Mish dhe mrekulli të tjera

Gazeta zvicerane «Tages Anzeiger» shkruan për restorantin «Eni’t» të Zürichut, i dalluar për kuzhinë të shkëlqyer. Pothuaj tërë enterieri i restorantit është sjellë nga Kosova dhe vendosur në vendin e duhur nga arkitekti Bujar Nrecaj. Punimet e artistit Driton Selmani rrumbullakojnë një kornizë mes kulinarisë dhe të kaluarës.

Një copëz Kosovë: enterieri i restorantit «Eni’t» në Zürich. Foto: Layla Barake



Restoranti «Eni’t» gjendet – si të thuash – në folenë zvicerane të parave dhe kulturës, në zemër të Zürichut. Në njërin krah ndodhet sheshi «Paradeplatz», aty ku e kanë selinë bankat zvicerane, në krahun tjetër «Tonhalle», salla e koncerteve të muzikës klasike. Kësisoj, në këtë ambient urban dhe prestigjioz duhej të hapte portat një lokal krejt i veçantë, elegant dhe i papërsëritshëm. Ky ishte synimi i arkitektit kosovar Bujar Nrecaj, kur në Claridenstrasse 36 filloi të mendojë për dizajnimin dhe enterierin e restorantit «Eni’t».

Nrecaj, i nominuar për çmimin e famshëm të arkitekturës «Aga Khan Award for Architecture», ka ndërtuar në Kosovë hotelin «Graçanica», pronë e një ish-diplomati zviceran. Ndoshta nuk ka hotel në Ballkan për të cilin është shkruar më shumë – nga Amerika në Australi – se sa për hotelin «Graçanica». Përvojën e ndërtimit dhe dizajnimit me materiale të Kosovës Nrecaj e ka sjellë edhe në restorantin «Eni’t» në Zürich. Karriget, tavolinat, koncepti i ndriçimit me degëzime metali, muret e veshura me dru – gjithçka është prodhuar, gdhendur, latuar e përpunuar në Kosovë. Rezultati është mbresëlënës: një ngrohtësi që njëkohësisht rrezaton hijeshi.

Enterieri është njëra anë e restorantit «Eni’t». Tjetra është kuzhina. Dhe për kuzhinën këtë javë ka shkruar gazeta zvicerane «Tages Anzeiger», konkretisht shtojca «züritipp». Vegjetarianët, shkruan gazeta, nuk do të jenë të lumtur në këtë lokal, ndërsa të gjithë të tjerët po, pa fund madje. «Eni’t» është fjalë etruske dhe domethënë mish. Rrjedhimisht, oferta kulinarike e këtij restoranti është e përqendruar te specialitetet e mishit. Gazeta lavdëron edhe menaxhimin e lokalit nga Pascal Schelbert, i cili ka një përvojë nga hoteleria me pesë yje dhe restorantin «Eni’t» e shikon si «projekt të zemrës».

Kritiku i kulinarisë i gazetës «Tages Anzeiger» pas drekës në «Eni’t» të vetmen ankesë e ka madhësinë e porcioneve – secili më i shijshëm se tjetri, siç shkruan ai. Kjo vlen për supën po aq sa për mishin e zier, rizoton, kotëletën e viçit dhe perimet verore. Autorit të shkrimit në «Tages Anzeiger» i ka rënë në sy edhe sortimenti i gjerë i verës, përfshirë edhe një «Cabernet Sauvignon» nga Maqedonia.

Historia e emrit të restorantit – «Eni’t» – është e gjatë dhe arkitekti Bujar Nrecaj e shpjegon kështu: «Më parë restoranti quhej Siena. Fillimisht mendoja ta ruaja këtë emër. Hulumtova për historinë e qytetit të Sienës dhe zbulova se ishte themeluar nga etruskët. Thuhet se gjuha etruske ka disa lidhje me gjuhën shqipe. Dhe me një lojë fjalësh mendoja ta emëroja restorantin <Si’ena>, duke ia bashkangjitur edhe fjalinë në anglisht <a story to tell>».

Prapa kësaj, sipas Nrecajt, fshihej ideja që nëpërmjet historisë së etruskëve dhe emrit «Si’ena» (si jena) të zbulohej e kaluara me të gjitha rrënjët e saj. Kjo do të ishte një lloj detyre edhe për mysafirët. «Ndërkohë», thotë Nrecaj, «pasi u vendos që kuzhina të jetë e përqendruar më shumë në specialitete të mishit, u përcaktuam që restorantin ta quajmë <Eni’t>, që në gjuhën etruske domethënë mish, por në një interpretim më zemërgjerë mund ta lexojmë edhe si <eni te ne>, fjalë që tingëllojnë si dialekt i arbëreshëve të Italisë. Shkrimtari francez Zecharia Mayani shkruan se <gjuha etruske deshifrohet përmes gjuhës shqipe. Etruskët flisnin ilirisht, gjuhë e trashëguar nga shqipja>».

Kështu, me këtë sfond të mendimeve mbi historinë, u dizajnua në Zürich një restorant me elemente të fuqishme, por njëkohësisht edhe dinamike. Hapësira e lokalit nuk do të shërbente vetëm si mundësi për ngrënie, por edhe si shans për të gjurmuar tregime nga thellësitë e historisë. Përshtypjet apo ndonjë rrëfim të tyre – aktual apo nga historia – mysafirët mund t’i përjetësojnë në «murin e tregimeve».

Nga Kosova Nrecaj nuk ka sjellë vetëm enterierin, por edhe disa punime të artistit Driton Selmani, të cilat tregojnë «se si ndryshimi ekonomik dhe social ndikojnë jo vetëm në arkitekturën e kujtesës sonë, por edhe në mënyrën se si i kujtojmë dhe rindërtojmë ngjarjet e së kaluarës».