Miting për Enver Hoxhën

Ilustrimi: Shutterstock

Ulërijnë servilët dhe injorantët: hosana!
Turma pa tru të bie ndër këmbë.
Si popull i mallkuar, fisi i arbrit,
I bie më gjunjë urdhrit tënd.

Asnjeri s’e sheh gjakun që rrjedh.
Anës tribunës, si lumë.
Fantazmat e martirëve që ti vrave,
Dëshpërohen mbi kokat e turmës.

Por do të vijë një ditë kur bronzin tënd,
Turma do ta shqyejë me egërsi.
Dhe, do të gdhendë, për mallkim,
Bronzin e ndonjë diktatori të ri.
1982