Mitrovica gjatë 2 vjetëve, pa asnjë vrasje

Mitrovica s’ka pasur asnjë vrasje gjatë 2 vjetëve. Kështu është thënë në mbledhjen Këshillit Komunal të Sigurisë në Bashkësi mbajtur nën drejtimin e drejtorit të Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Musa Dragaj.




Në mbledhje ka marrë pjesë edhe nënkryetari i KK-së Safet Kamberi. E komandanti i stacionit jugor të policisë në Mitrovicë, Ahmet Gjosha, ka thënë se policia ka bërë gati planin operativ, të cilin me sukses po e realizon në bashkëpunim me të gjithë faktorët tjerë: nxënësit, prindërit, arsimtarët e të tjerët dhe falë kësaj gjendja e sigurisë nëpër shkolla në këtë fillimit është e mirë dhe nuk është shënuar asnjë problem.

“Shpresojmë se gjendja do të vijë duke u përmirësuar gjithnjë, pasi edhe të gjithë parametrat tjerë e garantojnë një gjë të tillë. Mitrovica është një ndër komunat e rralla, ku gjatë 2 vjetëve nuk ka ndodhur asnjë vrasje. Gjatë 8-mujorit të fundit në zonën e përgjegjësisë të stacionit jugor të policisë, rastet e përgjithshme të shkeljes së ligjit kanë rënë për 12.9 për qind, numri i veprave penale ka rënë 18 për qind, ndërsa veprat kundër pronës kanë shënuar rënie 27 për qind”, ka thënë Gjosha.

Nënkryetari i komunës, Safet Kamberi, ka lavdëruar punën e policëve nga stacioni jugor. Edhe Dragaj, ka theksuar se janë marrë të gjitha masat e nevojshme, në bashkëpunim me organet e tjera të sigurisë, që të shtohet niveli i sigurisë nëpër shkolla.