Molliqaj: VV duhet ta ndërrojë pushtetin në Kosovë

Sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, i ftuar në emisionin Rubikon të KTV-së, ka folur në lidhje me veprimin e sotëm të opozitës në Kuvend kur deputetët e opozitës hodhën vezë në drejtim të kryeministrit Isa Mustafa derisa ai po raportonte në lidhje me marrëveshjet e fundit në Bruksel me Serbinë.




Ai tha se ata nuk kanë nevojë për raportimet e kryeministrit pasi që thotë se e kanë lexuar tekstin.

«Nuk kemi nevojë për raportime sepse e kemi lexuar tekstin. Deklarimet shabllone të kryeministrit se kjo është në përputhje me ligjet e Kosovës nuk mund t’i pranojmë», ka thënë Molliqaj në Rubikon të KTV-së.

«Alternativa jonë është e qartë: së pari nuk duhet të kemi negociata me Serbinë pa na njohur si shtet, pa kërkuar falje, pa i gjetur të zhdukurit dhe pa i paguar dëmet e luftës», thekson Molliqaj.

«Në raport me serbët në Kosovë: integrimi i serbëve në Kosovë duhet të bëhet përmes dialogimit me ta», ka thënë sekretari i VV-së.

Ai tha se integrimi i serbëve duhet të bëhet nga shteti, e jo nga deputetët.

«VV duhet ta ndërrojë pushtetin në Kosovë. E patëm një rast, por e humbëm për fajin e zotëri Isa Mustafës. Mustafa vazhdoi rrugën e zotit Thaçi, por kjo rrugë është e gabuar. Pushteti duhet të tërheqë nënshkrimin nga ajo marrëveshje», thotë ai në Rubikon.

«Kërkesa jonë aktuale është që kryeministri, përkatësisht qeveria, t’i tërheqin nënshkrimet nga këto marrëveshje e cila do të hapte rrugë për një platformë të përbashkët me opozitën karshi dialogimit me Serbinë».