Mish, bukë, ajër dhe nacionalizëm të helmuar

Do të ishte më e udhës, dhe dorën në zemër më «shtetërore», nëse inspektorët ushqimorë, e diku-diku edhe policë të shtetit do të tërhiqnin zvarrë me po aq senzacion thasë të skaduar të miellit dhe mishit të kalbur nga supermarketet kosovare sa ndonjë zyrtar të shtetit serb.



Lajmet qendrore! Kronika e parë zbulon se gjatë njëzet viteve të fundit ka pasur helm dhe toksina të tjera në të gjitha produktet e konsumit që janë shitur në tregun kosovar. Për të gjitha këto autoritetet vendase kanë qenë në dijeni të plotë, mirëpo nuk kanë arritur që këtë gjë ta ndalojnë. «Kush e di sa kanë fitu nëpër tendera», thotë tërë mllef një nga anëtarët e familjes. Lajmi i dytë jep pamje se si disa pjestarë të policisë së Kosovës e paskan kthyer mbrapsht një prift ortodoks i cili pritej që në meshën e radhës që do të mbahej në Zveqan të thoshte diçka të pakëndshme për Kosovën. Të ekzaltuar nga pamja të gjithë anëtarët e familjes ulen në tavolinë dhe darkojnë shijshëm duke komentuar tërë zell pamjet me priftin plak. Kjo nuk është një situatë krejtësisht hipotetike. Në fakt është vetëm një përmbledhje në karikaturë e disa ngjarjeve të ngjashme që kanë ndodhur në Kosovë gjatë pesë viteve të fundit.

Rishtazi doli skandali për cilësinë e mishit të importuar në Kosovë. Kompania belge Veviba, edhe ashtu e komprometuar disa herë me skandale të ngjashme – kishte eksportuar në Kosovë mish të vjetëruar plot dymbëdhjetë vjet. Vetë parlamenti belg organizoi seance të posaçme për këtë çështje. Të kuptohemi drejt, ligjëvënësve belgë edhe mund të mos u bëhet vonë për cilësinë e mishit që konsumojnë kosovarët. Shqetësimin e tyre parlamentarët dhe mediat belge e shfaqën lidhur me organet belge për kontrollin e cilësisë së produkteve dhe agjencive për kontroll të eksporteve.

Vetëm në fund të vitit që e lamë pas, opinioni kryeqytetas u alarmua dhe u mobilizua për të bërë presion për cilësinë e ajrit në Prishtinë. Ajër! Konsumin e të cilit as që e marrim në mend.

Dy vite më parë dolën dyshimet fillestare lidhur me konsumin e produktit më të përdorshëm të kosovarëve – miellin. Një pjesë e problemit qëndronte se mielli në fjalë nuk plotësonte standardin minimal për proteinat që është 12 deri në 13 përqind. I njejti miell ishte poashtu i varfër në jod dhe hekur. Pjesa tjetër e problemit kishte të bënte me dyshimet se mielli i importuar në Kosovë është në fakt miell që përdoret për konsum te kafshët.

Në vitin 2013 dolën dyshimet tjera lidhur me cilësine e ulët të qumështit dhe prodhimet tjera të bulmetit. Shoqata e Qumështorëve të Kosovës asokohe kishte evidentuar më tepër se rreth 35 prodhime të bulmetit të cilat në vend të qumështit kishin për bazë vaj palme. Këto produkte shiteshin si «Djathë i bardhë», «Djathë për pica», por edhe si «qumësht». Përpos kësaj, disa herë dolën alarme nga vetë institucionet shtetërore për lloje të caktuara të qumështit për bebe «Aptamil» dhe qumështit për konsum të rregullt «Dukat».

Ministritë përkatëse, agjencitë e kontrollit të cilësisë së ushqimit, institucionet tjera relevante edhe mund të kenë lëvizur ndonjë gur gjatë këtyre viteve për të sanuar gjendjen. Qoftë edhe duke amandamentuar ndonjë ligj në fuqi, qoftë duke organizuar ndonjë konferencë. Por në total, institucionet përkatëse nuk dolën me analiza apo studime që do të largonin çdo dyshim te popullsia. Këto nuk janë dilema që problematizohen në debate publike me teori dhe këndvështrime të ndryshme. Gruri o është për njerëz, o është për kafshë. Në një kuti kartoni o ka qumësht, o ka vaj palme. Ajri ose është helmues ose është i shëndetshëm. Në të kundërtën, cili është kuptimi i shtetit nëse organet publike e qeversisëse nuk janë në gjendje të japin siguri për cilësinë e ajrit që thithet, bukës që hahet dhe qumështit me të cilin rriten foshnjet? Për çfarë i duhen shtetit këta lloj njerëzish të pasigurt dhe me shumë gjasa të sëmurë? Nëse organet qeverisëse e publike nuk arrijnë të të heqin dyshimet për produktet më bazike të konsumit të përditshëm, si mundet të njejtat të garantojnë cilësinë e një shërbimi mjekësor, ligjor apo ndërtues.

Shtetet janë struktura të cilat përveç politikave publike – pra lehtësimit dhe mundësimit të jetës në komunitet – janë edhe struktura të cilat artikulojnë identitet nëpërmjet klasës dhe elitave politike. Megjithatë, në këto dy dekada, në Kosovë është bërë një ndarje e frikshme ndërmjet funksionimit si shtet që merret me politika publike në njërën anë, dhe ekzistimit të shtetit vetëm sa për të përmbushur komplekse identitare e nacionaliste. Pra, deri tani, Kosova është përpjekur të funksionojë si shtet vetëm në retorikë, pa përmbushur detyrimet praktike. Përveç që është lejuar që popullata të ushqehet me produkte me përmbajtje helmuese, klasa politike kosovare në mënyrë të vazhdueshme e ka ushqyer opinionin me ligjërata nacionaliste, përralla për territore, ëndërra europiane dhe nënshtrim të Serbisë me aksione senzacionale. Në këtë kontekst, as jeta njerëzore e aq më pak cilësia e saj, nuk janë konsideruar të rëndësishme. Ato vlejnë vetëm si numra dhe si demografi për të përmbushur iluzionin e ekzistimit të një shteti, por jo kanë ndonjë vlerë në vetëvete.

Duhet thënë se kjo nuk është vetëm veçanti e Kosovës. Gjithandej, shtete populiste të cilat nuk i kryejnë obligimet e tyre qeverisëse e kompenzojnë këtë mungesë duke luajtur me shqetësimet, euforitë dhe nacionalizmat në popullsitë e tyre. Klasa politike në Kosovë «problemin Serbi» e ka arratisjen më natyrale nëpërmjet së cilës sheshohen, harrohen dhe normalizohen që nga mungesa e aparturave nëpër spitale e deri te ajri helmues.

Do të ishte më e udhës, dhe dorën në zemër më «shtetërore» nëse inspektorët ushqimorë, e diku-diku edhe policë të shtetit do të tërhiqnin zvarrë me po aq senzacion thasë të skaduar të miellit dhe mishit të kalbur nga supermarektet kosovare sa ndonjë zyrtar të shtetit serb. Këtë pamje edhe mund ta shohim nëse nën llupën e kritikës sonë nuk i mbajmë vetëm vendimet «madhore» për demarkacionin dhe për «të ardhmen europiane», por edhe për të sotmen e sofrës dhe trupit tonë.