Mjaft me mallkimin e pushtetit, të shohim pak opozitën!

Kosova nuk është diktaturë klasike dhe kapja e drejtësisë e ka bërë të padëmshme për pushtetin e të pavlerë për shoqërinë çdo kritikë. Prandaj, në vend që të helmohemi ditë për ditë në doza konstante me mallkime të kota të pushtetarëve, më mirë është për të parë se çfarë po bën opozita dhe ku i kemi të varura shpresat për ndryshime?

Ilustrimi: Shutterstock



Ne thjesht po helmohemi. Ditë për ditë, në doza konstante. Të kritikosh pushtetin e PDK-së dhe të bishtave të saj është vetëm t’ia bësh qejfin vetes se gjoja nuk je konformist. E, të jetosh në rrena do të thotë të jetosh në ambient të kontaminuar shpirtëror. Kosova nuk është diktaturë klasike dhe kapja e drejtësisë e ka bërë të padëmshme për pushtetin e të pavlerë për shoqërinë çdo kritikë. Ndërsa pushtetarët tanë – duhet thënë këtë – janë aq të kufizuar, sa pa kufi besojnë në «mençurinë» e tyre, që do të thotë se s’ka kritikë e cila i kthen nga rruga e tyre. «Të pa shpirt e të pamend» – e lexova këtë shprehje në një roman për rojat e një burgu monstruoz të kohëve të shkuara.

Si mund të quhen ndryshe ata, të cilët PTK-në, dikur një ndërmarrje prestigjioze të vendit, e kanë rrjepur në vazhdimësi, ndërsa tash duan ta shtrijnë krejtësisht për tokë? Dhe, çfarë mund të kërkosh e të presësh nga njerëz – të pashpirt e të pamend? Më mirë është ta ndryshojmë fokusin e kritikës – në vend të mallkimeve të kota drejtuar pushtetit, duhet parë se çfarë po bën opozita dhe ku i kemi të varura shpresat për ndryshime.

Seri farsash të LDK-së

Për fat të keq, pritjet mund të jenë fare të vogla, deri sa LDK-ja, e cila do të duhej të jetë forca kryesore politike në këtë vend, ka degraduar aq sa të radhisë farsa njëra pas tjetrës. Sa u pa se qeveria gati se mbeti pa mbështetje në Parlament dhe duhej vepruar disi, kjo parti e nisi një kinse iniciativë për mocion, pa përpjekjen më të vogël që të fshehë falsitetin e saj. Pastaj, meqë adutit të saj se do t’i ndriçojë vrasjet e pasluftës tashmë i ka dalë boja kaherë, s’i mbeti tjetër pos të krijojnë skena në Parlament.

I pari e nisi Anton Quni, me një akuzë jo edhe të panjohur, drejtuar Xhavit Haliti, për, siç thuhet, marrjen e 8 milionë markave nga ministri i Mbrojtjes Ahmet Krasniqi. Për ta zgjatur skenën për së paku ndonjë episod më shumë, njëherë i tha akuzat, ndërsa faktet e la t’i paraqesë më vonë. Por, kur i solli, doli se, shih ti, dëshmitë qenkan «të klasifikuara», ndaj si të tilla i paska dorëzuar në administratën e Parlamentit. Që do të thotë në duar të Xhavit Halitit. Shtrohet pyetja: e kush i paska klasifikuar ato dokumente në vitin 1998? Ato mund të kenë pasur një vulë edhe «top sekret», por për klasifikimin e dokumenteve duhet pasur edhe një ligj. Paska miratuar ndokush ndonjë ligj të tillë ato vite? Ndërsa ligji i tanishëm nuk jep asnjë mundësi për klasifikimin e dokumenteve në retrospektivë.

