MKRS-së i kushton 11 mijë euro në muaj rritja e stafit për 30 veta

Ministria e Kulturës ka vazhduar me avazin e zgjerimit të stafit pa konkurs.




Me gjithë vërejtjet e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm dhe Komisionit Evropian në Raportin e Progresit, Ministria e Kulturës për dallim prej viteve të kaluara, sivjet e ka rritur numrin e atyre që marrin pagë si të angazhuar me Marrëveshje për shërbime të veçanta, shkruan sot «Koha Ditore».

Prej marsit të këtij viti e deri në gusht, në MKRS dhe në institucionet vartëse të saj kanë gjetur punë 30 veta, prej 8 sa ishin angazhuar kësisoj vitin e kaluar. Ky numër u kushton subvencioneve 11 mijë euro në muaj, duke llogaritur numrin e të angazhuarve deri para një muaji. Pagat e punonjësve të tillë sillen prej 185 deri në 465 euro.

Të angazhuarit janë: roje, zyrtarë për informim, zyrtarë të financave, shoferë, asistente, bashkëpunëtorë të jashtëm, zyrtarë për diplomaci kulturore e pastrues.