Monologjet e një shoqërie




Ka njerëz që flasin me kanarinat dhe të tjerë që flasin me veten e tyre. Është edhe një kontingjent qytetarësh që bisedojnë me njëri tjetrin, por për të tjerët: «Filani është martuar dy herë», «Fisteku i ka kaq borxh Filanit»… Kjo, me pak teprim, është përshtypja nga jeta shqiptare në Maqedoni.

Një peisazh padyshim i trishtë. E përbashkëta e këtyre segmenteve sociale është papunësia. Nuk është larg mendësh që ajo dhe produktet e saj e kanë polarizuar shoqërinë në të varfër dhe të pasur. Shtresë të mesme pothuajse nuk ka.

Pasuria u erdhi diasava aq papritur, sikurse edhe varfëria disa të tjerëve. «Asnjëherë nuk ka pasur kaq skamje në Tetovë», thonë disa. Duke qenë kështu, ata edhe kohën e lirë – të vetmin luks të papunësisë – nuk dinë ta kapitalizojnë në kreativitet. Varfëria i ka dyrt e rënda, thonë pleqtë. Që ajo t’i mbyll poret e trurit, nuk e dimë nga biologjia, por nga sociologjia dhe historia. Në kësi rrethanash, njeriu nuk ka asnjë ambicie qytetare, madje nuk ka vullnet as të protestojë kundër mjerimit në të cilin ka rënë. Prandaj ka më shumë protesta në Francë dhe Gjermani, se sa në vende ku ka shumë më tepër arsye për një gjë të tillë. Shpresojmë të jemi të mashtruar në hamendjen, se kjo gjendje i volit sistemit politik dhe atyre që në Maqedoni e kanë në dorë atë.

Mjerimi ka kaluar në vetkuptueshmëri, diçka të shkruar nga Zoti. Lypësit të rrugës i shmangemi si një përrocke. Ata edhe ashtu janë në numër të njëjtë dhe një pasqyrë e jona. Atyre u zgjasim një monedhë që rrezikon të na e gërvishtë celularin në xhep me një shikim të përhumbur ose duke u kujdesur që të mos u prekim gishtërinjtë, nëse kanë të tillë. Heshtja nuk bën kurrë përshtypje. Disa i shohim skajeve të rrugës duke mërmëritur vet me vete, ata ndahen nga jeta duke lënë gjurmë vetëm në tefterin e dyqanxhisë.

Jo më pak për t’i mëshiruar janë ata që pasuria i zuri në befasi. Atyre u shkon koha duke montuar kamera sigurie dhe duke pritur të dalin në qarkullim modelet e reaja të veturave dhe iPhone-ve. Bashkëbiseduesit e tyre janë peshqit e akuariumeve. Puna e vetme që bëjnë është të rendin pas kanarinave në sallonet me arkitekturë sakrale dhe t’i fusin në kafazin e artë. Prodhimi i këtyre elitave janë baret, investimet në prodhimtari që mund të kenë një efekt të mirëfilltë në mirëqenien e komunitetit, nuk janë në agjendë.

Fushata zgjedhore dhe votimet në Maqedoni kaluan pa ndonjë incident. Është konstatimi i të gjithë vëzhguesve të tyre – zyrtar ose jo zyrtar. Sigurisht do jetë kështu kur nuk ka interesim për to. Edhe fushatat e partive në thelb ishin më shumë një monolog – bisedë me militantët mercenarë të tyre.

Sjellja e re e partive politike është ndoshta dëshmia më paradigmatike e tezës së vobektësisë materiale dhe pasojave të saj. Një fatkeqësi shumë e mirëseardhur për politikën. Duke qenë esencialisht të preokupuar me ekzistencën, qytetarët e shesin votën e tyre me para në dorë. Ky është një marifet i ri në politikën shqiptare, jo vetëm në Maqedoni. Përhapja e tij korrespondon jashtëzakonisht shumë me trendin e rënies ekonomike.