Monologu i brendshëm

Thirrja e presidentit Vuçiq për dialog të brendshëm për Kosovën deri më tani po sjell rezultate të zbehta, shkruan Dejan Anastasijeviqi në revistën «Vreme» të Beogradit. I vetmi politikan shqiptar, i cili nismën e Vuçiqit e priti me entuziazëm nuk është nga Kosova, por nga Shqipëria: Edi Rama.

Presidenti serb i parë nga karikaturisti beogradas Corax. Botuar fillimisht nga gazeta «Danas».



Më shumë se gjashtëqind vjet pas betejës në të cilën e ka humbur, njëqind e pesë vjet pasi e ka rikthyer dhe tetëmbëdhjetë vjet pasi e ka humbur përsëri, Serbia në të vërtetë nuk di se çfarë të bëjë me Kosovën. Në këtë përfundim mund të arrihet tri javë pasi presidenti Aleksandar Vuçiq bëri thirrje publike për të gjithë pjesëmarrësit në jetën publike – partitë politike, OJQ-të, Kishën Ortodokse Serbe dhe Akademinë e Arteve dhe Shkencave – për t’u inkuadruar në debatin për një zgjidhje të qëndrueshme të problemit të Kosovës. Një pjesë e mirë e opozitës ka shprehur dyshim në lidhje me sinqeritetin e kësaj thirrjeje, nga jashtë vijnë reagime kryesisht skeptike, shqiptarët e Kosovës vetëm sipërfaqësisht e kanë vënë re këtë debat, derisa serbët e Kosovës gjithë këtë histori e shohin me ankth, duke dyshuar për shumë arsye se në fund e gjitha do t’u përplaset atyre mbi kokë.

Kur bëhet fjalë për partitë, Partia Demokratike dhe shumica e degëve të saj kanë vlerësuar se flitet për përpjekjen e Vuçiqit për ta siguruar një alibi për vendimin që ndoshta tashmë e ka marrë, prandaj kanë refuzuar të hyjnë në dialog. Kryetari Partisë Demokratike, Dragan Shutanovac, megjithatë, ka shprehur dëshirën për të folur për ndryshimet e ardhshme të Kushtetutës (në preambulën e së cilës është edhe Kosova), por nga Partia Përparimtare Serbe e Vuçiqit menjëherë është shfaqur një komunikatë, në të cilën thuhet se «Shutanovac nuk ka nevojë të brengoset për Kushtetutën, për negociatat me BE-në, për nevojat e popullit serb në Kosovë dhe Metohi, as për ndonjë temë tjetër me rëndësi për shtetin dhe popullin». Ngjashëm e pësoi edhe lideri i Lëvizjes «Qytetarët e Lirë të Serbisë», Sasha Jankoviq, kur guxoi të thotë se Serbia nuk ka pse ta kundërshtojë hyrjen e Kosovës në Interpol për shkak se lufta kundër krimit është në interes të përgjithshëm – dhe menjëherë e fitoi etiketën e tradhtarit. Thirrja e Vuçiqit për dialog si duket nuk është drejtuar për të gjithë.

As e ashtuquajtura opozitë patriotike nuk i ka besuar Vuçiqit, kështu që thirrja e tij është kundërshtuar menjëherë si «mbrapshti» (Vojislav Sheshel, Partia Radikale Serbe), përkatësisht «eufemizëm për kapitullimin dhe njohjen e plotë të pavarësisë së Kosovës, në shkëmbim me asgjë, ose, eventualisht, në këmbim të një palë kapitujve të hapur-mbyllur në negociatat me BE-së» (Gjorgje Vukadinoviq, Lëvizja «Për Shpëtimin e Serbisë»). Nga margjinat politike, dramaturgu Dushan Kovaçeviq ndër të parët e ka mbështetur iniciativën e Vuçiqit me arsyetimin se «Serbia, pas pësimit në gjashtë luftëra në shekullin e ‘20, më nuk ka popull dhe fëmijë për luftën e shtatë, sepse kjo luftë e re do të ishte fundi i saj», dhe për këtë arsye është e domosdoshme që sa më parë të pajtohemi me shqiptarët. Emnaku i tij sipas mbiemrit, Sinisha Kovaçeviq, gjithashtu dramaturg, u deklarua nëpërmjet Twitterit: «Je dehur paksa në një kafene. Ke vendosur çfarë dhe kujt t’i këndohet, kujt i përket gjella e kujt qoftet, kujt birrat e kujt alkooli. Tani do që ta ndajmë faturën. Është e vështirë kjo, mik», e porositi ai Vuçiqin.

