Mogherini nuk i shkruan Thaçit për EULEX-in

U thirr një takim i jashtëzakonshëm i kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ku edhe pritej që krerët e grupet parlamentare, do të caktonin seancën e jashtëzakonshme për vazhdimin e mandatit të misionit evropian për sundim të ligjit në Kosovë, raporton KTV.

Por, takimi i paraparë për ora 11 nuk ndodhi. Të vetmit që u futën në sallën e takimeve ishin anëtarët e kryesisë nga radhët e së vetmes parti opozitare ‘Vetëvendosje’. Ata që pritën më shumë se 3 orë në korridoret e Kuvendit, ishin gazetarët të cilët asnjëherë nuk u lajmëruan për ecurinë e takimit apo dështimit të tij. Derisa vendosën ta bojkotojnë mbulimin e këtij takimi, i cili nuk u anulua asnjëherë nga kryesia.

Sidoqoftë, dy kate më poshtë krerët më të lartë të shtetit zhvilluan një takim me dyer të mbyllura.
Presidentit Thaçi, kryeministrit Mustafa, kryeparlamentarit Veseli, kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, shefi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, si dhe ambasadori amerikan, Greg Delawie u munduan për më shumë se një orë të gjenin një zgjidhje për mandatin e EULEX-it i cili përfundon sonte në mesnatë.

Mirëpo, më të përfunduar takimi asnjëri prej tyre nuk ka folur për medie.
Megjithëse nuk është njoftuar për temën e takimit, burimet e KTV-së kanë bërë të ditur se temë e diskutimit ka qenë çështja e kompetencave të EULEX-it, të cilat në bazë të ligjit të ri për këtë mision, parashihet të zvogëlohen, çështje të cilën BE-ja nuk e pranon.

Bëhet fjalë për heqjen e kompetencës kryesore, inicimin e hetimeve të reja për korrupsion dhe krime lufte nga ana e EULEX-it pa pëlqimin e prokurorisë së shtetit, përjashto rastet të jashtëzakonshme, por të cilat nuk specifikohen.

Kjo duket të mos i ketë pëlqyer Brukselit dhe shefes së BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Frederika Mogherini, e cila nuk ia ktheu letrën mbrapa presidentit të Kosovës Hashim Thaçi me të cilën kërkonte zgjatjen e mandatit të misionit të BE-së për sundim të ligjit në Kosovë edhe për 2 vite të tjera.