Mjekëve të popullit




Duke kërkuar dritën
Xheladin Dedës

Si t’i mbledh në vargje ato rreze drite
Që shumë syve t’shuar ua fale prore –
T’ngrohta ato shpresa n’zemra që i rrite
Dhe me to u ngrite si një përmendore.

Me mugëtirë u rroke përherë fytafyt –
Skutave të errëta hyre me trimëri,
Atëherë t’linden yjet, diejt nga balli yt
N’qerpikë për të gjetur një trohë krenari.

Si ta mbledh në këngë tërë atë qiell me yje,
Të ta var mbi vetull, që t’shkëlqejë prore –
Të mos ketë më t’verbër, që rroken për dore.

Errësira po ngritët si mjegulla n’pyje...
Emri yt në bebëza është duke shndritur,
Shumë e sytë përpara paskan dal’ për t’pritur!

Duke kërkuar blerimin
Ali Sokolit

Në blerim të jetës kalle ti vetëveten,
E me dritë agimesh zgjuar t’përcolli nata.
Por ti nuk e ndjeve, kur n’ag t’erdh shtërgata,
Kur në disa gjethe syt’pa gjumë t’u tretën.

N’gjoksa të plagosur lype ca pranvera
Dhe ujite n’shpresa sythat e lënduar.
Ti me fjalën tënde dhe me rreze n’duar
Një botë e përkëdhele, kur n’jetë mbyllej dera.

Në udhëtim e zgjodhe një shteg për martirë
Me gjemba të shtruar – t’ngjeshur n’dashuri.
E kur ta pash’ vet’llën plot me shtrezë të ngrirë

M’u përftua vjeshta... Dora jote n’shi...
K’ndoi kumria mallshëm n’syrin e pranverës...
Dola... Veç pikëllimit – askush para derës...