Nga koalicioni qeverisës është paraqitur Ivica Daçiq, ministri i Punëve të Jashtme, me tashmë idenë e përsëritur për ndarjen e Kosovës në pjesën serbe dhe shqiptare, me kusht që kishat dhe manastiret, të cilat janë kryesisht në jug të Ibrit, sipas tij, do të duhej të kishin eksterritorialitet, sikur Sveta gora (Mali i Shenjtë) në Greqi. Daçiq sigurisht është i vetëdijshëm se ky propozim, i refuzuar shumë herë deri më tani, nuk ka shumë shanse për të kaluar, prandaj në fund të tekstit autorial për «Veçernje Novosti» ka porositur: «Propozimi im është i vetmi real, i vetmi në interes të serbëve dhe shqiptarëve, dhe i vetmi shpejt i arritshëm. Nuk do të thotë se ai do të pranohet, por është detyra ime të flas në lidhje me të derisa kjo të jetë e mundur. Sepse sot vetëm me kujtime flasim për më shumë se dyqind mijë serbë të dëbuar nga Kosova dhe qindra mijëra serbë të Kroacisë. Mos lejoni që propozimi im ndonjëherë të kujtohet vetëm si një mundësi e humbur».

Ndërkaq në Kosovë, politikanët shqiptarë kryesisht e kanë injoruar iniciativën, të preokupuar me negociatat për formimin e qeverisë së re, të cilat kanë hyrë në qorrsokak, si dhe me përgatitjet për zgjedhjet lokale. I vetmi reagim zyrtar erdhi nga Enver Hoxhaj, ministër i Punëve të Jashtme, i cili kolegun e tij Daçiq e porositi se «idetë për ndryshimin e kufijve janë të rrezikshme dhe të papranueshme», dhe se çfarëdo rezultati i dialogut të brendshëm serb, për Prishtinën «do të jetë i papranueshëm nëse nuk përfundon me njohjen e pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës». «Nëse Serbia vazhdimisht udhëheq fushatë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, për çfarë lloj normalizimi mund të flasim?», ka thënë Hoxhaj.

I vetmi politikan shqiptar, i cili nismën e Vuçiqit e priti me entuziazëm nuk është nga Kosova, por nga Shqipëria. Natyrisht, bëhet fjalë për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili, me sa duket, thirrjen për dialog të brendshëm e ka kuptuar si një prolog për njohjen e Kosovës. Në një intervistë për «Blic» të Beogradit, ai ka thënë se në artikullin e tij autorial, në të cilin Vuçiqi ka bërë thirrje për dialog të brendshëm për Kosovën «ka mundur të ndiejë dhimbje të vërtetë dhe njëkohësisht vendosmëri mbresëlënëse», dhe ka shtuar se pas këtij hapi të parë Vuçiqi ka «vazhduar ta zhvillojë vizionin shumë të guximshëm për të ardhmen e Serbisë dhe Kosovës». Në anën tjetër, idenë e Daçiqit për ndarjen e Kosovës dhe për rishikimin e kufijve e ka vlerësuar si «jopraktike dhe kundërproduktive».

Kur bëhet fjalë për Kosovën në veri të Ibrit, liderët e Listës serbe, Goran Rakiq dhe Igor Simiq, e kanë mbështetur publikisht dialogun, gjë që nuk është çudi, sepse zyrtarët e kësaj partie janë paraqitur publikisht si «zëri dhe fytyra e Aleksandar Vuçiqit në Kosovë». Në anën tjetër, zyrtari i dikurshëm i Partisë Demokratike të Serbisë, ndërsa sot lider i Lëvizjes «Otadžbina» («Atdheu»), Marko Jakshiq, e ka akuzuar Vuçiqin në një letër të hapur se po përgatitet të heqë dorë nga Kosova. «President, ju lutem për vëmendje, nëse sot e jepni Kosovën dhe Metohinë, nesër do t’u kërkojnë të vendosni sanksione ndaj Rusisë, e ta futni Serbinë në paktin e NATO-s, dhe në fund do të ju ndërrojnë, pasi për ata do të jeni një politikan i harxhuar dhe i demoduar», e ka porositur ai Vuçiqin.

Në opinionin ndërkombëtar, propozimi i Vuçiqit praktikisht nuk bëri asnjë jehonë. Asnjë politikan i formatit nuk reagoi, ndërsa disa komentues të paktë u shprehën për dialogun me një dozë të madhe skepticizmi. Edhe Moska zyrtare heshti, por analisti Nikita Bondarjev nëpërmjet kanalit televiziv shtetëror «RT», vlerësoi se si «duket as Aleksandar Vuçiqi, as shumë aktivistë politikë e kulturorë serbë, të cilët e përkrahin, nuk u drejtohen shqiptarëve të Kosovës, madje as qytetarëve të Serbisë, të cilëve ftesa për dialog u është adresuar formalisht. Nëse e shikojmë me kujdes, do të shohim se i gjithë teksti i Vuçiqit është vetëm parafrazim i të ashtuquajturave <Shtatë pika të Bundestagut> – shtatë kushte që Serbia duhet t’i përmbushë për ta pranuar atë në BE… Çështja e vetme është ajo se çfarë ai është i gatshëm të bëjë për ta arritur këtë qëllim. Si shihen gjërat – duket se ai praktikisht është i gatshëm për çdo gjë, duke përfshirë edhe dënimin e gjyshërve dhe të stërgjyshërve të serbëve modernë, të cilët kanë derdhur gjakun e tyre për Kosovën».

