«Mirëdita, zonja Kabashi»: nxënësit krenarë me mësuesen e tyre shqiptare në Zvicër

Kosovarja Mera Kabashi është mësuese në një shkollë publike në Volketswil afër Zürichut. Gati gjysma e nxënëseve dhe nxënësve të saj janë shqiptarë.

18 nxënëse dhe nxënës, gjysma shqiptarë: Mësuesja Mera Kabashi në klasën e saj në Volketswil afër Zürichut.



Para se të hyni në klasë në derë mund të shihni fotografinë e klasës. 18 të rinj dhe kureshtarë duke buzëqeshur. Bashkë me ta në këtë garë merr pjesë edhe mësuesja 28-vjeçare Mera Kabashi. Në klasë gjenden tavolina në formë të ishullit, pranë të cilave rrinë të rinjtë e moshës 14 deri 16 vjeçare de qetësisht kryejnë një detyrë. Mund të shtrohet pyetja nëse ata janë përherë kështu të qetë apo vetëm sot, pasi dikush ka ardhur për vizitë. Më vonë Mera Kabashi do të thotë: «Kjo u bie në sy shumë njerëzve që vizitojnë klasën tonë dhe përcjellin mësimin. Në klasën tonë mbretëron një atmosferë shumë e qetë dhe e këndshme e punës».

Po e shikuat klasën, vërehet se gjithçka është e rregulluar me kujdes dhe dashuri. Jastëkë të rehatshëm në parvazet e dritareve, një përshëndetje e përzemërt për mirëseardhje me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor e vendosur në një dërrasë për lajmërime, një thënie motivuese me shkronja të mëdha mbi tabelë: «Pa zell nuk korrë atë që mbjell» dhe nën të me shkronja pak më të vogla: «Jetën tonë e marrim në duart tona». Me sa duket mësuesja Mera Kabashi i kushton shumë rëndësi motivimit dhe punës së pavarur të nxënësve të saj. «Për mua është me rëndësi që nxënëset dhe nxënësit të përgatiten në mënyrë optimale për jetë. Këtu hyjnë nga njëra anë lëndët klasike. Nga ana tjetër: vlerat dhe virtytet si respekti, zelli, përkushtimi, puna e pavarur, bashkëpunimi dhe kënaqësia për jetë. Pa këto vlera jeta në një bashkësi është e ndërlidhur me vështirësi. Për këtë shkak unë i ushtroj këto virtyte dhe i kërkoj prej nxënësve për çdo ditë». Mësuesja Mera Kabashi është e përkushtuar sidomos në rritjen e kompetencave sociale te nxënësit e saj. Për t’i ushtruar dhe dëshmuar ato ajo ka ndërmarrë disa aksione me klasën e saj. Mes tjerash një aksion leximi bashkë me fëmijë të çerdhes dhe një aksion për shitjen e një ëmbëlsire. Fitimi nga ky aksion i është dërguar Fshatit të Fëmijëve (SOS-Kinderdorf) në Prishtinë.

Kur Mera Kabashi në moshën nëntëvjeçare erdhi bashkë me familjen e saj nga Kosova në Gjermaninë veriore, ajo s’dinte asnjë fjalë gjermanisht. Ajo e quan periudhën e shkollës fillore «të tmerrshme». Si e vetmja jogjermane në klasë ajo e ndiente veten të huaj dhe nuk arrinte të krijonte një qasje ndaj shkollës dhe mësimit. Kalimi në shkollën vijuese për të ishte një fillim i ri. Përkrahja motivuese nga ana e mësueses i dha vullnet për t’u interesuar më shumë për mësimin dhe për t’u angazhuar. Kështu ajo kaloi në gjimnaz, të cilin e përfundoi me maturë.

Këto përvoja kanë karakterizuar karrierën shkollore dhe profesionale të Mera Kabashit. Ajo e përjetoi vetë se ç’domethënie ka përkrahja motivuese nga mësuesja. «Gjatë studimeve unë me qëllim kam vendosur të bëhem mësuese». Pas studimeve për mësuese në lëndët gjermanisht, politikë, filozofi dhe etikë në Freiburg im Breisgau të Gjermanisë ajo kreu praktikën në Rottweil dhe në verën e vitit 2013 erdhi në Zvicër.

Mera Kabashit i kujtohet mirë dita e parë në shkollën Lindenbüel në Volketswil afër Zürichut. «Ishte tejet e emocionuar, sepse ishte një fillim i ri në një vend të huaj me një klasë timen. Më parë kisha mësuar se do të kem shumë nxënëse dhe nxënës shqiptarë. Pastaj pata mësuar se sidomos këta ishin shumë kureshtarë të dinin për mua pasi e kishin lexuar emrin tim shqiptar. Raporti im me nxënëset dhe nxënësit e mi që nga dita e parë bazohet në simpati, besim dhe përkushtim. E them shumë hapur se i dua shumë nxënësit e mi dhe angazhohem për ta».

Nëntë prej 18 nxënëseve dhe nxënësve të klasës së Mera Kabashit janë të rinj shqiptarë. Ata vijnë nga Kosova dhe Maqedonia. Ata janë shumë krenar me mësuesen e tyre. Kjo ndihet në klasë. «Shumë nxënës në fillim me krenari kanë treguar në shkollë se mësuesja e tyre është shqiptare. Pastaj disa më përshëndesnin në shqip: Mirëdita, zonja Kabashi. Ata patjetër dëshironin të flasë shqip me ta».

