Mirëmbajtësit e spitalit të Gjilanit në protestë për paga

Mahmurije Miftari që punon për më shumë se 12 vjet në spitalin e Gjilanit në shërbimin e pastrimit, është e pakënaqur me të ardhurat e saj.




Ajo vendosi që bashkë me 38 kolegë të tjerë të të njëjtit shërbim ta ndërpresë punën, për të kërkuar të drejtat e tyre, raporton KTV.

Përfaqësuesi i sindikatës, Jusuf Azemi, thotë ta kenë bërë një marrëveshje me drejtorinë, por sipas tij në kohën kur është shpallur tenderi, ajo pësoi ndryshime.

Nga 170 sa e kishin pagën këta punëtorë, ata u dakorduan që të ketë ngritje në 220, por zyrtarë të prokurimit në këtë spital thonë se këtë nuk ua lejoi KRPP-ja.

Edhe ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka thënë se autoriteti kontraktues nuk mund ta përcaktojë pagën për operatorin ekonomik, ndërsa sipas tij, është çështje tjetër nëse kompania bën shkelje ligjore në pagesën e pagës së punëtorëve.

Punëtorët e shërbimit teknik kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen pa plotësuar kërkesat e tyre, dhe nëse do të ketë nevojë do të ndërmarrin veprime të tjera radikale.