«Misioni…» u jep zë grave të dhunuara në luftërat e ish-Jugosllavisë

Prishtinë, 9 tetor - Kur aktivistja Bakira Haseçiq vendosi të krijonte asociacionin «Women Victims of War», kishte një qëllim të madh prapa vetes.




Duke qenë vetë viktimë e dhunimeve seksuale gjatë luftës në Bosnjë, synonte që t’u ndihmonte atyre që kanë kaluar nëpër të njëjtën gjë.

E njëjta fatkeqësi do t’i ndodhte edhe vajzës së saj. Që nga mbarimi i luftës e deri më sot, Haseçiq njihet si një prej grave më të zëshme në lidhje me këtë çështje. Ajo ka bërë shumë që zëri i grave të dhunuara të dëgjohet e kryerësit e këtyre krimeve të dënohen. Do të dëshmonte edhe në Tribunalin e Hagës.

Rrëfimi i saj dhe i grave të tjera vjen në dokumentarin «Misioni dhunim – një mjet lufte», realizuar nga danezet Annette Mari Olsen dhe Katia Forbert Petersen. Aty flitet se si dhunimi është përdorur si armë gjatë luftërave të viteve ‘90 në ish-Jugosllavi. Në bazë të dëshmive bazike numri i të dhunuarve në Bosnjë vlerësohet të jetë në mes të 25 dhe 40 mijë. Hulumtimi ka zbuluar se prapa tërë këtyre dhunimeve kishte strategji dhe nuk ishin të rastësishme. «Mënyra më e mirë për një grua që të ndihmojë veten është të mos e fshehë atë nëpër të cilën ka kaluar», thotë njëra prej protagonisteve të dokumentarit, i shfaqur para publikut kosovar të enjten, në kuadër të edicionit të dytë të festivalit për të drejta të njeriut «FemArt». Nikoqir i kësaj ngjarjeje u bë tetari «Dodona» në kryeqytet. E fill pas këtij dokumentari u mbajt një panel diskutimi rreth kësaj çështjeje.

Të pranishme në këtë panel ishin aktivistet Igballe Rugova, Flora Macula, Feride Rushiti dhe këshilltarja politike e presidentes së Kosovës, Jeta Krasniqi. Në këtë formë ato bënë një lidhje në mes të asaj që ka ndodhur në Bosnjë dhe më pas edhe në Kosovë, duke përmendur kronologjinë e ngjarjeve.

Aktivistja Igballe Rugova ka treguar se si në vitin 2004, pasi që organizatat joqeveritare i kishin bindur gratë që të ngrinin zërin dhe të dilnin të flisnin hapur, një gjë e tillë ishte heshtur, duke shuar edhe shpresat për viktimat.

«Gratë përmes organizatave filluan të flasin gradualisht dhe derisa ato morën guximin, folën, dhanë dëshmitë për të kërkuar drejtësinë, ishte viti 2004 kur UNMIK-u mblodhi të gjitha dëshmitë dhe i zhduki. Siç duket në atë kohë nuk ishin të interesuar për drejtësi, nuk u interesonte që ne të bënim me gisht nga Serbia. Kësisoj gratë përsëri u dëshpëruan dhe u izoluan», ka thënë Rugova, teksa ka treguar se një gjë e tillë do të merrte kthesën tek para tre vjetësh.

«Ishte 8 marsi i vitit 2012 dhe ne dolëm në protestë duke thënë se nuk duam lule, duam mbrojtje ligjore dhe drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale në Kosovë. Kjo bëri jehonë dhe të gjitha mediat kthyen vëmendjen nga këto gra. U thye ai muri i tabuve dhe stigmatizimit në atë kohë. Të nesërmen me datën 9 mars për herë të parë është diskutuar për këtë çështje dhe deputetet nxorën një rezolutë», ka shtuar ajo.

Ndërsa Flora Macula ka thënë se për të marrë një hap të tillë, forcën e kanë gjetur tek koleget dhe miket e tyre në Bosnjë.
«Kjo nuk ishte hera e parë që e shikova këtë dokumentar dhe prapë më preku emocionalisht. Katër vjet e kam përcjellë atë se çka ka ndodhur në Bosnjë. Kemi qenë një grup aktivistesh që kemi punuar në terren dhe jemi takuar edhe me viktima. Gratë që i kemi parë në dokumentar janë mike dhe bashkëpunëtore tona», ka thënë Macula. Ka treguar se njëra prej tyre ka qenë në Kosovë para 10 vjetësh.

Por sipas Feride Rushitit, një gjë tjetër qe duhet bërë në këtë aspekt është edhe dënimi i kryerësve të këtyre krimeve. Derisa në dokumentar tregohet se në Bosnjë kanë qenë 61 raste të dënuara për krime seksuale, në Kosovë ajo ka thënë se nuk është dënuar asnjë njeri.

Para se të shfaqej ky dokumentar, në kuadër të festivalit pati edhe aktivitete të tjera. Autorja e librave «Vetmi gruaje», «Kukullat nuk kanë atdhe», «Kryq i harresës», «Hiri», «Lutje dimri» dhe «Zbathur», Flutra Açka tregoi para të pranishmëve për secilin libër të saj, e gjithashtu nuk la pa përmendur edhe çmimet të cilat i ka fituar me poezi të ndryshme, dhe e veçanta e krejt kësaj është se ajo lexoi edhe një poezi nga libri i saj, të cilin pritet ta botojë në nëntor të këtij viti.