Shumë nxënëse dhe nxënës të saj kanë prejardhje portugeze, italiane dhe turke. Për shkak të përvojës së saj të migrimit Mera Kabashi e sheh shumëllojshmërinë kulturore të klasës së saj si diçka të vetëkuptueshme dhe para së gjithash si pasurim.

Nxënësit dhe nxënëset e përshkruajnë mësuesen e tyre të re si «të gatshme për ndihmë, të përzemërt, të saktë, të angazhuar, të sjellshme dhe lojale». «Zonja Kabashi është ndryshe nga mësuesit dhe mësueset e tjera. Me përkrahjen e saj kemi bërë hapa të dukshëm përpara. Ajo lufton për secilin nxënës. Ajo ka mirëkuptim për ne dhe bën shumë për ne, kjo na bën të ndihemi mirë», tregon nxënësja Teuta. Kështu mund të kuptohet se përse Mera Kabashin në zyrën e arsimtarëve me dashamirësi e quajnë «nëna».

Mësuesja Mera Kabashi kujdeset që me nxënëset dhe nxënësit e saj të flasë vetëm gjermanisht, që të stimulojë kompetencat e tyre gjuhësore. Shqipen, ndërkaq, ajo e përdorë për të folur me prindërit shqiptarë. «Kjo është përparësi e madhe, sepse kur ka ndonjë vështirësi mund të telefonoj menjëherë në shtëpi. Po ashtu fakti që flas shqip ua lehtëson prindërve që, përkundër barrierave gjuhësore, të angazhohen në përditshmërinë e shkollës dhe të informohen vazhdimisht».

Mera Kabashi e potencon sidomos raportin ndaj prindërve të nxënëseve dhe nxënësve. «Janë sidomos prindërit e motivuar ata që kujdesen që mësimi në shkollë të rrjedhë mirë. Bashkëpunimi ynë funksionon në mënyrë shembullore». Sa i përket raportit mes prindërve dhe fëmijës mësuesja Mera Kabashi dëshiron që prindërit të mos i bëjnë presion të madh vetes. Ajo u bën thirrje prindërve, por edhe bashkëvendësve të saj: «Nuk është e nevojshme që të lëshoni pe dhe fëmijës t’i blini përherë telefonin më të ri, këpucët më të shtrenjta. Këto janë vlera materiale, të cilat nuk u duhen patjetër të rinjve. Ata më shumë kanë nevojë që prindërit të kalojnë kohë me ta dhe të interesohen për jetën e tyre dhe të marrin pjesë në të. Kjo domethënë që duhet bashkëpunuar mirë edhe me personelin arsimor».

Në fazën kur të rinjtë kanë nevojë për shumë vëmendje dhe orientim, Mera Kabashi investon shumë energji dhe kohë për t’i përgatitur ata si më mirë për të ardhmen. Tani ka filluar koha kur nxënësit duhet të kërkojnë një vend për të nxënë një profesion dhe për këtë atyre ua tërheq vëmendjen edhe mësuesja në tabelën anësore. Aty mund të shihet një poster që numëron «pesë hapa për të gjetur profesionin». Një tjetër poster prezanton sistemin arsimor të Zvicrës. «Për mua është me rëndësi që nxënëset dhe nxënësit ta dinë se çfarë mundësi kanë. Në posterë mund të shohin se pas nxënies së një profesioni ata kanë shans që përmes maturës profesionale të fillojnë të studiojnë nëse duan».

Për t’i udhëzuar fëmijët se si të gjejnë një vend për të nxënë një profesion mësuesja Mera Kabashi ka prezantuar në klasë disa portale online. Në dërrasën e zezë është e vendosur një listë me vendet e hapura për të mësuar një profesion. Bashkë me nxënës ajo ka analizuar mënyrat se si nxënësit duhet të konkurrojnë për të gjetur një vend për të mësuar profesionin e tyre të pëlqyer. Për të shkruar kërkesat për nxënie të profesionit ajo u ka dhënë kohë të duhur nxënëseve dhe nxënësve, të cilët mund t’i drejtohen për ndihmë mësueses pas orarit shkollor. «Unë i përkushtohem dëshirës së secilit nxënës dhe secilës nxënëse për profesion», tregon Mera Kabashi. Egzoni, një nxënës i saj, e konfirmon këtë: «Më pëlqen që zonja Kabashi secilin nxënës e trajton njëjtë». Katër prej nxënësve të saj tashmë kanë nënshkruar kontratat për të mësuar një profesion.

Mera Kabashi është shumë e vetëdijshme se si mësuese ajo shihet si shembull i suksesit. Përvojat dhe sukseset e saj në karrierë ajo dëshiron t’i shfrytëzojë për t’ua bërë të qartë të tjerëve rrugët e ndryshme të arsimimit dhe për t’ju mundësuar shanse të mira arsimimi. Njëra prej nxënëseve të saj madje ka vendosur të ndjekë rrugën e mësueses së saj: dëshiron të bëhet mësuese. Si Mera Kabashi.