Mitrovica, lufta dhe dy ekipe futbolli me një emër

Varësisht se cilit ekip i drejtoheni, KF Trepçës, apo FK Trepçës, ai është pronari i ligjshëm i historisë së madhe për dekada me radhë që teposhtën e mori me shpërthimin e luftës në ish-Jugosllavi, shkruan New York Times për rrëfimin e dy ekipeve me të njëjtin emër: njëri ndodhet në jug e bën gara në Kosovë, e tjetri në veri dhe garon në ligën e Serbisë

Të rinj shqiptarë në Mitrovicë më 2 korrik 1999. Foto: Northfoto / Shutterstock.com

Megjithëse kishte flamuj e fanella të shpërndara falas, bashkë me shumë rekuizita të tjera të lojës moderne, Bardhec Seferi, mund t’i mbyllte sytë dhe prapë t’i shfaqeshin barishtet e egra në fushë.

Seferi po qëndronte në fushën e stadiumit olimpik, «Adem Jashari» në qytetin verior të Kosovës, Mitrovicë. Shtatëgjati në të pesëdhjetat, posa e kishte shikuar ndeshjen e Trepçës, ish-klubi i tij – ekip të cilit i ishte bashkuar prej fëmijërisë dhe kishte luajtur si qendërmbrojtës profesionist – që pësoi humbje prej kampionit aktual të Kosovës, Feronikeli.

Seferit i ishte prishur qejfi. Ndeshja u zhvillua në një pasdite fundjave dhe numri i shikuesve ishte i vogël, disa qindra sosh. Për më keq, humbja prej 1 me 0 e fundoste ekipin në pjesën e poshtme të tabelës. Ishte e vështirë të përpihej kjo prej kujtdo që ishte i lidhur ngushtë me një ekip kaq krenar, që në vitet shtatëdhjetë ishte bërë ekipi i parë nga Kosova që kishte luajtur në ligën e parë të asaj që dikur ishte Jugosllavi.

Atëherë, mbi 20 mijë tifozë i mbushnin shkallët e stadiumit që ta shikonin ekipin që në përbërje kishte serbë, boshnjakë, kroatë e shqiptarë të Kosovës duke luajtur së bashku. Por kanë kaluar ato kohëra, dhe më nuk ekziston ai shtet që u shpartallua prej luftërave të cilat e ndanë edhe qytetin dhe ekipin e Seferit.

Tani janë dy Trepça në Mitrovicë: një ekip me shqiptarë të Kosovës në jug ka emrin KF Trepça dhe një ekip me serbë të Kosovës në veri ka emrin FK Trepça. Të dyja, në fakt, kanë dalë prej të njëjtit ekip, dhe që të dyja luajnë me fanella gjelbër e zi. Të dy ekipet krenohet me historinë e lavdishme të Trepçës së mirëfilltë të themeluar më 1932. Dhe, megjithëse dy ekipet tani luajnë në liga të ndryshme shtetërore, të dy ekipet pretendojnë se janë trashëgimtarë të së kaluarës së klubit.

Pasi lufta e vitit 1998 në Kosovës ndryshoi hartën etnike të qytetit, FK Trepça garon tani në liga të ulëta në federatën serbe, dhe është larguar nga stadiumi që e kosnideron të vetin. KF Trepçca u themelua në shenjë proteste për pavarësi para se Kosova të anëtarësohej me të drejta të plota në arenën ndërkombëtare, duke luajtur në stadiumin që pretendon se ka të drejtën shpirtërore që ta trashëgojë.

«Kur u ktheva këtu pas luftës, bari ishte shumë i gjatë, nuk mund ta shihje trupin tënd prej brezit e deri në këmbë», thekson Seferi duke folur për fushën që sot është shtëpi e KF Trepçës. «Nuk mund të shihje asgjë. Këshu që lojtarët vetë e kositën barin. Por ishim në shtëpinë tonë».

Mitrovica dikur radhitej në mesin e qyteteve më të pasur dhe më të gjalla në Jugosllavi. Qyteti me minare e kisha ortodokse kishte popullsi të përzier serbe e shqiptare që kishte shkallë pothuajse të plotë të punësimit në minierat e afërta të Trepçës, prej së cilës e kanë marrë emrin edhe ekipet e futbollit në qytet. Pothuajse shtatëdhjetë për qind e prodhimit të brendshëm për kokë banori buronte prej minierave, që nxirnin zink, argjent, ar dhe plumb në sasi të mëdha vit pas viti.

Qyteti kishte pasuri të majme saqë të investonte në ekipin e futbollit duke garuar në ligën e parë të Jugosllavisë më 1977, dhe shkoi deri në finale të kupës në vitin tjetër.

