folë për ty. Jam tue folë për ata të tjerët, që nuk ua nxen gjakun nji mjerim i tillë. Mos mendo që s’po më vjen zor me thanë që jena popull injorant. Edhe zor, edhe inati. Më kujtohet vetja edhe tue e refuzue nji pohim të tillë në momente dobësie. Por fundi i fundit, asht kontekstuale. E përveç kësaj, inati kahnjiherë mbizotron. Në rastin tem, ka të baj me shnetën psiqike.

Plot vende në botë kanë monumente të «ushtarit të panjohun». Gilani ban mirë me e kuptu që nji përmendore e tillë e radhit atë mes plot vendeve tjera në botë që historinë nuk e shohin si garë vlerash të kohës së sotme që kuptimsohet përmes rrënimit të të vjetrave e ndërtimit të të rejave. Historia asht çka ka kenë. Përmes përmendoreve detyrimi i nji shoqnije asht me e i dhanë formë, në fakt, më lejoni me e korrigjue veten: me i dhanë brum e jo veç formë kujtesës kolektive, tue e kuptu si kulturë që na jep mundësinë me u ballafaqu me t’kalumen tonë dhe me ndërtu nji ndërgjegjje të së sotmes të bazume në trashëgiminë e saj, qysh ka kenë, jo tue i bartë qosheve sipas disponimit patriotik të kohës e politikave partiake në garë për pushtet. Në rregull, Idriz Seferi, ka kenë kush ka kenë, që ai e meriton nji vend në Gilan, s’po e diskutoj. Dhe a e dini pse nuk po e diskutoj? Se nuk di asgjë për të. Nji shkrim i mbushun me interpretime banale, dhe nji kangë me çiftelia nuk më mjaftojnë. Nuk më mjaftojnë. Dhe un tutna shum prej kësaj mosdije. Shum.

Për shkak të kuptimit tem mbi kuptimin e vendosjeve të përmendoreve, me më pasë pyet mu, un kisha sygjeru Islam Pirën, për të bile di pak ma shum, se e kam lexu nji libër të thuktë studimor të Sadullah Brestovcit për jetën e veprën e tij. Në këtë pikë qyshokoftë shtrohet pytja në parim, që para se me ngajtë me bo hekur historinë e me i maru «heronjve» monumente fizike, a s’kishte me kenë ma mirë me e materializu idenë tonë për ta përmes hulumtimeve serioze historike? Pse nuk dojna me dijtë na ma shum? Sa ka kushtu ky monumenti gjigant i Idriz Seferit? Sa hulumtimi nëpër arkiva në vende të ndryshme kish muejt me u ba me shtatëdhetë mijë euro? Po, qaq ka kushtu Idriz Seferi si hekur. A çkado që i jep formë madhështisë së përmendores së Lutfi Hazirit. Pardon, Idriz Seferit.

Dhe qe po e nxajmë që e kemi hulumtu mirë veprën dhe jetën e kësaj figure dhe kemi ardhë në përfundim që Idriz Seferi e meriton, dhe po ia marojmë nji përmendore me i shërby kujtesës kolektive mbi kryengritjen kombëtare të shqiptarëve. Tash pasi që e kemi hulumtu edhe ka kuptim se kujtesës kolektive po i japim edhe kuptim narrativ e jo veç ushqim përrallor, prap kur vjen puna te hapësina, aj e meriton nji vend t’vetin. Nji, ku s’ka lanë gjurmë për gjenerata të tana nji përmendore tjetër. Nji që ka me kriju gjurmët e veta në kujtesën kolektive të gjeneratave të reja, pa e randu kujtesën e prindërve e gjyshërve të tyne, mbi imazhin e vendit të tyne. Sepse, para se me kenë Gilani qysh e shohim sot, Gilani ishte qysh e panë prindërit tanë. Kish me kenë mirë me e njoftë Gilanin e sotëm në fotografitë e baballarëve tanë. Po thom baballarëve, si bijë e nji babe që Gilanin e quante shpi. E tue e pa që asht ba vështirë sot me i gjetë edhe kujtimet e fëmijërisë teme në vendlindjen teme, e le ma ato të tregimeve të prindërve, kishim ba mirë prej asaj pak çka ka mbetë qysh e ku ishte, me i largu durtë. Kjo, në fund kishte me e nderu ma shum kujtesën e asaj që synohet me u protretizu me përmendoren e Idriz Seferit e të të tjerëve si aj, nëse patriotizmin e tyne zgjedhim me e interpretu ma shum se si trimni burrnore të kohës, si atdhedashuni. Gjithmonë, nëse ka kenë e tillë përnime.

Se në parim, trimnia asht jetësim i nji kohe. Atdhedashunia asht jetësim i të ardhmes. E, e ardhmja ka nevojë që na të gjallët me e kuptu që çka na thojnë përmendoret asht veç jehonë e kuptimeve ose keqkuptimeve tona mbi çka ato simbolizojnë. Dhe hapësira ku i vendosim ato s’guxon me kenë garë për me vendos veten përmes tyne në qendër të vëmendjes.