Për ta mbajtur interesimin e publikut, duhet shtuar dramaticitetin, kështu që Arben Gashi u shfaq si të fortët e kafeneve provinciale, duke u sharë me Xhavit Halitin në Parlament. Por, deri sa këtu ata dy bënin luftën e gjelave, në vendlindjen e tyre dy partitë e tyre po i zhvillonin marrëdhëniet idilike. Vetëm një ditë më parë ishte publikuar lajmi se, në Pejën e LDK-së është emëruar, bashkë me ndonjë tjetër më pak të  rëndësishëm, edhe drejtori i urbanizmit i PDK-së. Që do të thotë se urbanizmin e Pejës e ka në dorë Xhavit Haliti, apo që është njësoj sikur delet e Rugovës t’ia lësh për t’i ruajtur një ujku të mirë. Nuk mund të thuhet me siguri të plotë, por përleshjet e tilla dhe, në përgjithësi, diskursi i fortë anti-PDK mund të jenë perde tymi për të mbuluar bashkëpunimin në prapavijë. Sigurisht edhe që LDK-ja me zhurmë të mbulojë mbylljen e saj në grupe oligarkike, të mos këtë ndërrim gjeneratash në struktura dhe, natyrisht, skena politike në përgjithësi të mos pësojë ndryshime dramatike.

E drejta e rezervuar për kaos

Shtylla e dytë e shpresave tona, «Vetëvendosje», e cila synonte ta bashkonte kombin, po nuk ia doli ta ruajë të bashkuar as vetveten dhe ende i duhet t’i mbushë plasaritjet pas ndarjes së partisë, tash për tash s’ka çfarë të bëjë, pos se e ka rezervuar të drejtën për kaos, përkatësisht për të hedhur sërish gaz lotsjellës në seancat e Parlamentit. Kjo «pauzë» është një rast i mirë të vlerësohet «puna» e kaluar e saj e, falë rastësisë, ajo këto ditë u shfaq në një dritë më të qartë, duke na e ofruar mundësinë që, nëse nuk mund t’i kuptojmë gjërat para se të na ndodhin, së paku t’i kuptojmë pasi të kenë ndodhur dhe të marrim mësim pas pësimit. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit, në East River, përfaqësuesit e të gjitha shteteve perëndimore, të gjitha rresht, sikur ta kishin bërë me fjalë – deklaruan se shtetet e tyre e përshëndesin miratimin e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi! Si e arritur e Kosovës kjo u përmend edhe në Sofje, në samitin e BE-se e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, tash edhe është e qartë pse edhe insistonin që ta miratojmë demarkacionin – që të kenë ndonjë pikë të vetme të bardhë, për të mbrojtur qëndrimin se Kosova e pavarur është faktor i bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal!

Se mund të jenë bërë gabime gjatë shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi kjo nuk është fare larg mendsh, sepse anëtarët Komisionit tonë kanë shkuar «me duar në xhepa» – kjo është çështje tjetër. Por, pse u kundërshtua aq gjatë e me aq energji nga «Vetëvendosje», e atëherë edhe nga AAK – nga miopia, ngase nuk ia dinin rëndësinë apo e dinin fort mirë se çfarë po bënin – këtë është vështirë ta thuash! Megjithatë, nuk është e vetmja çështje, e cila e shquan një tipar destruktiv të Vetëvendosjes dhe e bën atë të pabesueshme për të qenë në pushtet. Në skenë tash kanë dalë edhe PSD-ja e re, e përforcuar me të larguarit nga Vetëvendosje, por tash për tash është vështirë të parashikohet potenciali i saj, ndonëse më së afri mendsh është se do të mbetet një parti e vogël dhe vetëm si mjet kusuri në koalicionet mes më të mëdhenjve. Me një fjalë, kemi opozitë, e cila më shumë e vë në gjumë popullin, duke e ushqyer me shpresa të rrejshme për ndryshime, deri sa vetëm sillemi në rrethin vicioz. Ndoshta e vetmja shpresë mbetet – sigurisht pas përfundimit të bisedimeve me Serbinë – ndonjë lloj vettingu, si në Shqipëri! Te ne bile do të ishte më lehtë i zbatueshëm!