Molliqaj: Behxhet Shala na përkrahu kur PDK-ja ishte në opozitë

Pas deklaratës së sekretarit të LVV-së, Dardan Molliqaj, mbrëmë në emisionin Interaktiv në KTV se kryetari i KLMDNJ-së, Behxhet Shala është njeri i SHIK-ut, ky i fundit ka reaguar.




Ai ka thënë se edhe vet mendon se Molliqaj është agjent i «BIA»-së por që nuk ka fakte, dhe, sipas tij, kjo deklaratë nuk ka peshë kur nuk ka fakte.

Njëjtë edhe Molliqaj ka thënë mbrëmë se nuk ka fakte për Shalën që është njeri i SHIK-ut, por që kjo është një sekret publik.
Shala i ka vlerësuar deklaratat e Molliqajt si rezultat i mllefit pasi ky i fundit ka thënë se veprimet në Kuvendin e Kosovës kanë qenë të dhunshme, transmeton Koha.net.

Por pas deklaratave të Shalës, ka ardhur kundër-reagimi i Molliqajt.

Ai ka thënë se nëse Behxhet Shala ka folur fjalë miradije për Vetëvendosjen në vitin 2007, kjo ka qenë vetëm për shkak se PDK-ja ishte në atë kohë në opozitë dhe kur erdhi në pushtet, Shala ndryshoi.

Ai madje ka thënë se kur Shala e ka parë se Thaçi po bie nga pushteti në kohën e bllokut VLAN, Shala u bë sulmuesi më i madh i atij blloku.

Ky është reagimi i plotë i Molliqajt:

Behxhet Shala thotë se dikur e ka përkrahur Lëvizjen Vetëvendosje prandaj tash ne duhet ta pranojmë atë kur na kritikon e akuzon. Kjo është e palogjikshme. Ai ka bërë mirë kur na ka përkrahur dhe e ka tejet gabim që po na akuzon. Në fakt, ai nuk na ka përkrahur neve dikur, por atëbotë e ka thënë të vërtetën për dhunën policore mbi protestuesit tanë, kurse tash po gënjëen kur thotë se në seancën e së enjtes në Kuvend nga një gaz lotsjellës është “rrezikuar jeta e të gjithë deputetëve”. Ishte edhe më i ashpër se Thaçi i cili foli për rrezikimin e shëndetit por jo edhe të jetës. Qartazi, Behxhet Shala po bëhet asistent dhe dëshmitar i prokurorisë për ta akuzuar Albin Kurtin me të njëjtën akuzë sikurse në vitin 2007: tentim i shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm. Ky është kuptimi i gënjeshtrës së tij se të enjten “është rrezikuar jeta e të gjithë deputetëve”.

Nëse Behxhet Shala ka folur fjalë miradije për Vetëvendosjen në vitin 2007 kjo ka qenë vetëm për shkak se PDK-ja ishte në atë kohë në opozitë. Kur PDK-ja erdhi në pushtet, Behxhet Shala u kap për bishtin e Hajredin Kuçit dhe të Elmi Reçicës. Prej asaj kohe dalngadalë ai e shndërroi KMDLNj-në në Këshill për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të ShIK-ut. E kur PDK-ja ishte gati të dalë në opozitë, Behxheti u bë sulmuesi më i madh i VLAN-it dhe sufleri kryesor i Thaçit. Jo rastësisht ai ka kohë që endet rrugëve të Prishtinës me një xhip të zi të madh e të shtrenjtë si dhe pat blerë shtëpi e truall atje te fshati ndërkombëtar në periferi të qytetit duke u bërë fqinj i Thaçit, atje ku po instalohen nomeklatura e regjimit me familjet e tyre.

Behxhet Shala edhe vetë e pranoi afërsinë me krerët e ShIK-ut në reagimin e tij, pra me Latif Gashin, Elmi Reçicën dhe Kadri Veselin. Mirëpo, disa ditë më parë, një ish agjent i ShIK-ut na pat informuar neve në Lëvizje se Elmi Reçica, njeriu nr.2 në ShIK, ka shkuar shpesh te Behxhet Shala në shtëpi për darkë dhe i ka ndarë detyra atij. Elmi Reçica kontrollon biznese të ndryshme në Ferizaj e Prishtinë dhe vëllai i tij besohet që i përket një grupi mafioz që vepron në Çeki dhe që ka lidhje me shërbimet sekrete të rajonit e të cilat e realizuan skenarin për masakrën në Kumanovë me 9 maj 2015. (Po ashtu, Behxhet Shala nga Kadri Veseli ka marrë detyrë speciale që Adem Demaçin ta mbajë sa më larg Vetëvendosje duke e vizituar shpesh, duke e dezinformuar dhe duke ia humbur kohën Bacës Adem me gjepura).