Misioni i «rëndë» britanik në çrrënjosjen e nepotizmit në Kosovë

Kosova ka nënshkruar tri memorandume me Ambasadën britanike, por respektimi i tyre po del të jetë problematik. Qeveria dhe Kuvendi, ani pse nënshkruese të tyre, kur vjen puna te emërimet në pozitat e larta, shpesh nuk i marrin parasysh mendimet e ekspertëve britanikë.

Ambasadori i Britanisë së madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell.



Ambasadori i Britanisë së madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, në konferencën rreth rekrutimit për pozita të larta në shërbimin civil dhe pozita tjera të larta në institucionet e Kosovës, kur u pyet pse duhet të vazhdojë memorandumi, nëse ai nuk respektohet nga Kosova, tha se nuk dëshiron që paratë e taksapaguesve britanikë të harxhohen kot.

«Për mua, nuk dua të rekomandoj që të harxhohen kot paratë e tatimpaguesve britanikë. Por mendoj se ky projekt do të ishte shumë i rëndësishëm sepse sidomos dy kultura në Kosovë janë shumë të dëmshme: e nepotizmit dhe e pandëshkueshmërisë», tha O’Connell. Ai shtoi se rezultatet varen kryekëput nga vullneti politik. «Ky projekt nuk ka të bëjë me kulturën tjetër, por mendoj se me nepotizmin mund të ketë rezultate, por do të ketë rezultate vetëm nëse ka vullnet politik».

Kuvendi i Kosovës kishte nënshkruar memorandumin e parë me britanikët në vitin 2016, i cili u vazhdua edhe në vitin 2017 dhe pritet të vazhdojë për vitin e tretë. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se çështja e rekrutimeve për pozita të larta civile në institucionet e Kosovës ka qenë e përshkuar me mungesë kredibiliteti.

«Në Kosovë, çështja e rekrutimit ka pasur edhe vështirësitë e veta, mungesë kredibiliteti dhe besueshmërie në procesin e rekrutimit. Duhet të rritet mirëbesimi te kuadrot», tha Veseli. Ai tha se është i lumtur që memorandumi i nënshkruar gati tri vite më parë me ambasadën britanike nga qeveria e kaluar e drejtuar nga Isa Mustafa, është vazhduar edhe në qeverinë pasuese të Ramush Haradinajt.

«Ideja e kësaj asistence ka ardhur nga ne, ne i kemi ftuar partnerët tanë. Gatishmëri për të treguar se sa Kosova është e gatshme për partneritet me ndërkombëtarët», tha Veseli.

«U bënë më shumë se dy vite. Pas dy viteve rezultatet janë të mira. Nuk kemi pasur ndonjë ankesë që ka pasur shqetësim serioz. Ne mundemi më shumë, edhe përmes këtij partneriteti ne mund ta forcojnë partneritetin dhe llogaridhënien në demokracinë tonë. Jemi të gatshëm për më shumë», tha ai.

Por, raportimet e Gazetës «Jeta në Kosovë», e cila po monitoron rekrutimin e pozitave të larta, tregon që ka institucione që nuk e kanë idenë që ekziston ky memorandum. Në rastin e përzgjedhjes së kandidatëve për Guvernator, Bordi i Bankës Qendrore nuk ka ditur që ka një memorandum të tillë, ku britanikët duhet të ftohen në monitorimin e procesit. E faji? Jetim! Madje, Gazeta ka raportuar edhe për emërime mbi baza partiake dhe kundër rekomandimit të britanikëve. Qeveria e Kosovës kishte emëruar sekretar të Ministrisë së Arsimit, Ekrem Kastratin, i cili nuk kishte aftësi të mjaftueshme për këtë pozitë. Ministri i arsimit, Shyqiri Bytyqi, i cili vjen nga Nisma, kishte propozuar emrin e Ekrem Kastratit për këtë pozitë, e i cili është nga Malisheva dhe ka qenë drejtor i Administratës në këtë komunë që udhëhiqet nga Ragip Begaj nga Nisma për Kosovë.

Ngjashëm kishte ndodhur edhe anëtarët e bordit të ZRRE-së (Zyra e Rregullatorit për Energji). Qeveria i kishte rekomanduar Kuvendit të Kosovës katër kandidatë për bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, dy prej të cilëve nuk i plotësonin kushtet për këtë pozitë, e pikërisht këta u zgjodhën anëtarë bordi nga Kuvendi. E për të ilustruar emërimet mbi bazat e jo-profesionalizmit dhe nepotizmit, ambasadori O’Connell solli një përvojë të cilën e kishte dëgjuar nga një kolege e tij në bisedë me një zyrtar të lartë institucional.

«Kam dëgjuar një rast të një koleges në ambasadë kur ka qenë në një takim me një zyrtar të lartë, që ka punuar 15 vjet, dhe i ka kërkuar të dërgojë disa gjëra në email, ky i ka thanë: motër s’e di qysh punon kompjuteri, hyn dërgoji vetë. A nuk është marre, 15 vjet në një pozitë mos me ditë me përdorë email-in?», pyeti ambasadori O’Connell.

Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, tha se emërimi i njerëzve në bazë të meritës është një ndër kriteret e Kosovës drejt anëtarësimit në BE. Ajo shtoi se reformat në administratën publike janë çelës për integrim. «Kosova mund të paguajë çmim të lartë në të ardhmen për emërimin e njerëzve jo-profesional në pozita të larta në administratën publike», tha ajo.

Ndërsa ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha se pozitat drejtuese në shërbimin civil janë pozitat kyçe për funksionimin e mirëfilltë të administratës shtetërore. «Aty ku kërkesat politike duhet të shndërrohet në çështje ligjore dhe ato jo ligjore duhet të stopohen», tha ai. Yagcilar tha së këta zyrtarë duhet të jenë të aftë të menaxhojnë stafin e institucionit dhe të jenë të aftë të japin këshilla për stafin politik për funksionimin e aparatit shtetëror. Memorandumi i bashkëpunimit me Kuvendin skadon më 31 mars dhe pritet të vazhdojë edhe për një vit, ndërsa ai me Qeverinë përfundon në shtator. (kallxo.com)