«Ishte prej ligave më të forta që ka pasur atëherë», kujton Seferi, që kishte luajtur në vitet tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë. Lojtarët, pavarësisht nëse vinin nga Serbia ose Bosnja, ishin si familje, thekson ai. Me krenari e tregon Seferi një fotografi në celular; aty shihet Seferi në ditët e rinisë, me flokët kaçurrela të zeza, duke shënuar me kokë kundër Yllit të Kuq të Gjilanit, përballë një turme të madhe shikuesish.

«Ia kalonim shumë mirë», thekson ai duke folur për ekipet multietnike që i njihte.

Por më 1989, ditë të zeza po vinin për Trepçën në Jugosllavi. Dhe shumë shpejt ekipi do të ndahej, siç ishte ndarë edhe vendi.

Ndarja dhe rënia

Pas vdekjes së liderit komunist, Josip Tito, Jugosllavia nisi ta merrte teposhtën. Deri në fund të viteve tetëdhjetë, lideri jugosllav në ngritje, Sllobodan Milosheviq, serb, i priu vendimit politik për suprimimin e autonomisë së Kosovës.

Protestat shpërthyen në mbarë vendin, duke i vënë shqiptarët etnikë, shumicë, në konflikt të hapur me shtetin. Më shumë se një mijë minatorë hynë në grevë urie në horizonte nëntokësore për tetë ditë e tetë netë. Më 1991, lojtarët kosovarë të Trepçës u larguan nga ekipi.

«Ishte pjesë e politikës së palës serbe», thekson Seferi. «Ata thanë se nëse dëshironi të vazhdoni të luani me ne, duhet të pranoni ligjet dhe qeverinë tonë. Ne ishim kundër kësaj».

Në vend të kësaj, Kosova formoi ligë ilegale, paralele futbolli, duke i organizuar ndeshjet nëpër fusha të improvizuara pa bujë të madhe. «Policia i ndërpriste ndeshjet dhe i arrestonte të gjithë, nganjëherë i mbante në arrest tri ditë me radhë dhe i lëshonte», deklaron kryetari i kF Trepçës, Ajet Shosholli.

Derisa Trepça e re po luante nëpër fusha të mjerueshme dhe lojtarët laheshin nëpër lumenj të ngrirë pas ndeshjeve, FK Trepça vazhdonte garat në liga më të ulëta jugosllave pa shumicën e lojtarëve të saj shqiptarë. «Ishte e tmerrshme t’i shihje duke luajtur», thekson Seferi. «Ne luanim arave, lëndohehsim. Na arrestonin e poshtëronin. Por vazhdonim të luanim».

Pas tetë vitesh në ligën e improvizuar të Kosovës, lojtërat u kthyen pas luftës në Kosovë. Stadiumi olimpik tani ndodhej në pjesën jugore të qytetit, gjysma shqiptare e Mitrovicës. Barishtet e egra kishin mbuluar fushën dhe ambientet e stadiumit ishin shndërruar në strehimore të improvizuara për shumë familje refugjate që kishin ikur prej luftës së përgjakshme. Dhe aty nuk ishin asnjë prej kupave dhe medaljeve, më shumë se gjashtëdhjetë vite histori.

«Nuk e di nëse i kanë djegur ose i kanë vjedhur, por nuk janë këtu», thekson Shosholli. «Është fshirë e gjithë historia».

Petar Milosavljeviq e kujton fort mirë ndeshjen e fundit që Trepça e zhvilloi si ekip i bashkuar më 1991. Trepça fitoi 2 me 0, por atsmofera kishte ndryshuar. «Njerëzit ishin të frikësuar», thekson ai. «Poliitka kishte mbërritur në stadium».

Milosavljeviq, sekretari 76 vjeç i FK Trepçës, po qëndronte ulur në zyrën e vogël jo fort larg shtratit të lumit Ibër, që e ndan qytetin më dysh – shqiptarët në jug, serbët në veri. Ai rrethohej prej fotografive të së kaluarës së klubit. Emri i ekipit është shkruar në alfabet cirilik mbi derë.

Në zyrat e FK Trepçës ndodhet koleksioni i kupave dhe medaljeve, por asnjë prej atyre të fituara para vitit 1991. Milosavljeviq mendonte se trofetë e vjetër ishin ende në stadium, ose ishin vjedhur gjatë luftës. Kur lufta shpërtheu më 1998 në Mitrovicë, si shqiptarët më parë, edhe serbët u larguan nga stadiumi. Kurrë më nuk u kthyen.

FK Trepça tani garon në ligën e katërt të sistem të ligës serbe, duke udhëtuar nëpër qyteza të largëta serbe, në vend se të luante me ekipe të tjera të Kosovës. Ekipi ka një stadium të vogël në fshatin Zveçan dhe ka pak buxhet. Por Milosavljeviq thotë se së paku nuk po shuhet.

