Molliqaj: Veseli na ka obliguar të përdorim ato aksione në Kuvend

Sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj sonte në emisionin Interaktiv në KTV ka folur rreth aksioneve në Kuvendin e Kosovës.




Ai tha se kanë paralajmëruar një kundërshtim të tillë kundër Qeverisë së Kosovës për marrëveshjet e nënshkruara, atë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe demarkacionin me Malin e Zi.

Sipas tij, aktivitetet e tyre përfaqësojnë mbi 170,000 nënshkrimet e popullit në petecionin që po vazhdon të nënshkruhet në gjithë Kosovën, transmeton Koha.net.

«Kryekrimineli Kadri Veseli me tendencën e tij për ta vazhduar një seancë të atillë duke mbledhur deputetët kanë treguar një tendencë për fuqinë e pushtetit dhe kjo na ka obliguar që të përdorim ato forma të aksionit», tha Molliqaj.

Për Molliqajn, gazi lotësjellës nuk është problem përballë marrëveshjeve dhe ai thotë se nuk kanë rrezikuar jetën e askujt.

«Gazi është përdorur që të ndërprehet seanca», shtoi Molliqaj.

Ai ka thënë se pushtetet më herët kanë vrarë protestues duke përmendur protestat e vitit 2007 dhe deklaratat e Grupit të Unitetit që forca e Policisë së UNMIK-ut ka qenë propocionale me atë të protestuesve.