«Mjel lopët, jo qytetarët»

Politikani zviceran Martin Haab kërkon votën e zgjedhësve zviceranë për të hyrë në parlament – me një poster që përmban një mesazh me humor.

«Mjel lopën, jo qytetarin»: Për çdo vit nga arka e shtetit zviceran bujqit marrin 2,8 miliardë franga subvencione. Foto: Internet



Martin Haab jeton në një fshat afër Zürichut. Është deputet kantonal nga radhët e Partisë Popullore të Zvicrës (SVP), e cila është partia më e madhe e vendit dhe kundërshtarja më e madhe e integrimit të Zvicrës në Bashkimin Europian. Në zgjedhjet parlamentare të 18 tetorit Haab kandidon për një mandat në parlamentin e Zvicrës (Nationalrat). Ky bujk mban lopë dhe shet qumësht. Dhe kështu ai ka zgjedhur një poster me një mesazh me humor: «Mjel lopët, jo qytetarët» shkruan në poster, në të cilin shihet Haab para një lope, të cilës ia ka futur duart në gji. Një gjë është e sigurt: Haab nuk mjel qytetarët, por shtetin. Për çdo vit nga arka e shtetit zviceran bujqit marrin 2,8 miliardë franga subvencione. Këto janë para të qytetarëve. Që i bie: Haab, si të gjithë bujqit e Zvicrës, megjithatë e mjel çdo qytetar. Kjo nuk pritet të ndryshojë edhe në mandatin e ardhshëm të parlamentit, sepse lobi i bujqve do të mbetet i fuqishëm. Përndryshe SVP është partia më agresive kundër të huajve në Zvicër dhe sidomos shqiptarëve. Për shkak të fushatave raciste ajo është paditur së paku dy herë dhe njëherë është dënuar.