«Mirënjohës që kam nderin të jetoj në këtë vend»

Mesazhi i presidentit të Zvicrës Alain Berset me rastin e Vitit të Ri.

Alain Berset.



Zvicra ka shtatë ministra dhe kjo duhet të jetë mbase qeveria numerikisht më e vogël në botë. President të përhershëm ky vend nuk ka. Çdo vit njëri nga shtatë ministrat ushtron edhe funksionin e presidentit të vendit – me rotacion. Sivjet president i vendit do te jetë socialdemokrati Alain Berset.

Në mesazhin e Vitit të Ri Berset, i cili është ministër i Brendshëm (kjo ministri s’merret me polici, por me çështje sociale, ka se është mirënjohës që ka nderin të jetojë në Zvicër. Falë demokracisë së drejtpërdrejtë të gjithë mund të vendosin se si duan të jetojnë. Ky është një privilegj i madh, tha ai. Popullsia mund të shikojë me optimizëm në vitin e ri. Fjalimi i tij i transmetua në televizionin dhe në radion publike. Se do të jetë ky mesazhi i fundit në këto mediume qytetarët zviceranë do të vendosin më 4 mars. Në një referendum ata do të vendosin nëse Zvicra do të ketë televizion dhe radio publike. Qarqet e djathta kanë iniciuar një referendum për këtë çështje. Berset tha se Zvicra është vend stabil dhe i sigurt. Ekonomia po përparon dhe vendi është tejet novator. Mijëra vullnetarë angazhohen për shoqërinë.

Megjithatë, sipas presidentit, njerëzit shtrojnë pyetje mbi të ardhmen: a do ta ndryshojë punën e tyre shndërrimi teknologjik? Siguria e vendeve të punës, harmonia mes profesionit dhe familjes, varfëria e gjeneratave të plakura dhe kujdesi i pagueshëm shëndetësor janë çështje që i interesojnë popullsisë, tha Berset, i cili i përket komunitetit frëngjishtfolës të Zvicrës.

Qytetarët zviceranë nuk kanë arsye të ndjehen të mllefosur. «Ne të gjithë mund të vendosim si duam të jetojmë». Zvicra, sipas tij, jeton nga debatet e sinqerta. Në vitin 2018 vendi do të zhvillojë diskutime të rëndësishme mbi sigurimin e pensioneve, raportet me BE-në, barazinë tatimore dhe barazinë mes grave dhe burrave si dhe klimën.

Berset apeloi që popullsia dhe politika të tregohen të gatshëm për kompromise. «Kush forcon pakicat, forcon Zvicrën», tha presidenti. Me ndërrimin e motmotit Alain Berset mori postin e presidentit nga Doris Leuthard. Posti atij i ishte dorëzuar me një bisedë telefonike, tregoi Berset në Twitter. (dp)