Në përgjithësi, nuk mund të thuhet se iniciativa e Vuçiqit ra në tokë pjellore, as brenda, e as jashtë. Kur bëhet fjalë për terrenin brenda, u dëshmua, kushedi për të satën herë, se opozita, sikur në epokën e Slobodan Milosheviqit, e ka vetëm idenë e mjegulluar për Kosovën dhe asgjë më serioze në lidhje me atë se si mund të zgjidhet ky problem. Gjatë viteve të nëntëdhjeta ajo priste që Milosheviqi vetë të rrëshqiste në këtë çështje, dhe ta përmbyste. Edhe kur më 5 tetor opozitarët e morën pushtetin, ata nuk u morën shumë me këtë temë, përveçse nëpërmjet floskulës «Më shumë se autonomi, më pak se pavarësi» (Vojislav Koshtunica) dhe «Edhe Kosovën, edhe BE-në» (Boris Tadiq). Zoran Gjinxhiq gjoja se i kishte disa ide, por ai u vra para se të arrinte t’i elaboronte ato. Sa u përket vendeve perëndimore, ato kryesisht e kanë njohur Kosovën brenda kufijve ekzistues, dhe për ato kjo histori ka mbaruar, ndërsa për Rusinë, Kosova mbetet kundër-argument kur Perëndimi e akuzon për aneksimin e Krimesë dhe se ka hyrë në pjesë të Gjeorgjisë. Me zgjidhjen afatgjate të problemit të Kosovës do ta humbte mundësinë për të thënë: «E kur ju atë…»

Në fund, ia vlen t’i kushtohet vëmendje deklaratës së fundit të Vuçiqit, pas takimit me raportuesin e Parlamentit Europian, David Mekalister, se për BE-në çështja e Kosovës është më e rëndësishme se ajo e sundimit të ligjit në Serbi (diçka e ngjashme ai tha më parë në lidhje me temën Kosova dhe respektimi i të drejtave të njeriut). Kjo me gjasë është e vërtetë, por Vuçiq sigurisht është i vetëdijshëm se duke e hedhur në tavolinë kartën e Kosovës, këto «çështje të rendit të dytë» dalin në plan të parë, prandaj nuk është në interesin e tij të heqë dorë shpejt nga ky adut. Zgjidhja e qëndrueshme e çështjes së Kosovës në dritën e «dokumentit ligjërisht detyrues» që moti është vendosur në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit dhe dialogut për normalizim, ai proces po shkon me ritmin e vet, e herë pas here ngec, por të gjithë e dinë se çfarë rezultati do të ketë.

Serbia që nga viti 1912, kur trupat serbe triumfalisht hynë në Kosovë, në mënyra të ndryshme është përpjekur të përballet me faktin se serbët atje qysh atëherë nuk kanë qenë shumicë. Që atëherë e deri më sot janë provuar strategji të ndryshme: administrimi ushtarak (gjatë Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene), emigrimi i detyrueshëm në Turqi dhe kolonizimi me serbë dhe malazezë nga pjesë të tjera (në kohën e mbretit Aleksandër), përsëri administrimi ushtarak (gjatë RSFJ), pasuar nga koncesionet që ishin në dëm të serbëve (gjithashtu RSFJ), gjendja e jashtëzakonshme (pas demonstratave të vitit 1981), aparteidi (gjatë kohës së Slobodan Milosheviqit), një përpjekje e re për kolonizim (pas rënies së Krajinës), reprezaljet kundër civilëve pas shfaqjes së UÇK-së dhe, përfundimisht, dëbimi masiv i shqiptarëve në Shqipëri dhe Maqedoni (gjatë kohë së bombardimeve të NATO-s). Vetëm gjatë kohës së Jugosllavisë (por jo gjatë gjithë kohës), shqiptarët janë trajtuar si qytetarë të barabartë, por Kosova, atëherë zyrtarisht krahinë në përbërje të Serbisë, në fakt nuk ishte serbe, por jugosllave.

Koça Popoviqi, hero i popullit, poet dhe shumë më tepër, në fund të jetës së tij dhe para shpërbërjes së Jugosllavisë i pati dërguar një letër të shkurtër gazetës «Vreme», e cila atëherë vetëm sa kishte filluar të dilte. Përbëhej nga një fjali, e cila thoshte: «Shqiptarët, me përpjekje të mëdha, ndoshta mund të bëheshin jugosllavë të mirë, por ata, me kurrfarë përpjekjesh, nuk mund të bëhen serbë të mirë». Kjo fjali do të duhej të ishte alfa dhe omega e çdo bisede për Kosovën.