Prej terrasës së banesës, mund ta shohë Trepçën tjetër kur luan ndeshje në ligën e Kosovës, ose duke i mbajtur stërvitjet në stadiumin olimpik. «Shoh përditë lojtarët shqiptarët që luajnë aty dhe unë nuk jam aty», thekson ai. «Është shtëpia ime. Dhe më vjen të qaj kur i shoh».

Krenari e zemërim

Mëngjesin e një të diele, lojtarët dhe zyrtarët serbë të FK Trepçës takohen në një bastore para se të nisen me autobusin e tyre për zhvillimin e ndeshjes së radhës. Do të jetë një udhëtim i gjatë prej katër orësh deri në zemër të Serbisë për të luajtur kundër FK Orlovac Mrcajevcit. Rruga drejt veriut zgjatet ndanë Ibrit, dhe derisa autobusi vazhdon rrugën, lojtarët e rinj këndojnë këngë të vjetra jugosllave, duke e ndaluar nganjëherë autobusin që të dalë jashtë e të vjellë një lojtar që kishte kaluar gjithë natën duke pirë alkool kafeneve.

Të gjithë lojtarët janë rritur gjatë kohës së luftës dhe pak prej tyre mund ta marrin me mend kur mund të luajnë ndonjëherë bashkë dy Trepçat.

«Ata na e morën klubin», thekson Strahinja Jevtiq, mbrojtësi që po priste të merrte vizën e punës për të udhëtuar drejt Alaskës. Në Mitrovicë, në jug e në veri, nuk ka punë. Minierat kanë marrë teposhtën prej burokracisë e politikës, dhe vetëm një pjesë e saj shihet si mundësi punësimi. Vetëm qindra punëtorë punojnë tani në Trepçë, shumica në pjesën shqiptare.

«Dikur luanim si një ekip», shton Jevtiq, «por më nuk do të luajmë».

Autobusi mbërrin në një stadium të vogël, me fushën me gunga dhe me një turmë prej 30 shikuesish.

Trepça shumë shpejt goditet me 2 me 0. Në pushimin ndërmjet pjesëve, ekipi diskuton zemërueshëm për performancën e dobët para se të kthehet në fushë. Trepça e ngushton disavantazhin dhe për pak e humb rastin për barazim para se Orlovac të marrë frymë lirshëm. Ndeshja përfundon 3 me 1.

Lojtarët e FK Trepçës flasin shumë pak në orën e parë të udhëtimit të gjatë deri në orët e vona të natës gjatë kthimit në Mitrovicë. «Kur fitojmë», thekson mbrojtësi Branislav Radoviq, duke u qeshur, «atmosfera është shumë më e mirë».

Politika

Milosaljeviqi shpreson se do të përmirësohen marrëdhëniet ndërmjet bashkësisve shqiptare e serbe një ditë. Ka thënë se vitin e kaluar e ka vizituar Fadil Vokrri, kryetar i FFK-së. Tani që Kosova ka kombëtaren, Kosova është vënë në kërkim të lojtarëve serbë që mund ta marrin parasysh përfaqësimin e Kosovës, ku jetojnë rreth 150 mijë serbë. Por duket se nuk ka gjasë të ndodhë.

«Tani për tani, nuk ekzisojnë kushtet», ka theksuar Milosaljeviq. Seferi, që ende komunikon me bashkëlojtarët e dikurshëm në veri, shpreson se do të ketë pajtim ndërmjet dy grupeve, dhe dy Trepçave.

«Ka një ftesë të hapur për ta», ka thënë ai. «Mund t’i bashkohen kurdo që të duan».

Por tani për tani, pengesë është edhe emri i stadiumit. Stadiumit pasluftës iu la emri i Adem Jasharit, themeluesit të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës. Shqiptarët e Kosovës e konsiderojnë hero, por për serbët është terrorist.

Pastaj është edhe pengesa e vet FK Trepçës, ekip nga Kosova që luan në ligën serbe. Federata serbe e konsideron ekip legal. Ndryshe mendon FFK-ja, duke theksuar se historia dhe e ardhmja e klubit janë në Kosovë.

FFK-ja i ka bërë thirrje trupit evropian të futbollit, UEFA, si dhe FIFA-s, trupit botëror të futbollit, të nxjerrin një verdikt të prerë për Trepçat. Por UEFA i ka çuar duart pej kësaj pune, duke theksuar se është në dorën e dy federatave për t’i bërë çare, pavarësisht sa gjatë mund të shkojë kjo punë. Por koha nuk është në anën e Petar Milosaljeviqit.

«Para tre muajsh më vdiq gruaja; nuk jam i sigurt se edhe sa kohë do të më japë Zoti mua», ka thënë ai. «Por do të isha i lumtur nëse do t’i shihja edhe një herë një ditë dy Trepçat duke luajtur së bashku».

(New York Times)